Luçiano Boçi flet për shanset e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme
Deputeti demokrat i Elbasanit, Luçiano Boçi, flet për rolin e mazhorancës dhe opozitës në kuadër të reformave të mbetura që do të garantonin këtë tetor marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria. Në një intervistë për “Shqip”, Boçi flet dhe për ndryshimet e fundit në qeveri dhe filozofinë e ndërtimit të saj. Ai komenton dhe arsyet që, sipas tij, do të bëjnë që PD-ja të kalojë “provën e zjarrit” duke marrë dhe një tjetër mandat qeverisës, pavarësisht ndikimit në elektorat të Frymës së Re Demokratike dhe Aleancës Kuq e Zi.
Z. Boçi, si e shikoni imazhin e Shqipërisë përpara partnerëve ndërkombëtarë, në një kohë kur Shqipëria duket se po humb për herë të tretë statusin e vendit kandidat në BE dhe tonet e përfaqësuesve të Brukselit kanë nisur të ashpërsohen?
E rëndësishme është të diferencojmë saktë imazhin e Shqipërisë nga imazhi i politikës shqiptare, pasi megjithëse e dyta, si pjesë e rëndësishme, ndikon në përforcimin e së parës si tërësi, nuk mund të identifikohet plotësisht me shkakun apo pasojën e mosmarrjes së statusit të vendit kandidat.
Shqiptarët, me historinë e tyre, me vokacionin e tyre shpirtëror, me kodet morale dhe etike të sjelljes dhe ndërtimit të marrëdhënieve me fqinjët e afërt dhe të largët, me dëshirat e përpjekjet e tyre për liri e progres dhe me kontributin e tyre të pazëvendësueshëm përgjatë shekujve dhe në ditët që përjetojmë, de facto, janë tashmë pjesë e pandarë e një Europe si destinacion jetik dhe natyral. Dhe para tërësisë së këtyre realiteteve, asnjëherë të thëna të gjitha, unë nuk besoj se ende duhet të shtrohet pyetja e marrjes ose jo të këtij statusi, i cili, duke mos qenë thjesht “godoja” e lumturisë së përjetshme, të paktën është ëndrra e shumë e shumë brezave dhe definitivisht është stadi më i domosdoshëm dhe më i natyrshëm për të shpresuar “godonë” dhe për të prekur ëndrrën.
Dhe ajo që sot e gjithë ditën na ka penguar ta shijojmë këtë status de jure është modusi politik, (i gjetur apo real?!), si element thelbësor i garancisë së funksionimit të tij. Dhe këtu, ajo që çedon më shumë është pikërisht ajo që realisht është më afër përgjegjësisë momentale, klasa politike, e cila, nën vëzhgimin e arbitrit ndërkombëtar si shprehje e dëshirës së mirë, po përpiqet të lërë pas një kulturë konfliktualiteti për ta zëvendësuar me bashkëpunime të pritshme dhe të kërkuara, të cilat, herë pas here, ngadalësohen nga sjelljet arkaike të liderëve gjoja të rinj politikë. Përgjatë kësaj kohe, unë besoj se ajo është tendosur në skajet e limiteve të lëshimit dhe tolerimit të vazhdueshëm të mazhorancës, të faktuar me iniciativa reformatore të qarta dhe refraktarizmit me nota bajraktarizmi të opozitës, e cila kërkon, në mungesë të vizioneve politike, ta mbështesë luftën e saj për pushtet në pengimin e arritjes së suksesit kombëtar, të palës tjetër. Kjo filozofi politike dhe mënyrë të sjelluri e opozitës nuk është as e re dhe as modë vetëm shqiptare, por ajo që bie në sy tek opozita jonë është se kjo sjellje përmban nota të forta antikombëtare dhe antipolitike dhe njëkohësisht është shndërruar në vijë politike të saj. Dhe ky është një problem jo i vogël. Në këtë këndvështrim, shqetësimi i ndërkombëtarëve, duke mohuar këtu pjesën sipas së cilës deklaratat e tyre janë ashpërsuar kohët e fundit, mbetet i natyrshëm dhe në kufijtë e etikës së dëshirës së mirë për të nxitur marrjen e statutit, sikurse mund të interpretohet si qortimi i fundit që zakonisht jepet pas vlerësimit total pozitiv, tek i cili të gjithë ne kemi besim se do të ndodhë me siguri këtë vjeshtë. Dhe progres bashkëpunimi ka, si në aspektin e realizimit të reformave zgjedhore dhe parlamentare, ashtu dhe për çështjet delikate siç është çështja e imuniteteve, pavarësisht lojërave për përfitime maksimale të opozitës dhe rendjes së saj pas bllokimeve.
Pavarësisht se ministri i Brendshëm u përcaktua, disa përfaqësues në PD kanë deklaruar më parë se kjo periudhë duhet të përdoret nga Kryeministri Berisha dhe për të bërë ndryshime në qeveri, në një kohë kur vendin e ndan vetëm një vit nga zgjedhjet e ardhshme. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Qeverisja është realizim i programit politik të një mazhorance të dalë nga zgjedhjet dhe në këtë këndvështrim, ministritë janë mekanizmat të cilat realizojnë pjesët përkatëse të këtij programi. Përputhja midis një programi efikas dhe një drejtimi të përgjegjshëm jep dhe rezultatin e pritshëm. Një gjë e tillë është realizuar më së miri nga kabineti aktual dhe motivacionet e lëvizjeve të kërkuara duken sikur lëvizin më shumë drejt arsyetimeve ekstraqeverisëse dhe kërkesës për të zbuluar energji të reja.
Filozofia e Kryeministrit për të vlerësuar punën e kabineteve nuk është dhe nuk ka qenë nominative dhe në këtë aspekt, as subjektive dhe as ruajtje raportesh, por është dhe mbetet institucionale. Dhe në këtë këndvështrim emrat janë gjëja e fundit, pasi kur organizmi funksionon mirë në tërë pjesët e tij vitale, është jo e lehtë ndërhyrja. Sidoqoftë është vetë ai që vendos kur dhe ku kjo gjë është e nevojshme.
Cila duhet të jetë strategjia që duhet të përdorë PD për të arritur të marrë një mandat të tretë qeverisës, vitin e ardhshëm, në një kohë kur asnjë parti në vitet e tranzicionit shqiptar nuk ia ka dalë ta qeverisë vendin më shumë se tetë vjet?
Nuk ia ka dalë e majta në fakt, pasi ne ende nuk e kemi kaluar “provën e zjarrit”, që do jetë më 2013-n. Dhe ndryshe nga ajo, ne hyjmë në këtë sfidë me një garanci, e cila përmblidhet në seriozitetin qeverisës, në realizimin e një programi progresiv që ka synuar përmirësimin e jetës së qytetarit, në përcjelljen e një imazhi ndryshe të Shqipërisë në botë, të një Shqipërie në ndryshim e zhvillim. Kjo certifikatë garancie, me siguri që do mvishet me strategjinë e një Partie që besimin dhe forcën e saj e mbështet te sinqeriteti premtues dhe angazhimi politik i anëtarëve dhe militantëve të saj, të cilët përtej fisnikërisë së përhershme që i karakterizon, edhe pse për momente të vogla, mund të jenë me kokën mënjanë, mbeten mrekullisht frymëzuesit e betejave tona politike.
A mendoni se dy parti të reja dhe energjike si FRD dhe Aleanca Kuq e Zi do ta dobësojnë PD-në në zgjedhje, nisur dhe nga fakti se e para është një parti e djathtë, së cilës pritet t’i bashkëngjitet dhe ish- nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, dhe e dyta një parti që po ngjall patriotizmin e lënë pas dore në masat e gjera?
Ajo që i duhet sot, më shumë se çdo gjë, klasës politike shqiptare, mendoj se është maturimi dhe jo shtimi i spektrit të pafund politik me parti që bazë të krijimit të tyre kanë, ose aksidentin politik si në rastin e Aleancës Kuq e Zi, ose inatin e pamotiv politik, si në rastin e FRD. Sigurisht, një opinion i tillë, nuk përjashton aspak pranishmërinë e lëvizjeve kompaktësuese ose dizintegruese brenda vetë partive, sidomos të mëdha, por ato kuptohen e pranohen kur janë brenda logjikës politike dhe vetëm atëherë kur kryhen sipas parimeve universale të njohura dhe të pranuara. Për energjinë që ato kanë transmetuar, personalisht jam pak skeptik, pasi ende këto formacione nuk kanë pasur momente për ta bërë të lexueshme një gjë të tillë. Partitë nuk janë thjesht emfazë ligjërimore, as deklarime në formë publike të kapriçove individuale që ngjallin kuriozitet, dhe as klube Selaniku, në të cilat thërritet e bërtitet për flamur e atdhe dhe punohet kundër interesave kombëtare, as hipokrizi intelektualisht e veshur me petk të ri. Ato nuk janë dhurata që i serviren publikut si shpëtimtare të tij, apo si lodra që zbulohen në mallrat e konsumit të përditshëm, por janë shprehje e koncentruar e kërkesës që shoqëria ka ndaj vetvetes, për progres dhe zhvillim. Ato lindin natyrshëm në ambientin demokratik dhe nuk imponohen për karriera individuale. Parë nga ky këndvështrim, si njërës, ashtu dhe tjetrës, i mungojnë si energjia e domosdoshme ashtu dhe natyraliteti i ardhjes. Djathtizmi i FRD nuk mund të konstatohet nga origjina e atyre që do ta drejtojnë apo nga dekoratat e shpërndara (pasi këtu ka shumë dilema). Ai duhet të jetë në frymën e asaj të cilën deri më tani, thjesht e ka pretenduar, pasi rastet minimale, që ka pasur, të qëndrimeve politike të deritanishme, kanë provuar se aspirimet e saj flirtojnë dukshëm me jo të djathtën.
Ndërsa patriotizmi i pretenduar i AK është mjerisht mjeran. Patriotizmi në vetvete është një ndjenjë krenarie përkatësie e natyrshme ndaj kombit e çdo individi dhe ky emocion nuk është elementi themelor, ku mund të mbështetet krijimi i një partie, sikurse është elementi më i domosdoshëm që duhet të shoqërojë qëllimin e ekzistencës dhe veprimtarisë së çdo partie politike. Patriot i madh nuk është ai lider që bërtet më fort për këtë në pallatet e sporteve, në mitingje të sajuara dhe që shfrytëzon për këtë emocionet e papërsëritshme që të fal shpalosja e flamurit, por është ai lider që punon për këtë në të gjitha format dhe hapësirat që të jep politika. Patriotizmi, njëkohësisht, nuk është gjethe fiku për të mbuluar hermafrodizmin politik të aksidenteve të tilla politike, por është një xhevahir i brendshëm i shpirtit të çdo shqiptari, që mbart dhe promovon vlerat e kombit. Ai është kudo ndër ne; në ndërtimin e Rrugës së Kombit, sikurse në Festivalin e Këngës Popullore të Fëmijëve të Fushë–Krujës, në Abetaren e unifikuar, sikurse në mbështetjen e vazhdueshme për njohjen e Kosovës, në thirrjet për Kombëtaren, sikurse në graduimin ekselent të nxënësve e studentëve shqiptarë, në kërkesën për rregullimin e enciklopedisë së Maqedonisë, sikurse në kërkesën për ringjalljen e traditave krahinore shumë të pasura. Thjesht mjafton ta përqafosh. Naiviteti i ndërgjegjësuar politiko-patriotik i AK, i shoqëruar me deklarata në dukje patriotike, po në realitet aspak të tilla, dalëngadalë po e kanalizon këtë forcë në analet e humoreve më të hidhura të politikës shqiptare. Dhe besoj se kjo fushëpamje, megjithëse e paplotë, mjafton për të perceptuar dëmin që mund t’i sjellim këto dy partizëza PD-së.