Lotaria kombëtare, si do të luhet?

Sa do të kushtojë bileta, si do të hidhet shorti dhe cilat janë shanset për lojtarët?

Lotaria kombëtare, aq shumë e përfolur për mënyrën se si po procedohet për dhënien e licencës së saj, nuk është një lojë e panjohur për shqiptarët. Duke iu referuar praktikës së disa vendeve perëndimore, lotaria që pritet të funksionojë në Shqipëri këtë vit, do të jetë e ngjashme me lojën “6 nga 45” që funksionoi për disa vite nën organizimin e Kryqit të Kuq Shqiptar.

Ndryshe nga lotaria e Kryqit të Kuq, që shqiptarët e njohin, lotaria e re pritet të ketë ndonjë ndryshim të vogël në mënyrën e organizimit.

 

Loja

Loja më e përhapur sot për sot, sa u përket lotarive kombëtare është sipas modelit 6 nga 49. Lojtari zgjedh gjashtë numra nga 1 deri në 49 dhe fitues i çmimit të madh, apo xhekpotit, shpallet ai që i kap të gjashtë numrat. Por rregull është që çmime të mëdha të shpërndahen edhe për fitues me 5, 4, apo 3 numra të kapur.

Tërheqja zyrtare e numrave fitues bëhet direkt në një televizion kombëtar dhe numrat fitues shpallen më pas edhe në gazeta dhe në internet, së bashku me të dhënat për numrin e biletave fituese dhe shumat e përfitimit për çdo fitues.

 

Biletat

Sipas standardit të vendosur tashmë në Perëndim, shuma e parave që shpërndahen për çmime duhet të jetë më e madhe se 50 për qind e shumës së grumbulluar nga shitja e biletave. Duke qenë se ka shumë pak raste kur çmimi i madh i këtyre lloj lotarive është i paracaktuar, sasia e parave që shkojnë për fituesit varet direkt nga numri i biletave të shitura dhe nga çmimi i tyre.

Në kushtet e vendosura nga qeveria për kompanitë që hynë në garë për marrjen e licencës së kotarisë kombëtare në Shqipëri nuk është përcaktuar çmimi i biletës. Por nisur nga praktika e deritanishme në vend, çmimi i një bilete pritet të jetë 50 lekë. Një biletë mund t’i ofrojë lojtarit të zgjedhë më shumë se një kombinim numrash. Pra në të njëjtën biletë, me çmimin e caktuar, lojtari mund të plotësojë dy ose më shumë kombinime numrash, që konsiderohen si bileta të ndryshme në lojë.

 

Shanset e fitimit

Mundësitë për të fituar xhekpotin mund të ndryshojnë në varësi të modelit të lotarisë. Në një lojë të thjeshtë 6-nga-49, një lojtar zgjedh gjashtë numra nga 1 deri në 49 (dublimet nuk lejohen). Nëse të gjashtë numrat në biletën e lojtarit dalin në tërheqjen zyrtare (nuk ka rëndësi renditja), atëherë lojtari është fitues i xhekpotit. Për një lotari të tillë, shanset për të fituar xhekpotin janë 1 në 13,983,816.

Në lotaritë “bobnusball” ku gogla e bonusit është e detyrueshme, shanset janë shumë më të vogla. Në lotarinë Mega Millions në Shtetet e Bashkuara, 5 numra tërhiqen nga një grup prej 56 dhe 1 numër tërhiqet nga një grup me 46 dhe lojtari duhet të kapë të gjashtë numrat për të fituar xhekpotin. Në këtë rast, shansi për të fituar është 1 në 175 milionë.

Shanset për të fituar mund të ulen gjithashtu duke rritur grupin nga i cili tërhiqen numrat. Në SuperEnalotto në Itali, lojtarët duhet të kapin 6 numra nga 90 dhe shansi për të fituar çmimin e madh është 1 në 622 milionë.

Shumë lotari japin çmime edhe për kapjen e disa prej 6 numrave që përmban bileta. Mega Millons në SHBA jep një çmim prej 2 dollarësh nëse lojtari kap vetëm goglën e bonusit. Në Britaninë e Madhe, kotaria kombëtare e ka çmimin më të ulët 10 sterlina, për biletat që kapin 3 numra.

k.v.

 

6 – Numra përmbajnë zakonisht biletat e lotarive kombëtare në botë

49 – Është zakonisht grupi i numrave mes të cilëve mund të përzgjedhësh

 

 

Loja

Rregullat që ulin dhe rrisin shanset

Në shtete të ndryshme përdoren rregulla të ndryshëm për të rritur apo për të ulur shanset e lojtarëve për të fituar. Në Gjermani për shembull, në lotarinë e organizuar nga shteti, 6 numra tërhiqen nga një grup numrash nga 6 në 49, ndërsa një numër i shtatë, që përcakton fituesin e çmimit të madh, tërhiqet nga një grup numrash nga 0 në 9. Në Britaninë e Madhe loja është më e thjeshtë, duke shpallur fituesit me vetëm 6 numra të biletës, ndërsa në Itali, e famshmja SuperEnalotto i përzgjedh 6 numrat fitues nga një grup nga 1 në 90.

 

Italia

Në SuperEnalotto, lojtari përzgjedh 6 numra nga 90

 

Shembulli

Lotaria gjermane, milionat që luhen dy herë në javë

Në Gjermani, qeveria ka monopolin e sistemit të lotarive, ku ofron një sistem “gjej 6 nga 49”. Shanset për të fituar xhekpotin (jackpot) janë 1:139,000,000. Një biletë duhet të ketë 6 numra të përzgjedhur nga 49 dhe një plotësues “super numër” nga 0 deri në 9.

Tërheqja e numrave fitues bëhet çdo të mërkurë dhe të premte, pra dy herë në javë. Gjermania ofron edhe disa lojëra plotësuese si super 6, loja 77 dhe Glücksspirale (Spiralja e Lumturisë). Xhekpoti më i madh që është fituar ndonjëherë ishte ai i 5 dhjetorit 2007, kur tre persona ndanë një shumë prej 45,382,458 eurosh. Kjo shumë është afro 2 milionë euro më pak se xhekpoti më i madh i mundshëm. Xhekpoti më i ulët i fituar ndonjëherë ishte në vitin 1984, kur një gjerman me numrat 1, 3, 5, 6, 9, 12, 25 mori vetëm 16,906 dojç marka (rreth 8,5 euro)

 

15

Mln euro – Është çmimi më i madh i fituar nga një person në Gjermani

 

16

Marka – Ishte xhekpoti më i ulët i fituar në Gjermani më 1984

Autor te 25 Qershor 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry