Tiranë, dy në pranga për pastrim parash

Policia ka sekuestruar pasuri të patundshme me një vlerë prej 4 milionë eurosh  

Një operacion i përbashkët i policisë së Tiranës dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda është finalizuar me sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme dhe prangosjen e dy personave.

Në një dalje publike për mediat, drejtori i policisë së kryeqytetit, Bernard Çaushaj, ka deklaruar se janë vënë në pranga: Shpëtim Kadana, 35 vjeç dhe Vasil Bajraktari, 44 vjeç, në pronësinë e të cilëve rezultonin pasuri me një vlerë prej 4 milionë eurosh.

“Duke përfshirë 2 hotele luksoze, ambiente biznesi, apartamente banimi, sipërfaqe toke truall, etj. Po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre shtetasve dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, familjarë apo të afërm të tyre”, deklaroi numri një i policisë kryeqytetase.

Ndërkaq sipas policisë 35-vjeçari i arrestuari Shpëtim Kadana, ka qenë anëtar i një organizate kriminale që trafikonte kokainë nga Hollanda dhe Belgjika në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Ndërsa për 44-vjeçarin Bajraktari gjykata e Torinos ka dhënë dënimin me 8 vite heqje lirie për shfrytëzim të prostitucionit.

25 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 25 Qershor 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry