Rritet paga minimale dhe taksa, vendimi hyn në fuqi më 1 janar

Propozohet drafti: Të jetë 21 mijë lekë në muaj nga 20 mijë lekë, rritje me 5%

Këshilli Kombëtar i Punës merr vendimin për rritjen e pagës minimale me 5 për qind. Rrjedhimisht në rritje do të përfshihet edhe rritja e taksës.

“Është propozuar që paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 21 000 lekë në muaj nga 20 000 lekë në muaj, duke u rritur me 5%”, sqaroi drejtori juridik i Ministrisë së Punës, Astrit Kuka.

Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëme shëndetësore, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë, të cilat shkojnë mesatarisht 50% mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që ushtrojnë veprimtari në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 31 500 lekë në muaj.

Në projektvendim parashikohet që paga minimale prej njëzet e një mijë lekësh në muaj të fillojë efektet financiare nga data 1 korrik 2012 për sektorin publik, ndërsa për biznesin rritja e pagës minimale hyn në fuqi më datën 1 janar 2013, me kërkesë të përfaqësuesve të biznesit.

Me rritjen më të fundit të pagës minimale në shkallë vendi në masën 5%, paga minimale në Shqipëri barazohet me pagën minimale të Bullgarisë. “Sipas një studimi të vitit 2011, theksoi ministri i Punës, Spiro Ksera, Shqipëria me gjithë rritjet e përvitshme të pagës minimale ka nivelin më të ulët në rajon që shkon 142 euro, nga 148 euro Bullgaria, 161 euro Rumania, 166 euro Serbia, e deri te vendi me pagën më të lartë minimale në rajon, Kroacia në nivelin 371 euro.” Sipas tij, kjo rritje është në përputhje edhe me objektivin për uljen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies.

Në sektorin publik dhe veçanërisht në atë buxhetor, caktimi i pagës minimale ka ndikim në sistemin e pagave dhe reflekton në rritjen e pagave të niveleve më të larta, pasi kjo pagë shërben si bazë e ndërtimit të sistemit të pagave për punonjësit mbështetës. Paga minimale është e detyrueshme për zbatim nga çdo subjekt juridik e fizik, vendas apo i huaj.

Në procesin e hartimit të projektvendimit janë zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e punëdhënësve e punëmarrësve dhe ai është miratuar në Komisionin e Pagave dhe Pensioneve të Këshillit Kombëtar të Punës. Në mbledhjen e djeshme u konsultuan edhe tri projektvendime në zbatim të ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, respektivisht PVKM “Për mënyrën e funksionimit të shërbimit mjekësor në punë, përfshirë normat, rregullat dhe procedurat e kontrollit mjekësor të pranimit në punë”, “Për listën e sëmundjeve profesionale”, “Për përcaktimin e rregullave, procedurave dhe llojeve të testeve ekzaminuese mjekësore që do të kryhen në varësi të punës së punëmarrësit”.

Me kërkesë të përfaqësuesve të punëdhënësve në këshill u vendos që miratimi i tri projektvendimeve të shtyhej dhe në to të pasqyroheshin propozimet e tyre para se të paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave. Lorina Mixha 

Autor te 26 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry