PD-ja “kryqëzon” Ina Ramën në Kuvend për ngjarjen e 21 janarit

Seanca dëgjimore

Mazhoranca, akuza për mosveprim të prokurorisë edhe në luftën ndaj korrupsionit

BLEDAR HOTI

Mazhoranca sulmon Kryeprokuroren Ina Rama për ngjarjen e 21 janarit. Seanca dëgjimore me kreun e organit të akuzës nuk i ka shpëtuar reflektimit të marrëdhënies jo normale mes mazhorancës, qeverisë dhe Prokurores së Përgjithshme. Kjo është vënë re në pyetjet që deputetët e mazhorancës i kanë bërë Ina Ramës, duke qenë tejet thumbuese. E tillë ishte pyetja e demokratit Fatos Hoxha, i cili iu drejtua se “a është penduar me veprimin për të mos raportuar para një viti në Parlament”, duke nënkuptuar refuzimin që Ina Rama i bëri komisionit të posaçëm hetimor për hetimin e ngjarjes së 21 janarit. “Para një viti, para këtij Parlamenti kanë ardhur e kanë raportuar Kryeministri, Kryetarja e Parlamentit dhe gjithë hierarkia e shtetit, në këtë vend, e thirrur nga ky Parlament, vetëm ju nuk keni raportuar”, theksoi Hoxha. Por kryekomisioneri Rusmali ka bllokuar kthimin e përgjigjes nga Rama. Hoxha ka ironizuar dhe shifrat e raportit të Prokurorisë, duke theksuar se “në Shqipëri vetëm fatorinot janë ndëshkuar”. “Zonja Prokurore, në mandatin tuaj rreth pesëvjeçar, a nuk ju duket se me veprimet e mosveprimet tuaja i keni dhënë mbështetje zengjinëve të vjetër dhe të rinj”, theksoi Hoxha. Por Kryeprokurorja i kërkoi që ta zhvillonte më tej një pyetje të tillë. Kjo shkaktoi dhe ilaritet në sallë dhe replika mes socialistëve dhe demokratëve. Ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, iu drejtua Kryeprokurores: “Ju thatë që çështjet penale lidhur me veprën penale të korrupsionit kanë një tendencë në ulje, si vepra të regjistruara. Por, ndërkohë, për opinionin tuaj, thatë që nuk është kjo tendenca reale e këtyre veprave. Ky është mendimi juaj si qytetare, sepse si prokurore keni bërë raport dhe nuk e gjeta as në raport. Mendim si qytetare apo mendim politik?. Në lidhje me këtë pyetje konstatimet nuk vijnë nga qëndrimet personale apo politike, por nga të gjitha raportet e huaja mbi nivelin e korrupsionit në Shqipëri”. Për vitin 2011, numri i të pandehurve është 4. Ndërkohë gjithë shqiptarët kanë ndjekur nëpër media me dhjetëra manifestime dhe protesta, bllokime rrugësh të organizuara nga PS me djegie gomash, akte të tjera të dhunshme dhe ndaj policisë. Si  e shpjegoni që janë regjistruarshifra kaq të ulëta? Dhe në veprën tjetër penale organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrjen e njerëzve të armatosur para Kryeministrisë, shifra është zero. Më 21 janar ka pasur një ngjarje”, replikoi sërish Paloka. Por vërejtjet ndaj Ina Ramës erdhën dhe nga socialisti Pandeli Majko. “Fakti që ju si Prokurore e Përgjithshme fyheni publikisht në mënyrën më të rëndë nga përfaqësues të Ekzekutivit, ju dhe Presidenti i Republikës dhe nuk reagoni, dhe reagimi i vetëm është që dilni në konferencë shtypi me ambasadorin amerikan. Në bazë të Kushtetutës, drejtësia nuk është ambasadori amerikan në këtë vend, jeni ju”, tha Majko.

Kontestimet ndaj Halimit

Kryeprokurorja Ina Rama kontestoi fuqishëm dhe raportin paralel të ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, mbi punën e prokurorisë. E pyetur nga socialisti Fatmir Xhafaj mbi mendimin e këtij raporti, Ina Rama e cilësoi si të pasaktë dhe jo të drejtë.

“Në shumë raste ne kemi gjetur në kontrollin e ushtruar nga Ministria e Drejtësisë jashtë tagreve dhe kompetencave që ligji i jep Ministrisë së Drejtësisë, një tejkalim të kompetencave të tij. Ka marrë përsipër të bëjë vlerësim të nivelit profesional, etik dhe moral të prokurorëve që nuk është gjithashtu një aspekt me të cilin Ministria e Drejtësisë mund të merret me inspektimet që kryen. Në disa raste kemi konstatuar se konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë nuk janë mbështetur në të dhëna të vërteta dhe faktike. Janë qëndrime gati hipotetike apo imagjinare. Pra të nxjerrësh konkluzione në një numër të vogël problematikash, në një numër kaq të vogël çështjesh e t’ia veshësh të gjitha sistemit, na duket një pozicion i padrejtë dhe i pasaktë. Kemi pasur dhe ndërhyrje për çështje që kanë qenë edhe në proces gjyqësor”, tha Ina Rama.

Imuniteti - Ina Rama ka deklaruar se imuniteti i gjyqtarëve dhe zyrtarëve përbën një problem tepër serioz në punën e prokurorisë

Mosndëshkimi - Kryeprokurorja ngriti me forcë shqetësimin e gjyqtarët nuk pranojnë kërkesat për masat disiplinore ndaj prokurorëve

Halimi - Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë sot raportin paralel të Ministrisë së Drejtësisë mbi punën e Prokurorisë

 

Debati

Fatos Hoxha: Do të thotë se këtu korrupsionin e bëjnë fatorinot dhe këta të rangut të kësaj shtrese. Zonja prokurore, në mandatin tuaj 5-vjeçar a nuk ju duket se me veprimet e mosveprimet tuaja i keni dhënë mbështetje zengjinëve të vjetër dhe të rinj. Faleminderit.

Reagimi i PS-së: Ç’janë këto pyetje?

Ilir Rusmali: Kjo është pyetje retorike dhe nuk ia vlen.

Ina Rama: Mund të them se nuk e kuptoj këtë pyetje dhe të ma elaborosh pak më shumë.

Pandeli Majko: Zhvilloje si pyetje Fatos.

Ilir Rusmali: Mënyra është se si është formuluar, është gabim.0

Fatmir Xhafaj: Jo, jo, kemi caktuar një rregull bashkë.

Fatos Hoxha: Po ç’keni ju që ju djeg ku përfshiheni te zengjinë e rinj apo të vjetër. Pandi po më thotë ta zhvilloj këtë pyetje, pse ju djeg kjo punë?

Bashkim Fino: Po ti Fatos ku futesh te fatorinot

Ina Rama: Nuk dua t’i shmangen kësaj pyetjeje, këtë doja të sqaroja dhe unë

Rusmali: Zonja prokurore ju lutem, jo.

Fatos Hoxha: Domethënë nuk mora përgjigje.

Ilir Rusmali: Jo, nuk ka përgjigje.

Fatos Hoxha: E rëndë është por nuk ka gjë, shumë e rëndë.

Ilir Rusmali: E mbaj unë.

Fatos Hoxha: Para një viti, para këtij Parlamenti kanë ardhur e kanë raportuar Kryeministri, Kryetarja e Parlamentit dhe gjithë hierarkia në këtë vend, e thirrur nga ky parlament. Ju nuk keni raportuar. A jeni penduar për një veprim të tillë?

Ilir Rusmali: Kjo nuk ka lidhje me periudhën që raportojmë. Apo ka lidhje me periudhën?

Ina Rama: Ka lidhje se është raporti i vitit 2011.

 

Moratoriumi

PS: Tahiri dhe Koka kanë jahtet ndaj janë propozues

Komisioni Parlamentar i Sigurisë shqyrtoi dje nismën e tre deputetëve Metalla i PD-së, Koka i LSI-së dhe Tahiri i PDIU-së në lidhje me shfuqizimin e pjesshëm të moratoriumit të skafeve. Nisma e tyre parashikon që jashtë moratoriumit të mbesin jahtet dhe varkat me vela. Por deputetët e opozitës, si Sterkaj dhe Prenga, u shprehën se ky propozim është në konflikt interesi, pasi sipas të dhënave të sigurta “Koka dhe Tahiri janë pronarë të jahteve”. Komisioni e miratoi në parim një nismë të tillë, porse për shkaqe teknike duhet të shihen nga ekspertët. Ndërsa Partia Socialiste ka propozuar që të lejohen dhe varkat apo skafet deri në 40 kuaj fuqi.

 


Autor te 27 Qershor 2012. Lajmet kryesore, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Famagjo

    Lexova me kujdes te gjitha diskutimet, theniet dhe kundertheniet ne komisionin e ligjeve, akuzat dhe kunder akuzat bajate, nivel i ulet i mbledhjeve. Mu kujtuan mbledhjet ne organizaten e partis punes ku sekretari me gjithe lakejt qe e rethonin ngrinin akuza te pa qena,benin presione dhe gjithcka per te mbytur te verteten, per te mbyllur gojen e njerezve
    ishin aq te neveritshme sa dhe monstruoze te ndyra dhe me nivel te ulet.Motivi ishte per
    10000 lekshin qe merte drejtori,sekretari i partise kur ndaheshin shtepite,televizori,frigoriferi,
    lavaricja etj. Dhe “Ilir Rusmali” sekretari i partis bente te njejten loje qe bene dhe sot
    te mos thuej e verteta se po u tha te perjashtojne nga partia,armik i klasave, sajoheshin nje mij e nje akuza dhe ose te priste burgu ose internimi deri ne zhdukjen
    fizike. Tradita vazhdon,komisioni i zgjedhjeve shpallte fitoren e partis punes (sot pd.)
    me 99,99%,kush ishte kunder vijes(eshte kunder interesave te pushtetarve) ishte puciste,hora dhe lavire bulevardi dhe denoheshin.
    rusmajli dhe lakejt e tjere pd-ista te japin llogari ne radhe te pare perse u qellua ne popull dhe u vrane njerez te pafajshem kush dha urrdher,te japin llogari per gjendien e mjeruar te popullit,per kriminalitetin,korupsionin, te mbajne qendrim per gjuhen prej rrugatshi te berishes etj.kriminelet thone ja krimineli,hajduti thote kape
    hajdutin.Po SHQIPERINE e mendoni more mjerane.Nuk ka vend me.