ARTAN MULLAJ
Diku lexova për një grabitje rutinë. Grabitës profesionistë i rrëmbyen gjerdanin nga qafa bashkëshortes së këngëtarit të njohur, Bashkim Alibali. Kjo lloj grabitje, që është shndërruar në një dukuri tipike mes mizerjes tipike titanike të shqiptarëve, është kaq e shpeshtë saqë mund të thuhet se ajo “zgërdhihet” mes nesh. Dhe grabitësit, që nuk kapen kurrë, janë kaq profesionistë në sulmet e tyre, saqë, edhe pse të pashkollë, dinë të shfrytëzojnë mrekullisht ligjet e fizikës gjatë sulmeve të tyre me nxitimin e rënies së lirë. I ndjekin viktimat, ju afrohen pa u ndier, dhe ua rrëmbejnë mëshirshëm: asnjë gërvishtje nuk shkaktohet në qafën e tyre. Para disa kohësh kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje të tillë në mes të Tiranës. Po ecja bri bashkisë, në drejtim të xhamisë ku kish shumë njerëz dhe faleshin besimtarë, kur ndjeva hijen e dikujt që parakaloi me ngut në të djathtën time. Një i ri i shkurtër, i ngjeshur dhe gati pa qafë, nxitonte me një lloj ecjeje të shëmtuar sportive në drejtim të dy zonjave që ecnin para meje. Dukej se gratë, bionde të dyja, po ktheheshin nga pazari sepse mbanin në duar qese me fruta, qepë dhe domate. Po bisedonin të tyret kur i riu pa qafë u hodh si skifter, drejt e në qafën e njërës. Kaq shpejt dhe kaq me furi, sa në fillim nuk e kuptova ç’ndodhi. Dëgjova që gruaja e sulmuar klithi dhe perimet i ranë përtokë, ndërsa i riu u zhduk sakaq pas qoshes së xhamisë, mes njerëzve. Pranë tyre, në trotuar, ndodhej një polic. Ngjarja kishte ndodhur mu para hundës së tij. Gruaja, krejt e zbehur, me dorën te qafa, iu drejtua gjithë ngashërim: “Zoti polic, të lutem më ndihmo, hajduti më rrëmbeu gjerdanin …nga qafa”. Por tani po ndodhte një hata më e madhe akoma. Në vend t’i qepej hajdutit pas, polici rrinte i ngrirë, si kali i pluhurosur i Skënderbeut në lulishten përballë. E
shikonte gruan me një vështrim misterioz, që nuk i përshtatej moshës së re dhe uniformës që kish. “Ju lutem bëni diçka, ma vodhi. Ishte gjerdan floriri!”-ulërinte ajo duke qarë. “Ma pati sjellë çuni nga Italia…ma mori hajduti, e shkreta unë. Hajduti!” Por polici rrinte i palëvizur, shpërfillës, a thua, në vend të floririt, gruas i kishin rrëmbyer ndonjë kokërr domate nga qeset përdhe. “Turp të keni, plehra!”, iu drejtua edhe gruaja tjetër policit dhe vetëm atëherë në fytyrën e tij lëvizi një muskul, ai që zakonisht krijon nënqeshjen cinike.
Qime nuk i lëvizte policit të ri. Vështronte kotësisht tej kalit të Skënderbeut, në një krenari dhe një kënd që lejonte të dukej ballina e muzeut, mozaiku i të cilit shkëlqente si vetë lavdia. Gratë mallkuan shtetin dhe policinë dhe një çast më pas nxituan të pashpresa drejt ikjes së hajdutit profesionist dhe drejt një dite të dëshpëruar. Ju afrova policit dhe pasi pashë emrin në gjoks, (Hysni në mos gabohem- mbiemri s’më kujtohet)e pyeta se a e pa skenën e vjedhjes që ndodhi mu përpara syve të tij, dhe polici më pa shpërfillur, si kishte parë pak më parë grabitësin, gratë dhe mozaikun e muzeut atje tej. Një vizionar i mender, i vërtetë! “Debilet, mirë ja bojn! A vihet te çamt(pazari çam) me një gisht gjerdan n’qaf? Pastaj çka të hyn në qese ty? Ç’të duhet? Avokat i tyne je? Vazhdo rrugën!”
Mund të themi se këtë lloj sjellje, me ///////////////////////”viszon” harbutërie, e ndesh shpesh në organet e forcës së shtetit, nëse me harbutëri nënkuptojmë edhe paaftësinë. Më keq akoma, kapjen! Mjafton të kujtojmë dështimin notoman të policisë shqiptare në Lazarat, për të krijuar imazhin.
Sjellje “monumentale” të policisë gjithandej. Gjatë grabitjes së gruas në trotuarin e bashkisë, më kishte tronditur fodullëku i policit dhe kisha dështuar në gjetjen e një shpjegimi: Një rrogëtar i
veshur me uniformë dhe pushtet për të rruajtur rendin, bën sehir, shpërfill njerëzit dhe poshtëron vetë ai rendin. Por tronditja bëhet dhjetëfish kur shikon se si sjellja e policit rreket deri në dhimbje
drejt përfaqësimit. Më duket se kush i lexon këto radhë, është i një mendjeje me mua për zgërlaqen e policisë, në nivele të tjera. Janë bërë të njohura mjaft raste ku Policia e Shtetit është treguar shurdhe, qore, apo në rastin më të mirë e paaftë, përballë situatash të tilla. Njëlloj si nuk munda ta kuptoj policin me vështrimin krenar, sot nuk mund të kuptoj as krenarinë e kotë të drejtorit të policisë Burgaj në Lazarat. Në Lazarat, qeveria bën ndalesën e frymës si azmatikët. Ju duhet pompa për të vazhduar. Demagogjia! Policia atje bën postblloqe, si për të justifikuar dështimin. Dështimin otoman! Them dështimi otoman, për çështje etike, sepse nuk dua të them hapur që në Lazarat, shtetit shqiptar i kanë rënë brekët në fund të këmbëve. Atje vazhdon rrethimi i kotë i dështuar i hashashit në fshatin rebel, pavarësisht sulmeve sporadike në ndonjë bodrum shtëpie, që policia e shtetit i publikon thjesht e vetëm për të mos humbur thërrimet e
mbetura të nderit. Si rrethimet e Krujës nga turqit. Lazarati i hashashit ka triumfuar mbi shtetin ashtu si Skënderbeu triumfoi në Krujë mbi osmanët. Njëlloj si Sulltan Murati u tërhoq nga ambicia për të mposhtur kështjellën e Krujës, në fushime të gjata, Burgaj u tërhoq kokulur nga detyra për të bërë zap Lazaratin. Ato që mbetën janë postblloqet si relike të dështimit. Maksimumi që ka mundur të bëjë është shtimi i këtyre postblloqeve, ndërsa hashashi në Lazarat
lulëzon edhe rritet. Ç’shpjegim të ketë kjo gjë, ky dështim spektakolar i institucionit të dhunës? Është anësi apo paaftësi? Është po kjo polici shumëdhëmbëshe që ndëshkoi egër demonstruesit në 21 janar, është po kjo polici, që e sulmon Lazaratin si luaneshë, por kthehet prej andej si një dhelpër me minifund. Këto janë disa detaje që ndihmojnë për të krijuar një opsion për policinë shqiptare, me të cilën u lëngëzua prej krenarisë edhe i sapozgjedhuri President i Republikës disa ditë më parë. Detaje të vogla që sjellin në vëmendje realitetin e vërtetë të organit të rendit në vend. Ka detaje plot. Disa thuhen, shumicën askush se përmend, edhe për shkak se policia, ashtu si gjykatat, nuk janë në listën e besueshmërisë së qytetarëve. Ka detaje edhe më serioze, që s’duhen harruar. Mjafton të përmendim refuzimin që ju bë kryeprokurores në 21 janar! Policia e Shtetit nuk i arrestoi atëherë gardistët, sepse ajo nuk është e tillë. Nuk është e shtetit. Është një shërbëtore e vrazhdë e pushtetit. [email protected]