Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi raporton në Kuvend:U lënduan 32 policisë kosovarë. Pikëkalimi rihapet rreth orës 16:00
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi bëri të ditur se pas incidenteve të mëngjesit në pikëkalimin me Serbinë, në Merdar, Kosova ka mbyllur përkohësisht kufirin me shtetin serb. Ai ka raportuar përpara kuvendit të Kosovës për zhvillimet dhe incidentet, që kanë ndodhur sot në Mitrovicë e në Merdar, ku janë lënduar 32 policë, por asnjë me armë zjarri dhe asnjë në gjendje të rëndë.
Ai ka sqaruar se lëndimet kanë ndodhur kur dy autobusë me serbë u ndaluan në Vushtrri nga Policia e Kosovës, të cilët jo vetëm që provokuan policinë, por edhe manifestuan sjellje të rrezikshme, meqë ishin të dehur. Ata janë depërtuar përmes pikëkalimit në Merdar, e nga zona neutrale kanë hedhur gurë mbi policët. Për pasojë 32 policë u plagosën, nga të cilët 9 pati nevojë të trajtohen në QKUK. Ministri Rexhepi po ashtu tha se nuk janë përdorur armë as nga policia, as nga serbët.
Rreth orës 16:00 mediat kosovare raportuan se pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës me Serbinë, Merdar, është rihapur. KTV raporton nga vendi i ngjarjes se tani nga të dy drejtimet komunikacioni po zhvillohet pa pengesa. Po ashtu njoftohet se situata aty duket e qetë. Megjithatë forca policore të Kosovës po monitorojnë situatën.
28 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)