Matematika, ngelin mbi 1 mijë nxënës

Rezultatet paraprake, 300 maturantë vlerësohen me 10. Shkëlqen Tirana

Shpresa Mezini

Komisioni i ngritur në Ministrinë e Arsimit për korrigjimin e tezave të matematikës po vijon punën normalisht. Aktualisht mësohet se ky proces do të përfundojë më 30 qershor, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet pas kësaj date. Ndonëse herët për të bërë bilancin e rezultateve përfundimtare, duke iu referuar të dhënave paraprake, rezulton se niveli i maturantëve të sivjetshëm është shumë më i lartë krahasuar me atë të vitit të kaluar. Sipas drejtuesve të agjencisë së provimeve, në shkallë vendi rreth 300 nxënës janë vlerësuar maksimalisht, me 50 pikë gjithsej maksimale, ndërsa deri më tani, mbi 1 mijë nxënës janë mbetës. Aktualisht sqarohet se një pjesë e konsiderueshme janë vlerësuar mesatarisht, ndërsa ka ende teza që janë në proces vlerësimi e sipër, duke qenë se nuk ka përfunduar ende zyrtarisht.

Ndonëse jo zyrtarisht, mësohet se numri i maturantëve të shkëlqyer përqendrohet në kryeqytet, njësoj si rezultatet e provimit të letërsisë, ku nxënësit me pikët maksimale kanë përfunduar shkollën e mesme në Tiranë.

Burime për gazetën “Shqip” bëjnë me dije se fill pasi të përfundojë korrigjimi i tezës së fundit të provimit të dytë të detyruar, të dhënat përfundimtare do të hidhen në sistem me qëllim konvertimin e pikëve në nota. Specialistët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se rezultatet e matematikës do të publikohen fillimisht në sajtin zyrtar të MASH-it, pas datës 30 qershor, ndërsa pas kësaj listat do të afishohen në shkollat e mesme respektive. Testet me zgjedhje do të jenë prova e fundit që maturantët duhet të kalojnë për të fituar një të drejtë studimi në degët universitare publike. Më 30 qershor do të zhvillohet dhe provimi i fundit i maturës 2012, ku secili prej maturantëve për rreth katër orë do të testohet në dy provimet me zgjedhje, të përcaktuara në formularin A1. Aktualisht mësohet se ka nisur puna për përgatitjen e testeve, ndërsa hartuesit do të largohen nga ambientet e agjencisë së vlerësimit të nxënësve pasi të ketë nisur zhvillimi i provimeve. Sipas skemës së hartuar nga specialistët, në këto provime, pyetjet do të klasifikohen në varësi të preferencave të bëra nga vetë maturantët dhe jo në varësi të llojit të shkollës, sikundër u veprua në dy provimet e detyruara. Testet me zgjedhje do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 janë me përgjigje alternative dhe 10 me zhvillim, që në total do të vlerësohen me 30 pikë. Ndërkohë, duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, thuhet se përzgjedhja e testit për secilin nga provimet do të kryhet nga specialistë, të cilët emërohen përgjegjës të testit përfundimtar, në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AVA-as.

Autor te 28 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • alma

    1000 nxenes jane mbetes? Kush mban pergjegjesi per kete?