BARRA E EMRIT TË MIRË

ARTAN LAME

Shqipni tavolinash

Asnjë gjysmë leku kurajë nuk po e gjejnë dot në thellësi të shpirtit, jo për t’i kërkuar llogari Kryebashkiakut, por për t’i kërkuar të zbatojë ligjin siç e kërkon ligji.

Emri i mirë nuk është vetëm krenari, por edhe barrë nga ato që i mban me nder një jetë të tërë dhe pastaj i humbet për një ditë që nuk ia del të jesh atje ku duhet.

Po bëhen dy javë që nuk ka mbetur gazetë e televizor pa folur për situatën katastrofike të asaj që po i ndodh Parkut të Tiranës. Përmbi qindra reportazhet, shkrimet, lajmet, emisionet e kronikat e transmetuara, janë edhe dhjetëra shkrime analistësh e njerëzish publikë rreth kësaj çështjeje. Ndërsa të parat thjesht kanë informuar publikun për çka po ndodh, kategoria e të dytëve janë përpjekur të bëjnë analizën e ngjarjes dhe të kërkojnë një gjë shumë, po shumë, të thjeshtë. Përtej partive e debateve politike, ato kërkojnë që, meqenëse ekziston një shqetësim qytetar dhe po ndodh një ngjarje në qytet, institucioni i ngarkuar me ligj për të qeverisur e administruar qytetin, Bashkia pra, të na thotë çfarë po ndodh në të vërtetë dhe të paraqesë lejen e ndërtimit për punimet që po kryhen në territorin e saj. Kaq, vetëm kaq. Deri më sot, Bashkia vazhdon të HESHTË dhe të mos kthejë ASNJË përgjigje.

Midis shumë shkrimeve të botuara, para ndonjë jave ishte edhe ai i Fatos Lubonjës, i cili i drejtohej me një letër të hapur grupit të intelektualëve të Iniciativës për Tiranën. Lubonja, thjesht si qytetar i Tiranës, i kërkonte këtij grupi qytetarësh të Tiranës, që të prononcoheshin për atë që po ndodh në Tiranë. Pse pikërisht atyre? Sepse ky grupim që, gjatë fushatës elektorale në fillim të vitit që shkoi, u paraqit si një lloj peshoreje qytetare që do të vendoste në peshore kandidatët dhe, pa u shprehur për peshën e tyre, do t’ia linte publikut të shihte sesa rëndonin secili. Nuk po i hyj faktit se sa ishte e saktë apo e kontrolluar kjo peshore, por po e marr si të mirëqenë. Pas zgjedhjeve, po ky grupim, pretendoi se do të vazhdonte të ekzistonte për të shërbyer si kontrollues i punëve të Bashkisë, duke i varur vetes një këmborë goxha të madhe.

Vetë Iniciativa ka brenda saj njerëz nga të gjitha fushat e jetës, ndaj roli i tyre nuk ka si të jetë prej ekspertësh në çdo fushë, por vetëm si vlerësues transparence. Deri këtu mirë. Pikërisht me këtë tagër, Lubonja u drejtohej atyre tani dhe, si qytetarë, u kërkonte jo të shpreheshin nëse është i mirë a i lig projekti i prerjes së pemëve, nëse na bën mirë a keq të zvogëlohet Parku i Tiranës, por thjesht që t’i kërkonin Kryetarit të Bashkisë që ta bënte publik Projektin që ka miratuar.

Kanë kaluar ditë që atëherë dhe deri tani ASNJERI syresh nuk ka pasur kurajën personale, le më pastaj të gjithë së bashku si Iniciativë, që t’i kthejë përgjigje Lubonjës apo që t’i kërkojë kryebashkiakut që të zbatojë ligjin dhe të bëjë publik projektin. Me thënë të drejtën, disa nga ata kur janë pyetur nga mediat. kanë folur me fjalë të përgjithshme pro zhvillimit, pro zgjerimit të rrugës e të tjera fjalë kësodore, pra kanë mbështetur një projekt të cilin nuk e kanë parë. Le të ketë kurajën qoftë edhe njëri prej tyre të dalë e të thotë se e ka parë projektin e miratuar. Të gjithë ata janë njerëz të shkencës e të letrave, njerëz që dinë shumë mirë të bëjnë dallimin midis propozimeve e ideve nga njëra anë dhe dokumenteve ligjore nga ana tjetër. Edhe Lubonja në shkrimin e tij, edhe unë sot, nuk po u kërkojmë që të shprehen për projektin, kjo është një fazë e dytë, ne po ju lutemi që t’i kërkojnë Kryetarit të Bashkisë t’u përgjigjet dy pyetjeve SHUMË të thjeshta:

1. A ka leje ndërtimi për atë që po ndodh në territorin e Parkut të Tiranë, dhe

2. A mund ta publikojë këtë leje ndërtimi Kryetari i Bashkisë.

Kaq dhe vetëm kaq. Nëpër bisedat e bëra ngado, dëgjoj të jepen shembuj nga bota ku shoqëria civile, grupe ambientaliste, apo qytetarë militantë, kanë rezistuar apo kanë protestuar kundër lloj-lloj projektesh për ndërtime rrugësh apo aeroportesh, për prerje qoftë edhe një peme të vetme, për ndërtime fabrikash, e gjithfarë gjërash të tjera. Ne nuk jemi në këtë fazë. Ne nuk jemi as kundër projektit e as kundër zhvillimit. Askush nga qytetarët e Tiranës deri tani nuk është shprehur për këto çështje, sepse ne nuk kemi ende një projekt në dorë për ta kundërshtuar apo edhe për ta mbështetur po qe nevoja, sepse bën vaki që edhe të na pëlqejë projekti. Ne thjesht po kërkojmë që projekti i miratuar të bëhet publik. E shihni se sa pak po kërkojmë? Dhe për kaq pak (që për më tepër nuk është tekë njerëzish të ngeshëm, por detyrim ligjor i Bashkisë), besoj se asnjë prej intelektualëve të Iniciativës të jetë kundër. Mirëpo prapë, edhe kaq pak, asnjë prej tyre nuk ka guxuar t’ia kërkojë Kryetarit të Bashkisë.

Të gjithë këta jetojnë në Tiranë, më të shumtët edhe janë lindur në këtë qytet, kanë marrë pjesë në aksionet e dikurshme për mbjelljen dhe sistemimin e atij Parku, i kanë parë të rriten e të shumohen ato pemë, kanë lodruar e janë bërë burra nën hijen e tyre, kanë dashuruar e kanë bërë fotografi me shokët e klasës poshtë tyre, janë trembur e janë mërzitur kur kanë parë t’i zvogëlohet sipërfaqja gjithë këto vite, janë gëzuar kur kanë parë që në një farë mënyre Parku po stabilizohej vitet e fundit, dalin me nipërit e mbesat rruginave të tij, tani që po plaken bëjnë edhe vrap mëngjeseve në zemër të tij. Ndërsa tani e shohin që të pritet pa mëshirë ditën për diell, shohin që djem e vajza të reja po protestojnë për këtë punë dhe megjithatë nuk hapin gojën, jo për t’i thënë Bashkisë ndal, por as për ta shqetësuar paksa duke i kërkuar nëse e ka miratuar gjëkundi këtë që po bën. Këta janë intelektualët e Iniciativës për Tiranën. Gati asnjë prej tyre nuk punon në Bashki, që të justifikohej me bukën e gojës. Pjesa më e madhe madje është edhe në profesione të pavarura, madje ka midis tyre edhe pasunarë. E prapë as një gjysmë leku kurajë nuk e gjejnë dot në thellësi të shpirtit, jo për t’i kërkuar llogari Kryetarit, por për t’i kërkuar të zbatojë ligjin.

Po mirë se këtë pak kurajë që fola nuk e kanë, por as kurajën sa për t’i thënë Henri Çilit “të lutem na i hiq emrin nga lista, se nuk jemi për këtë punë”, as kaq kurajë nuk e gjetkan?! Nuk e vë në diskutim se midis tyre ka edhe gra e burra të nderuar, që ndoshta dhanë një lek të hyjnë në valle e tani japin njëqind e s’dalin dot, por s’ke ç’i bën, emri i mirë nuk është vetëm përfitim, por edhe barrë që do mbajtur; dhe është nga ato barra që i mban me nder një jetë të tërë dhe pastaj i humbet për një ditë që nuk ja del të jesh atje ku duhet.

Jo më shumë se një muaj më parë, lista me emrat dhe fotografitë e tyre, u shfaq publikisht në mitingun e Bashkisë për planin rregullues (vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që planet rregulluese miratohen me miting). Kjo afera e Planit rregullues është dava më vete që, kur të shpërthejë do qelbë dynjanë, por s’është vendi të merrem me të këtu. E përmenda që, meqë atje u shfaqën me emra dhe fotografi, nuk besoj se do t’u vijë keq që t’ua listojë të paktën emrat në fund të këtij shkrimi.

 

Iniciativa për Tiranën:

ADRIAN CIVICI

ALEKS LUARASI

ALI OSEKU

ALUSH SHIMA

AMIK KASORUHO

ARTAN LAME

AGIM NESHO

BESNIK ALIA

BUJAR KAPEXHIU

DHORI KULE

EDMOND LEKA

ELSA BALLAURI

GAZMEND HAXHIA

GRIDA DUMA

KUJTIM ÇASHKU

NEVILA NIKA

JERA KRUJA

JORGAQ KACANI

HALIM KOSOVA

HENRI ÇILI

ROMEO HANXHARI

SOKOL NAKO

SOTIRAQ HRONI

ZEF PREÇI

ZHANI CIKO

 

p.s. Kërkoj ndjesë edhe publikisht nëse kam harruar ndonjë emër, nëse kam shtuar ndonjë emër gabimisht, apo nëse ndonjëri prej intelektualëve të mësipërm i ka kërkuar Kryebashkiakut të Tiranës projektin dhe mua më ka shpëtuar ky fakt.

 

Autor te 29 Qershor 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • jurgeni

    ka pasur me te vertete te drejte edi rama kur e refuzonte vazhdimisht pjesmarrjen ne ate mbledhje . kjo nuk eshte iniciativa per tiranen , por iniciativa per te bere lulin kryetar bashkie .

    • bobi

      Edhe Sokol Nako paska qene aty? I vetmi nder ta qe kisha njefare simpatie.

  • Saimir

    Lame na kenaqe me shkrimet e tua vertet. Je i madh fare. Mua me vjen vertet keq dhe bashkohem teresisht me ty sesi keta “intelektule te medhenj” nuk shqetesohen ne asnje rast per ligjin sesi zbatohet apo jo por flasin kot ne ajer. Te njejten gje beri i zgjuari fshatar (ne mendesi dhe jo ne origjine) shoku Henri Cili ne emisionin Shqip me ty. Ai fliste kot per zhvillimin por ne ato qe thoshte dilte qe ne emer te “zhvillimit” ti mud te prishesh gjithcka dhe nuk ka rendesi ligji por si e mendon ti te besh nje gje. Njesoj mendesia e viteve 9 kur u shkaterruan plotesisht te gjitha gjerat qe kishte Shqiperia. Nuk po ndalem ketu me turpin e atij Kasmit qe nuk di cfare epiteti ti vendos. Njeri pa vizion qe nuk dinte te fliste dhe nuk kishte idene se cfare duhej te thoshte. Kishte mesuar permendesh pjesen dhe kam pershtypjen se nuk e recitoi te teren. Ne nje moment qe doli nga pjesa leshoi mufken e pishave te llojit flamur hahahahahaha.
    Lame vazhdo keshtu se e ke tamam. Shpresoj te te mbeshtese ty dhe grupimin qytetar ku ti ben pjese edhe qytetar te tjere. Une ketej nga jam te mbeshtes plotesisht.

  • astrit

    Ata kane fshire gjithmone bythen e tyre maloke, gjenetikisht te pa lare,me llojin tuaj(vecanrisht me Ramen dhe sancot e tij), qe shume, shume dini apo beni sikur ankoheni ne leter,pasi kur eshte puna, per te nxjerre gjoksin e protestes,ju dhe ta mendoni semureni.Dhe vec kesaj ti i nervozuar dhe i fyer ne kulm, i predikon lulit te bashkise se vjedhur :Beni si them une ,por mos beni si bej une: A i ke kthyer,ndonje komentuesi te shkrimeve te tua,ndonje pergjigje,ne forme polemike, ndonjehere?Jam i sigurte qe jo,kjo ju ben dhe karagjoza te ndjere duke e vetquajtur vehten “elite“(bir Selua i nenes,…), si ne kohen e babaqemos. Ah,jeni ju or ti, pa defrejne, saliu,meta, luli dhe capaculi,ne kete vend fare te dhjere, nga ju ne rradhe te pare dhe me pas nga ne te tere..

  • http://www.facebook.com/rofer.architecture Rofer Architecture

    I dashur z. Lame uroj dhe shpresoj ne rezultat te levizjes civile ne rastin konkret si dhe ne te gjitha rastet kur shoqeria ndjen nevojen e veprimit te saj.

    Kam frike se sa me i madh mundi juaj, aq me e dhimbshme do te jete edhe terheqja qe ju do te beni pasi te lodheni dhe zhgenjimi juaj. Perballe keni kaloresit e Antikrishtit, qe nuk lodhen kurre ne aksionet e paligjeshme dhe per me shume edhe te pallogjikeshme.

    Jam i sigurte se edhe pjesa e shoqerise civile qe aktivizohet kunder aksioneve te paligjshme te bashkise apo qeverise, nuk eshte ne lartesine e duhur te aksionit te tyre apropriat. Kam parasysh ketu shoqata te ndryshme dhe po marr si shembull konkretisht shoqaten e arkitekteve te Shqiperise. Drejtohet nga Shkreli ne disa vite, pas shkelqimit te performances se saj nen drejtimin e z.Jano. Por cfare aktiviteti kryen dhe sa gravitet ka arritur te krijoje? Nul! Pse ndodh kjo? Sepse sado civil z. Shkreli, prape se prape ne mentalitetin tone ne i duam rezultatet me shkop magjik. Sa here eshte mbledhur shoqata ne fjale per diskutime te karakterit teknik, per probleme qe hasen cdo dite ne aktivitetin ndertimor? Sa simpoziume apo kongrese jane organizuar per problemet e ark/urb? Sa cmime inkurajuese jepen nga kjo shoqate? Si inkurajohet sektori projektues dhe ai ndertues qe te permiresoje performancen teknikisht dhe shkencerisht?
    Sikur Shkreli ta mblidhte muaj per muaj shoqaten ne seminare per probleme teknike, promovime etj, sot do te kishim panorame tjeter. Nese ne ato seminare, workshope apo kongrese do te diskutoheshin ceshtje parimore qe behen te prekshme ne jeten tone ne qytet apo fshat, sic eshte problemi i uljes se kostos se ndertimit dhe shfrytezimit te banesave si rezultat i projekteve me shkencore, perdorimin e energjise diellore, termo/zhurme izolimet, shtepite pasive, hapesirat urbane etj, atehere shoqata sot do te ishte kthyer ne nje institucion me peshe dhe prania e saj do te ishte efektive. Sikur keshtu te vepronin edhe pjeset e tjera te shoqerise civile, atehere bashkia nuk do te hidhte dot vickla per problemin ne fjale.
    Fatkeqesi te shikosh sa primitiv eshte aksioni i shoq.civile dhe cfare rezultati qesharak ka. Mjafton Ristani apo Saliu i vetem per ta zmbrapsur ate. Kjo dhemb!

    Secili prej nesh punen duhet ta kryeje dite per dite ne menyre sistematike. Po ashtu detyrimet morale ndaj shoqerise dhe vendit. Ne rradhe te pare ne tavolinat tona te punes, ne zyra. Sepse ne kete detyrim e kryejme si mos me keq, prandaj edhe ndeshemi me kete realitet qe shkon cdo dite e me per keq.

    Se fundmi dua tju siguroj se nuk kam asgje personale me Shkrelin, por e zura si shembull pasi vegjeton ne te njejten sfere si une. Sfere e cila personifikon zhvillimin tone, si ecje kuturu pijanecesh te pa pergjegjshem, ne pritje te daljes se pijes. Por dicka duhet tja kujtoj Shkrelit ne menyre qe veprimi i tij te jete akoma me civil, dhe te tjereve qe ndoshta nuk e dine apo e kane harruar. A nuk do te ishte me mire per parkun tone kombetar qe, hapesira ku dikur u ndertua me leje provizore “1000 Selvite”, ti kthehej perseri parkut per tu mbjelle me peme, sesa te ndertohej mbi te nje goxille tjeter betoni?
    Do te ishte mire qe aksioni per te moralshmen dhe racionalen te behet njesoj cdo dite dhe pavaresisht protagonisteve.
    Respekte!