Udhëheqësit ranë dakord të përdorin fondet e emergjencës për të rikapitalizuar bankat e kontinentit.
Në një takim që vijoi përgjatë të gjithë natës dhe nën presion të fortë nga vendet e rrezikuara të Eurozonës si Italia dhe Spanja, udhëheqësit e Europës ranë dakord sot në mëngjes të përdorin fondet e emergjencës për të rikapitalizuar bankat që gjenden në prag falimenti, bëri të ditur Presidenti i Këshillit të Europës Herman Van Rompuy.
Vendimi nga udhëheqësit e 17 vendeve anëtare të Eurozonës mundëson shpëtimin e bankave pa financuar drejtpërsëdrejti borxhet sovrane të vendeve në vështirësi. Nën frikën se Spanja e Italia do të duhet të shpenzojnë miliarda euro për të shpëtuar nga falimenti bankat e veta më të rëndësishme, tregjet financiare kanë kërkuar interesa gjithnjë e më të larta për borxhet sovrane të këtyre vendeve.
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy dhe ai italian Mario Monti patën kërcënuar se do të bllokojnë disa projekte të rëndësishme evropiane në rast se nuk gjendej një zgjidhje për shpëtimin e bankave spanjolle nga falimenti. Spanja ka nevojë për 100 miliardë euro për të rikapitalizuar bankat e veta, të cilat janë dëmtuar ndjeshëm nga rënia e çmimit të pronave që qenë vendosur si kolateral gjatë dekadës së fundit.
Në rast se interesat e bondeve sovrane të Italisë dhe Spanjës nuk ulen, këto vende do të falimentojnë dhe euro do të gjendet në një krizë ekzistenciale.
Marrëveshja e arritur sot parashikon që Banka Qëndrore Europiane të krijojë një degë për mbikëqyrjen e bankave në kontinent. Deri më sot, BQE ka patur funksionin e prodhimit të euros dhe ushtrimit të politikës monetare, ndërsa mbikëqyrja e bankave u qe lënë bankave qendrore të vendeve anëtare.
Ndërkohë, Van Rompuy tha se eurozona do të ndjekë një politikë më fleksibël në përdorimin e fondeve të shpëtimit në ndihmë të vendeve “që sillen mirë” dher kjo gjë sipas tij “do të sigurojë tregjet dhe do të ulë koston e bondeve sovrane.”
Monti, i cili ka eksperiencë të rëndëishme në arenën e politikës evropiane, e përshëndeti marrëveshjen si “shumë të rëndësishme për të ardhmen e BE-së dhe eurozonës.”
29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)