SOKOL HAZIZAJ
Në artikujt 25, 26, 27 të Kapitullit të Parë në Statutin Themeltar të Mbretërisë së Zogut citohej se “në kohën e sesionit, deputetët nuk mund të gjenden të burgosur për borxh, edhe në qofshin me hapjen e sesionit lirohen menjëherë. Deputetët për sa kohë vazhdon periudha parlamentare nuk mund të ndiqen ose të arrestohen për çështje penale (komunale ose politike) pa lejen e Parlamentit, veçse kur kapen në ngjarje të dukshme: në këtë rast, autoritetet gjyqësore janë të detyruara të lajmërojnë Parlamentin brenda 24 orëve nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. Vendimet penale që jepen kundër një deputeti, nuk zbatohen derisa vazhdon sesioni parlamentar, kjo kohë nuk llogaritet në parashkrim.
Në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet se. “Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Në tryezat e Kuvendit të Shqipërisë qëndron ende pendul diskutimi kahershëm i heqjes së imuniteteve, diskutim i cili për nga formati ligjor teknikisht mund dhe të realizohet në dy mënyra, të cilat janë me ligj të veçantë ose me ndryshime kushtetuese.
Përballë këtij diskutimi formalo-ligjor këtë javë opinioni publik u njoh me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për dënimin e një prej deputetëve të opozitës për një nga figurat e parashikuara nga Kodi Penal.
Problemi për të cilin u shtyva të identifikoj këtë opinion, është abuzitivizmi ligjor dhe moral që ndeshet jo vetëm në rrugët e vendit tim, por dhe atje ku pretendohet se çoç bëhet dhe shkruhet.
Ajo që konstatohet lehtë sot është se konflikti politik tashmë, jo si përherë distancohet nga foltorja e Parlamentit drejt palëve apo pushteteve të tjera, drejt gjykatës, ose kur duhet më shumë orienton dhe vë në lëvizje gjithë sistemin gjyqësor në tërësi.
Parë me vëmendje vihet re se e drejta kushtetuese apo statutore si e mbretërisë shqiptare dhe Kushtetuta e vitit 1998 garanton në kohë dhe hapësirë lirinë e pushteteve, dhe nëse sheh me kujdes çështjen e imunitetit të deputetit konstatohet se thuajse të dyja janë njësoj në terminologji dhe në garantimin e të drejtës për të imunizuar pushtetin. Por çfarë është ndryshe në kohët tona moderne, kur vetë pushtetet penalizohen në mënyrë të vazhdueshme? Përgjigjja vjen vetiu, varfëria e të zgjedhurit prej tyre të veprimeve apo akteve që nuk krijon mundësi lumturie për të tjerët, pra as për veten. Xheremi Bentham (Filozof shek. 18) në mënyrë shumë simbolike ka pranuar se “Nga të gjitha veprimet e mundshme që të paraqiten, zgjidh dhe bëj atë veprim që ka më tepër prirje se gjithë të tjerët për të arritur bilancin maksimal të lumturisë ndaj mjerimit për tërë njerëzimin”.
Nëse politika apo pushteti ynë si pozitar dhe opozitar, pra në të dy anët e medaljes së saj do të impenjohej sado pak ndaj fabulës filozofike të sipërpërmendur, them me bindje se as sot as kurrë nuk do të diskutohej për imunitetet dhe heqjen e tyre, sepse nuk mund të flitej për privilegj-imunitetin. Megjithatë, çka shihet në vazhdimësi ndonëse konstatohet një përputhje opinioni politik midis të kundërtave të tyre për heqjen e imunitetit, gjasat tregojnë se ky proces nuk do të ndodhë. Nuk do të ndodhë jo për shkak të ndonjërës prej palëve, por për shkak të dëshirës së të dyjave. Ngjarjet ose rregullohen ose vijnë në mënyrë të tillë që duken si të sajuara kundër këtij procesi kriter të integrimit në Bashkimin Europian. Duke mos dashur të hyjë në thelbin e vendimit të Gjykatës së Tiranës në dënimin e deputetit Tahiri, unë shoh se kjo gjykatë u fut pa dashje në grackën e politikës, iu nënshtrua presionit të saj, dashur pas dashur u bë pjesë e saj. Falë pozicionit të mirë, por të rastësishëm të organit të prokurorisë, si dhe për faktin se qëndrimi kushtetues ndaj imunitetit të deputetit në lidhje me veprimtarinë e këtij organi në hetim, kërkohet autorizimi i Kuvendit të Shqipërisë, dashur pa dashur organi i hetimit është bërë “barrierë” e fortë duke mos u përzier në identifikimin dhe provimin e fajësisë së parlamentarëve në kryerjen e veprave penale si korrupsioni etj. Nuk është e rastësishme që të gjitha hetimet dhe proceset hetimore me bujë mediatike këto vitet e fundit kanë dështuar, kanë dështuar edhe për dy arsye fare të thjeshta, nga njëra anë organi i hetimit për nga mënyra se si është ngritur dhe si funksionon, të paktën sa i përket buxhetit financiar, është në pozita skandaloze, dhe nga ana tjetër falë strukturës më të madhe të saj me varësi të dyfishtë (ekzekutiv+prokurori=Polici gjyqësore) ka treguar dhe tregon që është ineficente. Në këto kushte, nisur nga fakti kur të gjitha anët vuajnë nga simbioza e ndyrë morale “larg b… time”, e vetmja mënyrë ngelet që nga njëra anë të konsumohet fyerja dhe nga ana tjetër të përdoret gjykata në mbrojtje të dinjitetit të fyer. Në të vërtetë, të dyja palët politike nuk e kanë konfliktin me njëra-tjetrën, në të kundërt e kanë për të ndihmuar njëra-tjetrën. Sot viktima e radhës është deputeti Tahiri, dje ka qenë një ish-opozitar, nesër do të jetë një tjetër si Tahiri, opozitar që do të shaj dhe fyej Kryeministrin e ardhshëm, po pastaj! Qëllimi u arrit, imuniteti na shërben të gjithëve. Për këtë arsye dhe për të tjera që do t’i rendis më poshtë rinënvizoj se Gjykata e Tiranës nuk dënoi, por u përdor me shumë efektivitet në favor të politikës, veçanërisht kur bëhet fjalë për sulm apo mbrojtje të opozitës.
Përfytyrimi i një situate ndryshe nga kjo e sotmja ku imuniteti krijon dhe mundëson çdo favor dhe privilegj nga dhe mbi çdo qytetar të këtij vendi, pra në kushtet e mungesës së tij, tabloja politike dhe juridike do të ishte shumë ndryshe. Do të ishte aq ndryshe saqë asnjë nga ligjbërësit tanë të nderuar nuk do të merrte guximin të votonte ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008, sepse së paku secili prej tyre do të kishte mundësin kohore të përfytyronte veten nën autoritetin e monarkisë së kryetarit të partisë, i cili është kthyer si demka njëherë e një kohë, vetë shkruan dhe vetë vulos. Në mungesën e imunitetit parlamentar, asnjë prej kryetarëve shumëpartiakë të sotëm nuk do të guxonte të zgjidhte, të ndryshonte, apo aspironte për të këmbyer vendin e punës në doganë, energjetikë, burgje etj., me postin e kryetarit të partisë. Sepse ekziston imuniteti pa ekzistojnë dhe aspiratat për t’u fshehur pas tij. Prandaj, kjo është arsyeja ligjore dhe historike që me gjithë ndryshimin e kohës në vite, e drejta ligjore e Mbretërisë është ende më novatore sesa imuniteti i garantuar nga Kushtetuta e sotme, sepse pohonte të paktën që imuniteti nuk e mbronte pushtetin nga efekti i parashkrimit të dënimit.
Gjykata e Tiranës nuk e di, dhe nuk ka se si ta dijë që vendimi i saj nuk ka për t’u zbatuar kurrë, dhe nuk ka se si të zbatohet, jo për faktin se nuk mund të zbatohet, por ata kanë gjetur rrugën e duhur dhe të mundshme ndoshta për shkak të paaftësisë politike apo “fajin” e gjykatës të heroizohen nëpërmjet saj, ata kanë vendosur që në fundin e tyre të mund të marrin dëftesën e pjekurisë së pastërtisë. Nuk është fare e rastësishme që megjithëse janë në Parlament, arsye e cila e përjashton mundësinë e ndjekjes penale për shkak të imunitetit, që nënkupton mbrojtjen e fjalës së lirë nga arbitraritetit i pushtetit, vetë pushteti i drejtohet gjykatës për të mbrojtur veten, po nga kush? nga qytetari?, kur këtij të fundit sa vjen dhe po i venitet dëshira për të pasur pushtet. Kur vetë pushteti ka zgjedhur rrugën që t’i drejtohet gjykatës për të mbrojtur veten, ndonëse i mbrojtur prej imunitetit, kur pushteti ndaj shtetasit të vet nuk mban asnjë përgjegjësi për jetën, shëndetin, sigurinë etj., çfarë mund të kërkojë dhe marrë qytetari i fundit i këtij vendi prej tij. Në këtë kuptim, vendimi i gjykatës nga njëra anë është grackë, por nga ana tjetër është mbrojtje e gjykatës nga arbitrariteti i mëpastajmë. Zgjidhja gjyqësore e fajësisë është një nga rrugët për të maksimalizuar përkohshmërisht qetësinë e pushtetit gjyqësor nga dhuna verbale e pushtetit të sotëm, por për të ardhmen ajo minimizon të gjitha mundësitë e pushtetit gjyqësor për të qenë i pavarur.
Happy End. I njëjti autor citon se “Kur pasiguria dhe ankthi dalin jashtë nga etika, përbën një shkak që e meriton plotësisht të gëzohesh”. Vështruar nga anë tjetër e medaljes së arsyetimit të përdorur deri tani, konstatoj se përpos mungesës së dëshirës për të larguar imunitetin parlamentar dhe më tej, vjen aspirata për të kundërshtuar me lirinë tënde ata që janë pushtetarët e tu, ata të cilët nuk mund të jetojnë pa privilegjin e imunitetit, ata të cilët veshur nga toga e zezë e drejtësisë vetëm drejtësi nuk japin. Zgjedhja e rrugës së lirisë, do të mundësojë që pushteti i kujtdo lloji qoftë ai, gjyqësor, administrativ, hetimor më në fund të kuptojë se nuk ka zgjedhur rrugën më të mirë në favor të maksimalizimit të lumturisë së qytetarëve të këtij vendi.