Karli i Madh, The Economist
Fitore në futboll, vetëdështim në samit?
Samiti Europian në Bruksel këtë javë – i fundit në një listë samitesh emergjence – pritej të zhvillohej si një ndeshje përplasjeje me Merkelin, siç e cilësuan shumë zyrtarë.
Në samitin G20 në Meksikë, dhe më pas, në samitin e Romës, Merkelit iu desh të përballej e vetme me presionin për të rënë dakord për ndonjë lloj bashkimi borxhesh për eurozonën – përshembull përmes emetimit të eurobondeve të përbashkëta ose garancive të përbashkëta për depozitat bankare në kontinent.
Ndeshja e futbollit mes Italisë dhe Gjermanisë për kampionatin Euro 2012 u zhvillua në të njëjtën kohë me samitin dhe u bë si një farë fushëbeteje indirekte (aq sa sulmuesi i Italisë Mario Balotelli u riemërua “Bailoutelli”). Britmat nëpër sallat e gazetarëve në Bruksel në mbështetje të skuadrës Italiane tregonin se, sëpaku mes gazetarëve, shumica e Europianëve mbështesin jugun.
Megjithatë, euforia për fitoren e Italisë nuk zgjati shumë. Sapo italianët po luanin minutat e fundit, mbërriti lajmi për një lojë shumë më të rrezikshme që po luhej nga skuadra e Mario Montit në samit. Delegacioni italian, me mbështetjen e atij spanjoll, deklaroi se do të bllokojë të gjithë marrëveshjen deri sa Gjermania të lejojë përdorimin e fondeve evropiane të shpëtimit për të ulur koston e borxheve të vendeve të jugut.
Sipas tyre, nuk kishte kuptim të flitej për një pakt të ri për rritjen ekonomike dhe për integrimin e mëtejshëm të eurozonës për sa kohë nuk reduktohet presioni aktual i tregjeve mbi vendet në vështirësi. Disa ditë më parë, Monti i pati thënë The Economist se samiti duhet të arrijë një marrëveshje para se tregjet të hapen të hënën. Profesori i edukuar tregoi disi ashpërsi. Por kjo lëvizje solli gjithashtu dobësim të frontit kundër Merkelit.
Presodemti i Francës François Hollande, dukej se nuk qe kënaqur kur mësoi se aleatët e vet patën vendosur të mbanin peng paktin për zhvillim (një paketë ndihmash ekonomike me vlerë 120 miliardë euro), për të cilën ai pati luftuar ashpër.
Për më tepër, bllokimi i këtij pakti qe vetëshkatërrues, për shkak se këto para duhet të ndihmojnë para së gjithash ekonomitë e dobëta të Europës së jugut.
Hollande dha një konferencë për shtyp të orëve të vona, në të cilën dukej se u distancua nga metodat e Monit, ndërsa mbështeti parimin se vendet e virtytshme nuk ka pse të paguajnë interesa tepër të larta për para borxh. Pakti Europian është një çështje e BE-së me 27 anëtarë ndërsa masat për të garantuar stabilitet financiar duhet të diskutohen mes 17 vendeve anëtare të eurozonës.
Gjermania dhe vendet e tjera të linjës së ashpër u ndjenë të gudulisur. Ata thanë se fondet e shpëtimit qenë të disponueshme (megjithëse të gjithë e pranojnë se kapaciteti i tyre është tepër i vogël për të qenë i besueshëm), dhe mjafton që Italia në kërkojë ndihmë. Zyrtarët italianë bënë të qartë se nuk dëshirojnë të shfaqen duke lypur dhe nuk dëshirojnë që ndihma të jetë kushtëzuar nga kriteret e imponuara nga “trojka” – përfaqësuesit e FMN-së, Komisionit Europian dhe Bankës Qëndrore Europiane. Italia dhe Spanja thonë se po i reformojnë qeveritë e veta dhe se po shkurtonin deficitet buxhetore dhe rrjedhimisht nuk duhet të trajtohen si Greqia, Irlanda apo Portugalia. Por për veriorët, kjo ngjan si një lojë ku synohet të fitohen fonde shpëtimi të pashoqëruara me kushte.
Kështu, pas mesnatës, udhëheqësit e dhjetë vendeve të BE-së që nuk janë anëtare të Euros, u larguan nga samiti për të shkuar në krevat dhe lanë 17 të tjerët për një samit të orëve të vona. Në fund, një kompromis u arrit, por duket se kompromisi nuk i dha Italisë atë që pretendonte. Dhe për Montin rreziku është që tregjet do ta kuptojnë si shenjë paniku manovrën e tij të dëshpëruar diplomatike.
