Marihuana qe pothuajse gati për vjelje, por u zbulua nga policia

Kanabisi i sekuestruar duke u djegur (Foto ilustruese)

Katër parcela me gati 500 rrënjë zbulohen në fshatin Lapardha të Vlorës.

Policia e Vlorës njoftoi sot se ka zbuluar dhe asgjësuar katër parcela me afërsisht 500 rrënjë kanabis sativa në total, pasi mori informacion përmes rrjetit të vet të bashkëpunëtorëve.

“Nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë Vlorë në kuadër të masave të Planit-Operacional për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike ditën e djeshme mbas informacioneve kriminale të marra në rrugë operative është ushtruar kontroll në fshatin Lapardha, ku janë konstatuar disa parcela ku ishin mbjellë lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit “Cannabis sativa”, njoftoi policia.

Bimët kishin lartësi 60 deri në 120 centimetra dhe qenë vetëm pak muaj nga koha e vjeljes. Bima narkotike mund të arrijë lartësi deri në dy metra dhe zakonisht vilet vonë në gusht ose në shtator. Çdo rrënjë mund të prodhojë një deri në dy kilogramë kanabis të thatë dhe në rast se shitet me shumicë, çdo kilogram kushton nga 250 në 500 euro.

“Në lidhje me këtë rast nga shërbimet e policisë u krye dokumentimi i plotë ligjor dhe nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor i dyshuar  mbjelljes së bimëve narkotike është shtetasi me iniciale Ç. N., i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal,” thotë policia.

29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 29 Qershor 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry