Surpriza e madhe
SuperBaloteli e bën një Itali të madhe, eliminon “djemtë e tmerrshëm të Lëvit, që nuk kompletojnë dot hakmarrjen. Sukses i ndërtuar nga një pjesë e parë e jashtëzakonshme. Tani të dielën do të luftojnë për titullin ndaj Spanjës.
Në “National Stadium” të Varshavës mbrëmë ka zbritur një pjesë e vyer e historisë së futbollit botëror, dy gjigantët e Kontinentit të Vjetër, Gjermania dhe Italia, për t’u përballur me njëra-tjetrën në gjysmëfinalen e dytë të Euro 2012. Probleme për formacionin e trajnerit Çezare Prandeli. Abate nuk mund të rikuperohej, ndërsa i gatshëm për të zbritur në fushë ishte Kielini. Mbrojtësi i Juventusit luante në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa në të djathtë Balzareti. Po ashtu ishin rikuperuar Kasano e De Rosi, të dy ishin në dyshim në këtë pragndeshje. Ndërkohë, në anën tjetër, zgjedhje surprizë kishte bërë Joakim Lëv: trajneri i Gjermanisë kishte lënë jashtë Mylerin dhe kishte hedhur në fushë Toni Kros në krahun e mesfushës. Ky i fundit duhet të shqetësonte Pirlon, por edhe të gjuante portën, pasi luante pas shpatullave të Gomez, që ishte preferuar përpara Miroslav Kloses në sulm. Në fushë edhe Podolski, ndërsa ishte lënë jashtë Shyrrle. Në fushë është parë një Itali cinike dhe konkrete, që e ka mbyllur pjesën e parë në Varshavë në avantazhin 2-0: ai që ka fiksuar këtë rezultat në sfidën më të shumëpritur kundër Gjermanisë është një Mario Baloteli i mrekullueshëm.
Në minutat e para, duke se të dy skuadrat po studiojnë njëra-tjetrën, me Italinë që ushtron presing lart, por drithërimat e para i shkaktojnë gjermanët, të cilët janë më agresivë. 15 minutat e para flasin vetëm për skuadrën e Lëvit. Një gjuajtje e Humles pas një aksioni, por Bufon ka arritur të shpëtojë portën në çastet e fundit. Në minutën e 17-të vjen gjuajtja e parë në portë e të kaltërve, me të djathtën e Moltolivos nga hyrja e zonës, por që bllokohet nga Nojer. Në të 20-ën vjen edhe kthesa e madhe me golin që zhbllokon ndeshjen: një triblim me efekt special ai i Kasanos, kros me të majtën për Balotelin, i cili me kokë e kap në kundërkohë Nojerin dhe topi përfundon në rrjetë. Italia është në delir. Dhe këtë herë SuperMario nuk e përmbajti dot gëzimin e shumëpritur nga italianët. Në minutën e 35-të një silur i Khedirës nga distancë e largët detyron Bufonin të kryejë një hedhje plastike në shtyllën më të largët. Një minutë më pas vjen edhe goli i dytë italian, autor është sërish Baloteli, i cili shërbehet nga një kros i gjatë i Montolivos, shfaqet vetëm për vetëm me Nojerin dhe me një të djathtë potente nga hyrja e zonës e çon topin në kryqëzimin e shtyllës me traversën. Gjermania është e shokuar. Në pjesën e dytë Lëv largon Podolskin dhe Gomezin (të dy në hije në pjesën e parë) dhe hedh në fushë Rojs dhe Klosen. Gjermania e pjesës së dytë insiston shumë në kërkim të golit, por lojtarët e saj janë të pasaktë. Mundësinë e parë të mirë e pati Lahm në minutën e 49-të, pasi një kombinimi me Ëzil, por gjuajtja e tij linte për të dëshiruar. Në të 62-tën, një goditje dënimi e bukur e Rojs pranë zonës, topi është qendror, por ndërhyrja e një Bufoni të jashtëzakonshëm e largon mbi traversë. Skuadra e Lëv shpenzon shumë, qarkullon topin, por është e paqartë dhe nuk arrin të çajë mbrojtjen e të kaltërve, ndërsa numërimi i minutave shkon në disfavor të tyre. Italia me qetësinë e avantazhit 2-0, pret e aplikon kundërsulmin, duke krijuar dy raste me Markizion, që u tregua i paqartë. Ndërsa Di Natale nga një pozicion i favorshëm godet vetëm rrjetën e jashtme në minutën e 82-të. Tentativat e shumta të Gjermanisë kurorëzohen në minutën e parë shtesë me një penallti, të kthyer në golin e 2-1, që shërben thjesht për statistikë, pasi fitorja e Italisë, i jep asaj të drejtën për të luajtur finalen e madhe ndaj Spanjës dhe vulos lamtumirën e hidhur të skuadrës së Lëv, një ndër favoriteve më të mëdha të këtij Europiani. Ky triumf i të kaltërve ndal këtu edhe serinë pozitive prej 15 fitoresh radhazi të “djemve të tmerrshëm” gjermanë.
SuperBaloteli
SuperBaloteli e bën një Itali të madhe, eliminon “djemtë e tmerrshëm të Lëvit, që nuk kompletojnë dot hakmarrjen. Sukses i ndërtuar nga një pejsë e parë e jashtëzakonshme. Tani të dielën do të luftojnë për titullin ndaj Spanjës
Gjermani-Itali 1-2
Gjermania (4-2-3-1)
Manuel Nojer; Zherome Boateng, Mats Humels, Holger Badshtuber, Filip Lahm; Bastian Shvajnshtajger, Sami Khedira; Toni Kroos, Mesut Ëzil, Lukas Podolski (Marko Rojs 46’); Mario Gomez (Miroslav Klose 46’).
Tr: Joakim Lëv
Italia (4-1-3-2)
Xhanluixhi Bufon; Frederiko Balzareti, Andrea Barzalji, Leonardo Bonuçi, Xhorxho Kielini; Andrea Pirlo; Klaudio Markizio, Rikardo Montolivo (Tiago Mota 64’), Daniele De Rosi, Antonio Kasano (Alesandro Diamanti), Mario Baloteli (Antonio Di Natale 70’).
Tr: Çezare Prandeli
Gjyqtar: Stefan Lanoi (Francë)
Shënues: Ëzil 90’+2’ (11-m) / Baloteli 20’, 36’
Kartonë të verdhë: Humels 90’ / Baloteli 37’, Bonuçi 61’, De Rosi 84’, Tiago Mota 85’