Një mëngjes dhe paradite të trazuar ka përjetuar Pika Kufitare e Merdares dhe në Mitrovicën veriore mes Kosovës e Serbisë, ditën e djeshme. Episodet kanë nisur pas grumbullimit të një grupi serbësh të njohur si Delije (simpatizantë futbolli të Cervena Zvezdes), të cilët dhunshëm tentonin të depërtonin në Kosovë, por që janë përballur me kontrollin dhe kërkesën e Policisë së Kosovës për respektimin e rregullit. Ministri i Brendshëm i Kosovës, zoti Bajram Rexhepi, konfirmoi për mediat se autoritetet policore në Mitrovicë dhe Merdare kanë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ato kanë qenë në anën e Serbisë. Ndërkohë që ministri ka saktësuar se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar në pikëkalimin kufitar në Merdare, pasi ata janë gjuajtur me sende të ndryshme nga një grup serbësh, të cilët kishin provuar të hynin në Kosovë pa paralajmëruar.
Burime të “Kosovapress”-it kanë njoftuar se turma ekstremiste të serbëve ka plagosur 24 policë të Republikës së Kosovës, deri sa kanë tentuar që në mënyrë të dhunshme të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Këto burime bëjnë të ditur se të plagosurit janë nga armë zjarri dhe mjete të forta. Mediat serbe njoftojnë se sot në mëngjes, në vendkalimin e Merdarit ka ndodhur një incident ndërmjet forcave të Policisë së Kosovës dhe serbëve që deshën të hyjnë me dhunë në Kosovë për ditën e Vidovdanit. Gjatë ndërhyrjes janë plagosur 13 serbë, të cilët janë dërguar në shtëpinë e shëndetit në Kurshumli, thanë këto media. Nga ana e saj, Policia e Kosovës bën me dije se “dje, rreth orës 05:00, një grup prej afër 70 vetash, i qytetarëve të nacionalitetit serb, pjesëmarrës të marshit të Vidovdanit janë mbledhur në afërsi të urës kryesore. Tre prej tyre kanë kaluar pengesat me gurë në urën kryesore dhe kanë filluar të ofendojnë policët në detyrë, thuhet në njoftimin e policisë.
“Policia, me qëllim të qetësimit të situatës, ka përdorur sprajtin dhe ka larguar këta qytetarë në pjesën veriore të urës dhe nën përcjellje të policisë me dy autobusë, të njëjtit janë përcjellë në Pikën Kufitare në Merdare, përmes së cilës janë larguar nga territori i Kosovës, njofton policia.
Pas kësaj situate, bëhet e ditur se Policia e Kosovës ka mbajtur të mbyllur për disa orë pikën kufitare, ndërkohë që në orët e pasdites është rikthyer komunikimi dhe lëvizja e mjeteve në të dyja anët e kufirit. Sidoqoftë, pas këtyre episodeve forcat e Policisë së Kosovës kanë përforcuar shërbimet e tyre dhe kanë rritur monitorimin e situatës në zonën kufitare me Serbinë. Nga burimet zyrtare në Prishtinë bëhet e ditur se gjatë episodeve të përplasjes së serbëve me policinë, rreth 32 policë u plagosën, nga të cilët 9 patën nevojë të trajtohen në QKUK. Ministri Rexhepi po ashtu tha se nuk janë përdorur armë as nga policia, as nga serbët. Për këto zhvillime Prokuroria e Kosovës ka hapur hetimet për “prishje të rendit dhe qetësisë”.
Ndërkohë bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, mijëra serbë gjatë shënimit të Ditës së Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, kanë brohoritur për kriminelët e luftës që po gjykohen për krime lufte në Hagë, Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mladiqin. Ata njëkohësisht kanë klithur: “Na jepni armë”. Manifestuesit, ndër të cilët ishin edhe Oliver Ivanoviqi, Slobodan Samarxhqi, nënkryetar i DSS të Koshtunicës, kanë lëshuar parulla të ashpra. Ndërsa i ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka kërkuar hetim të shpejtë për incidentin në pikëkalimin kufitar në Merdare.