Protagonisti


Fabregas: E zgjodha vetë penalltinë e fundit


“Duhet të gjuaja penalltinë e dytë, por insistova që unë të gjuaja të pestën. Kisha një parandjenjë se në këtë mënyrë gjithçka do të shkonte më së miri, dhe kështu ndodhi në të vërtetë”. Sesk Fabregas është intervistuar nga televizioni spanjoll “Telecinco”, menjëherë pas lotarisë së penalltive, që i ka dhuruar Spanjës kualifikimin për në finalen e Europianit 2012, që po zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Viktima e tyre ishte pikërisht Portugalia. Fabregas shpjegon përjetimin e tij në prag të finales së madhe. “Jemi shumë krenarë që do të luajmë një tjetër finale, nuk e di nëse dikush tjetër e ka bërë përpara nesh këtë”.


 


Spanjë


Penalltitë, ngjarja më e ndjekur në histori


13 minutat e gjuajtjes së penalltive të gjysmëfinales së Euro 2012 mes Spanjës dhe Portugalisë janë bërë ngjarja televizive më e ndjekur në historinë e Spanjës. Ai moment ka bashkuar para ekranit 18 141 000 spektatorë, pra rreth 83,3%. Sipas të dhënave, ndeshja mes Spanjës dhe Portugalisë, e transmetuar nga “Telecinco”, ka pasur një audiencë prej 14 182 000 spektatorësh. Kohët suplementare e kanë çuar numrin në 16 485 000 spektatorë. Minuta më e ndjekur e ndeshjes ka qenë pikërisht ora 23:26, kur 19 086 000 telespektatorë kanë qenë të sinkronizuar te ndeshja. Tashmë kjo ndeshje vërtet ka hyrë në histori.


 


Finalistja


Iberikët arritën rekordin e Gjermanisë së ’76-s dhe janë një hap larg rekordit



Një tripletë kundër krizës: slogani i trajnerit të Spanjës, Visente del Boske, i cili duke mundur Portugalinë të mërkurën në mbrëmje, e ka çuar “La Roja”-n në finalen e tretë radhazi në kompeticionet ndërkombëtare.


Fitorja e mundshme në Euro 2012, ka shpjeguar trajneri iberik në konferencën për shtyp, “do të ishte një ilaç për vendin”, tashmë të goditur nga një krizë e rëndë ekonomike”.


Antikriza – Të jesh skuadra e parë në historinë e futbollit që koleksionon tripletën historike (Europiani 2008, Botërori 2010 dhe Europiani 2012) “nuk do të jetë vetëm një avantazh për zhvillimin futbollistik spanjoll, por në përgjithësi për të gjithë vendin. Do të ishte si t’u transmetosh bashkëkombësve tanë idenë se po shkojmë në drejtimin e duhur, janë fjalët e teknikut në një konferencë shtypi të improvizuar sapo mbërriti në hotelin ‘Opera’ të Kievit. Nëse do të mundnim vetëm të jepnim një sinjal të këtij tipi, duke fituar Europianin, do të ishte e mrekullueshme”. Por mes ëndrrës antikrizë dhe realitetit të momentit ekziston ende një pengesë për t’u kaluar dhe Del Boske e di mirë që detyra nuk do të jetë e lehtë: “Lojtarët janë të lodhur, ka pranuar ai, duke folur për finalen e madhe të së dielës, edhe sepse kemi ardhur në fundin e një sezoni të lodhshëm dhe plot impenjime, por futbollistët e mi janë ambientuar me këto ritme. Nuk ka vend për shqetësim”.


Tiki-taka – Në çdo rast, në prag të finales së madhe, trajneri ka bërë të ditur se ka ndërmend të zhvillojë stërvitje më pak të ngarkuara. Italia apo Gjermania, cilido të jetë skuadra që spanjollët do të gjejnë përballë të dielën në mbrëmje në Kiev, Del Boske ka konfirmuar se nuk do ta ndryshojë vendosjen e skuadrës së tij në fushë: “Kemi një mënyrë loje të mbështetur te qarkullimi i topit (64% të mërkurën në mbrëmje ndaj Ronaldos) e te loja sulmuese dhe te kjo do të insistojmë”, ka thënë tekniku, që në Euro 2012 ka gjetur edhe një mbrojtje shkëmb, më e mira e turneut që ka pësuar vetëm një gol (atë të Di Natales) në pesë ndeshje. “Është e vërtetë, statistika e thotë këtë dhe jam i kënaqur, ka pohuar ai, por ky është frut i lojës kolektive, me të gjithë skuadrën që mbrohet. Edhe të mërkurën blloku i katër lojtarëve para Kasijasit (Arbeloa, Ramos, Pike e Hordi Alba) ka funksionuar më së miri”. Pikërisht për 23-vjeçarin e krahut të majtë të Valencias (që dje firmosi për 5 vjet me Barcelonën) ka shpenzuar disa fjalë më shumë Del Boske, duke kujtuar se “Hordi posedon të gjitha kualitetet, që një lojtar krahu duhet të ketë. Të mërkurën ishte perfekt në mbulim, në fillim ndaj Nanit më pas ndaj Ronaldos. Jam shumë i kënaqur për paraqitjen e tij dhe mendoj se me atë kemi gjetur një specialist të vërtetë”.


Tripleta – Në finale iberikët do të synojnë të realizojnë “tripletën” historike dhe të bëhen skuadra e parë që arrin të fitojë tre trofe madhorë radhazi. Me këtë nënkuptohet triumfi në Kupën e Botës, në Kampionatin Europian apo edhe në Kupën e Amerikës, që janë tre turnetë më të rëndësishëm të futbollit botëror. Deri më tani, asnjë përfaqësuese nuk ka arritur të realizojë “tripletën” e titujve, të cilën e ëndërron “Furia e Kuqe”, që do të luajë në finalen e Euro 2012, pasi ka triumfuar në Euro 2008 dhe në Botërorin 2010. Pranë këtij objektivi ka qenë Gjermania në vitin 1976: skuadra që në atë kohë njihej si Gjermania Perëndimore humbi europianin e ‘76-s në Jugosllavi, pas disfatës me penallti përballë Çekosllovakisë (me të parën “cucchiaio”-n të famshme në histori të Antonion Panenkas). Finalja u mbyll me shifrat 2-2, por çekët triumfuan 5-3 pas 11-metërshave dhe pikërisht në atë ndeshje u ekzekutua penalltia e famshme e Panenkas. Më parë gjermanët kishin fituar Europianin e ’72-shit në Belgjikë dhe në Botërorin 1974 në shtëpinë e tyre. “Dopietën” e ka realizuar edhe Franca, në Botërorin ’98 dhe Europianin e vitit 2000, ndërsa ata zhgënjyen në Kupën e Botës 2002 në Japoni dhe Korenë e Jugut. Në Amerikë vetëm Brazili ka fituar dy turne madhorë radhazi, ku triumfuan në Kupën e Amerikës 2004, pasi më parë kishin fituar në Botërorin 2002. Për më tepër, nëse triumfon në aktivitetin në Poloni dhe Ukrainë, Spanja do të barazojë Gjermaninë për trofe kontinentalë të fituar. “Furia e Kuqe” ka dy tituj europianë, në vitet 1964 dhe 2008, aq sa ka fituar edhe Franca.


 


Del Boske – “Trofeu nuk do të jetë vetëm një avantazh për zhvillimin futbollistik spanjoll. Do të ishte si t’u transmetosh bashkëkombësve idenë se po shkojmë në drejtimin e duhur”


Stili i lojës – Tekniku iberik: “Kemi një mënyrë loje të mbështetur te qarkullimi i topit (64% të mërkurën në mbrëmje ndaj Ronaldos) e te loja sulmuese dhe te kjo do të insistojmë”


 


Për Hordi Alban


“Hordi posedon të gjitha kualitetet, që një lojtar krahu duhet të ketë, perfekt në mbulimin e Nanit dhe Ronaldos. Mendoj se me atë kemi gjetur një specialist të vërtetë”


 


Rekordi


Deri më tani, asnjë përfaqësuese nuk ka arritur të realizojë “tripletën” e titujve, të cilën e ëndërron “Furia e Kuqe”, që do të luajë në finalen e Euro 2012, pasi ka triumfuar në Euro 2008 dhe në Botërorin 2010. Pranë këtij objektivi ka qenë Gjermania në vitin 1976: skuadra që në atë kohë njihej si Gjermania Perëndimore humbi Europianin e ‘76-s në Jugosllavi, pas disfatës me penallti përballë Çekosllovakisë


 


 


Kualifikimi


Mediat: Dita e krenarisë spanjolle, kemi mësuar të fitojmë duke vuajtur


“Unë këtë skenë e kam parë dikur”: kështu telekronisti i televizionit spanjoll e ka komentuar të mërkurën në mbrëmje vrapin e Sesk drejt pikës së bardhë, si në 2008-n, për të gjuajtur penalltinë decizive. Dhe, si në atë rast kundër Italisë, Fabregas ka vënë firmën e tij për kualifikimin, duke fituar dje faqet e para të të gjitha të përditshmeve iberike, që nuk harrojnë penalltinë e Ramos dhe atë të pritur nga Kasijas. Dhe pikërisht mbrojtësi i Realit përmbledh ndjenjën e fitores: “Duhet të ndihemi krenarë që jemi spanjollë”, ka thënë menjëherë pas ndeshjes. Dhe krenarë janë ndier mijëra tifozë të mbledhur nëpër bare dhe para ekraneve gjigante për të ndjekur sfidën kundër Ronaldos. Akti i fundit i një “ekstaze të gjatë ankthioze”, siç e përkufizon “El Mundo”. Sepse këtë herë “Furitë e Kuqe” kanë fituar duke mësuar të vuajnë: “Futbolli bekon kampionët, që triumfojnë në çdo lloj situate”, shkruan El Pais. Një futboll metaforik për situatën ekonomike, që mediat spanjolle nuk e lënë t’ju ikë. Ashtu sikurse nuk lënë t’ju ikë shfryrja e kundërshtarit të madh të mbrëmjes, CR7, që është marrë në shënjestër nga tifozët iberikë: “Ronaldo tërhiqe! Ronaldo tërhiqe!”, këndonin pasi panë yllin portugez që shpresonte të gjuante penalltinë e pestë, por që nuk e gjuajti, sepse goli i Fabregas e bëri të pavlefshme. Pikërisht numri 10 i “La Roja”-s dhe Kasijas janë “heronjtë tanë”, shkruan në faqe të parë “Marca” dhe të njëjtën gjë bën “Mundo Deportivo”, duke vënë në faqe të parë përqafimin mes të dyve. “Në finale”, shkruan “AS”, ndërsa “Sport” është më provokuese: “Lamtumirë Kristiano!”, është titulli i dukshëm. “Furitë e Kuqe” arrijnë në finalen e tretë radhazi me një “Buskets të mrekullueshëm, një mbrojtje fantastike dhe me një Iniesta të madh”. Dhe në fund një ironi me CR7-n: “Një tjetër finale, që Kristiano do të shikojë në televizion”, komenton “Marça”.