Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe në krye të delegacionit zyrtar, në përbërje të të cilit do të jenë krerë të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe deputetë, është nisur sot për një vizitë dyditore shtetërore në Republikën e Kosovës.


Kreu i Shtetit shqiptar do të pritet fillimisht nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe të dy homologët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, ku pritet që temat e bisedimeve plenare të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore, rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm në fusha me interes të ndërsjellë, shtimin e numrit të vendeve që do të njohin Kosovën si dhe për perspektivën euro-atlantike të dy vendeve tona e të mbarë rajonit.


Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidenti Topi do të zhvillojë takime me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht kreun e Aleancës ‘Kosova e Re’, Behgjet Pacolli dhe me të tjera personalitete të larta shtetërore. Gjet kësaj vizite,  Presidenti Topi do të mbajtjë një fjalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.


Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Topi do të udhëtojë drejt Kompleksit Memorial në Prekaz, ku do të bëjë homazhe për nder të komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës në Glogian, si dhe do të zhvillojë një vizitë në qytetin e Gjakovës.


29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)