Ekzekutimi mafioz


Dy fierakë mendohet se organizuan vrasjen, ndërsa dy vëllezër po arratiseshin me makinë


Bledi Gilaj


Bledar Balliu


Katër persona janë shoqëruar për vrasjen e fierakut të dënuar për trafik droge, Bledar Balliu, i cili njëkohësisht dyshohej edhe për vrasjen e Aleksandër Koliçit, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk pranon të ketë lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Dy prej tyre, vëllezër, janë kapur si të dyshuar, pasi i janë arratisur policisë me një mjet pa targa, ndërkohë që dy të tjerët janë shoqëruar në Fier, pasi dyshohen si persona që kanë organizuar vrasjen. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur dy net më parë në Tiranë, kur Bledar Balliu, 33 vjeç, i cili tashmë kishte ndryshuar emrin dhe njihej si Arif Shehu, u ekzekutua me shtatë plumba, teksa po kthehej në banesën e tij, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Ndërkaq, dëshmitarët shprehen se autori i ngjarjes është larguar me një makinë “Audi”, pa targa, ashtu siç është edhe makina e bllokuar nga policia, me dy vëllezërit shkodranë të shoqëruar, të cilët rezultojnë me precedentë penalë në Itali.


Arratisja e dy vëllezërve


Hetimet kanë vijuar menjëherë pas vrasjes, e cila është kryer në errësirë, duke penguar edhe dëshmitarët për të njohur fytyrën e ekzekutuesit. Pas saj, policia ka ngritur postblloqe në zona të ndryshme të Tiranës, ndërkohë që patrullat e Komisariatit Nr. 2, që kanë nën mbikëqyrje edhe zonën ku ndodhi vrasja, kanë pikasur një makinë “Audi A6”, ngjyrë gri, pa targa, pranë shkollës “Vasil Shanto”, në rrugën “Irfan Tomini”. Menjëherë patrullat, të cilat ndodheshin në postbllok, i kanë bërë shenjë makinës të ndalojë, por dy personat që ndodheshin në të, që më pas rezultoi se janë vëllezër, nuk i janë bindur urdhrit të policisë dhe me shpejtësi janë drejtuar tek ura pranë “pallatit me shigjeta”, për të dalë më tej në Unazë të Re dhe në autostradë për në Durrës. Makina e policisë është vënë në ndjekje të këtij mjeti, duke rritur edhe më shumë dyshimet se ishin vrasësit e 33-vjeçarit.


Ndjekja ka vijuar deri në Vorë, ndërkohë që autoritetet policore të kryeqytetit kanë njoftuar edhe qytetet e tjera, për të ngritur postblloqe. Në Vorë, mjeti në arrati është nisur drejt Fushë-Krujës dhe aty është kthyer sërish mbrapsht, duke ardhur deri në rrugën pranë Aeroportit të Rinasit. Në këtë zonë, shërbimet policore kanë mundur të bllokojnë mjetin dhe të shoqërojnë dy personat që ndodheshin në bord. Ata janë shoqëruar në ambientet policore, ndërkohë që nga ana tjetër, policia kishte mbledhur dëshmitë e mbi 15 personave, të cilët kanë dhënë informacion në lidhje me vrasjen, apo autorët e mundshëm të saj.


Dëshmitarët dhe zhurmat në pallat


Sipas të dhënave, në momentet e vrasjes ka pasur shumë telefonata nga qytetarët në sallën operative, të cilët kanë treguar se në rrugën “Sami Frashëri” te “Koloseu”, ka të shtëna me armë dhe më pas se ishte vrarë një person, duke dhënë edhe informacion për atentatorin. Ata kanë treguar se autori dukej i moshuar dhe me kapele në kokë, megjithëse telefonatat kanë vijuar edhe pas mesnatës. Madje, një dëshmitar i grupit hetimor ka treguar se prej dy javësh ka pasur shumë zhurma në banesën e viktimës Bledar Balliu. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me shërbimet e grupit hetimor, duke dhënë të gjithë informacionin e nevojshëm që ka ngritur dyshimet se vrasja mund të ketë ardhur edhe për këtë arsye.


Dy shkodranët me mjetin “Audi”


Më vonë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë sjellë vëllezërit që nuk i kishin ndaluar postbllokut dhe mjetit të tyre i është bërë kontroll i imtë, por brenda nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Gjithashtu, gjatë këqyrjes nga ekspertët, në mjet nuk është gjetur ndonjë gjurmë plotësuese, si gëzhoja, barut, apo ndonjë gjë tjetër. Nga ana tjetër, këqyrje fizike është realizuar për dy të dyshuarit, të cilët nuk rezultojnë të kenë qëlluar me armë, sipas ekspertizës për shenjat e djegies së barutit, që mbetet në duar, pasi ke shtënë me armë. Më tej, ata janë marrë në pyetje, duke kërkuar motivin, pse i ishin arratisur policisë. Por, gjatë deklaratave kanë qenë shumë kontradiktorë. Fillimisht, ata janë shprehur se janë larguar me shpejtësi, pasi nuk kishin leje për drejtim mjeti, por nga verifikimet ka rezultuar se njëri prej tyre ishte i pajisur me një dokument të tillë. Më vonë, ata kanë deklaruar se nuk kishin dokumentet për makinën, por kjo ka sjellë dyshime te policia, se mund të fshehin diçka, ndërkohë që nga verifikimet për personalitetin e tyre, rezultoi që ata janë dënuar në Itali më parë, njëri për trafik droge dhe tjetri për vjedhje makinash. Megjithatë, edhe pse ata mund të mos jenë autorët e vrasjes, policia dyshon se kanë fshehur diçka, prandaj i janë arratisur policisë dhe nuk i janë bindur urdhrit të postbllokut. Në këto kushte, drejtuesit e policisë së kryeqytetit thanë se ata do të ndalohen për mosbindje të urdhrit të policisë, ndërkohë që ndaj tyre do të vazhdojnë hetimet.


Organizimi, dy të shoqëruar nga Fieri


Duke hetuar mbi këtë ngjarje dhe duke mbledhur dëshmitë e ndryshme, policia ka ngritur dyshimet se vrasja është organizuar nga dy persona fierakë. Në këto kushte, ditën e djeshme, dy të dyshuarit janë shoqëruar nga policia dhe janë marrë në pyetje deri në orët e vona të natës, si persona nën hetim për këtë vrasje, por zyrtarisht, policia nuk ka dhënë detaje në lidhje me fatin e tyre, nëse do të lihen të lirë, apo do të mbahen nën akuzë. Shoqërimi i tyre ka ardhur pas dëshmive të personave të njohur të viktimës, duke marrë shkas edhe nga zhurmat e dëgjuara gjatë dy javëve të fundit. Nga ana tjetër, policia tha se janë shoqëruar edhe shokë të viktimës, të cilët kanë kaluar me të orët para vrasjes, ose kanë ndërhyrë për ta dërguar atë në spital, pavarësisht se ai gjeti vdekjen rrugës.


Pistat e hetimit për ekzekutimin


Me gjithë informacionet e mbledhura, policia po e ndjek hetimin e kësaj çështjeje, me qëllim dokumentimin e saj vetëm në dy pista, atë të hakmarrjes për shkak të vrasjes së Aleksandër Koliçit dhe për larje hesapesh për trafikun e drogës. Bledar Balliu është një personazh i njohur për policinë që prej vitit 2006, kur u arrestua për trafik ndërkombëtar lëndësh, në kuadër të operacionit “Poter-Al”. Hetimet mbi grupin e drogës sollën edhe armiqësitë e para mes 7 të arrestuarve, pas dyshimeve se njëri prej tyre, Aleksandër Koliçi, kishte pranuar të bashkëpunonte me drejtësinë. Hakmarrja ishte pista kryesore e hetimeve, pas ekzekutimit me një plumb në kokë të Aleksandër Koliçit, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij në zonën e Tiranës së Re më 15 korrik të vitit të shkuar. Pas vrasjes së Koliçit, Policia e Tiranës arrestoi Bledar Balliun si të dyshuarin kryesor për krimin. Ky i fundit qëndroi disa javë në qeli, për t’u liruar falë alibisë së një mikut të tij, që pohoi për gjykatën se në orën e vrasjes së Koliçit, ata kishin qenë bashkë. Për këtë alibi, Balliu paraqiti para gjykatës edhe disa pamje filmike, të cilat i dhuruan lirinë, por jo shuarjen e dyshimeve se ishte ai personi që kishte eliminuar ish-shokun e tij të qelisë.


 


Dëshmitë


Banorët: Vrasësi ka hipur në “Audin” pa targa


Një ditë pas vrasjes, pikërisht dje, banorët e zonës kanë treguar ngjarjen e ndodhur të mërkurën në mbrëmje, duke dhënë detaje mbi autorin dhe mjetin që është larguar. Një nga banorët e lagjes, i cili nuk ka pranuar të japë emrin për gazetën “Shqip”, shpjegon se e ka parë momentin e vrasjes, por s’ka arritur ta shohë fytyrën e autorit, pasi ai mbante kapele dhe ishte person në moshë. “Unë dëgjova krismat dhe dola menjëherë për të parë se çfarë kishte ndodhur, meqë kam qenë ish-ushtarak dhe e kuptova që ishte diçka e keqe. Vrasësi u largua me qetësi dhe u largua me një mjet “Audi”, targën nuk ia fiksova, por brenda e prisnin persona të tjerë”, është shprehur banori i lagjes për “Shqip”. Por, një tjetër banor shprehet se kishte vënë re vetëm makinën duke u larguar me shpejtësi, pavarësisht se nuk e di nëse është ajo që ka bllokuar policia, apo ndonjë tjetër. Ndërkaq, banorët e pallatit, ku qëndronte viktima, nuk kanë pranuar të flasin, duke mbyllur dyert, ndërkohë që një grua e moshuar ka treguar se viktimën, ndonjëherë, e kishte parë të shoqëruar me një femër.