Ndotja akustike, nivele të larta krahasuar me nivelet e BE-së

“Fiks Fare”

Ndotja akustike në kryeqytet kap shifra tepër të larta krahasuar me standardet e vendosura nga Bashkimi Europian, ndërkohë asnjë subjekt nuk respekton oraret e vendosura nga Bashkia Tiranë për lejimin e muzikës së lartë. Sipas rregullit të vendosur nga Bashkia e Tiranës, muzika e lartë në baret që ushtrojnë aktivitet në Tiranë lejohet nga ora 19:00 deri në 23:00 gjatë ditëve të javës dhe në fundjavë lejohet nga ora 19:00 deri në orën 00:00.

“Fiks Fare” gjatë fundjavës së kaluar ka bërë një vëzhgim në zonën e ish-Bllokut, ku ka konstatuar se muzika e lartë që luhet në baret dhe klubet e zonës vazhdon deri në orët e vona pas mesnate, madje edhe nën vëzhgimin e policisë bashkiake, të cilët gjatë aksionit të tyre bënë të mundur ndërprerjen e muzikës për pak minuta, por menjëherë pas largimit të tyre, çdo gjë u kthye si më parë në zonën e ish-Bllokut.

Vetë drejtori i policisë bashkiake të Tiranës, z. Florenc Hoxha, është shprehur për “Fiks Fare” se do të fillonin aksionin për ndalimin e muzikës në lokalet e natës në kryeqytet. Edhe pse muzika ndaloi për disa minuta pas ndërhyrjes së policisë bashkiake rifilloi sërish rreth orës 01:00, madje edhe në këtë orar, në rrugët e Bllokut vazhdonte patrullimi i policisë bashkiake.

 

Tiranë

Ndotja 15 decibel më e lartë

Shefi i departamentit të shëndetit të mjedisit pranë ISHP-së, Arben Luzati, është shprehur se nga monitorimi i fundit, ka rezultuar se ndotja në Tiranë gjatë ditës është rreth 15 decibel më e lartë se norma e lejuar, ndërsa gjatë natës ajo arrin deri në 25 decibel më tepër. Ndërkohë, normat europiane të ndotjes akustike janë 55 decibel gjatë ditës dhe 35 decibel gjatë natës.

Z. Luzati është shprehur se në Tiranë dita-ditës kultura e zhurmës po asfikson kulturën e qetësisë. Sipas tij, sasia e tepërt e decibelëve që shkakton muzika e lartë ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.

 

Muzika e lartë

Probleme shëndetësore dhe ulje të dëgjimit

“Muzika e lartë krahas uljes së shkallë së dëgjimit mund të shkaktojë edhe një sërë problemesh të tjera, si hipertension, depresion, pagjumësi, ulje të performancës së fëmijëve në shkollë deri edhe konflikte sociale”, ka bërë me dije z. Luzati.

Sipas tij, ditët e fundit ka dalë një urdhër i Policisë së Shtetit, Ministrisë së Mjedisit dhe ISHP-së për kontrollin e ndotjes akustike. Ky urdhër nuk do të falë asnjë subjekt që kalon normat e lejuara të zhurmës, ndërkohë synimi i këtij urdhri është zhdukja e këtij fenomeni.

Autor te 30 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry