Kryesoret “Të hapet Pallati i Brigadave”

“Të hapet Pallati i Brigadave”

1881
SHPËRNDAJE

I përdorur si rezidencë presidenciale, Pallati i Brigadave “fsheh” në brendësinë e tij një kompleks arkitekturor dhe historik të rëndësishëm. Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë dhe studiuesi Valter Gjoni shprehet se hapja për turistët mund t’i jepte një impuls të madh Tiranës. Sipas tyre, është i pakuptimtë fakti që një pasuri e tillë qëndron e mbyllur

Oliverta Lila

Pallati i Brigadave duhet të hapet për turistët. Ky mendim ka disa muaj që diskutohet në mesin e specialistëve që drejtojnë institucionet e trashëgimisë në vend. I përdorur si rezidencë presidenciale, Pallati i Brigadave “fsheh” në brendësinë e tij një kompleks arkitekturor dhe historik të rëndësishëm. Projektimi i pallatit dhe parkut mbretëror nisi në vitin 1937 nga arkitektë e inxhinierë italianë si Florestano di Fausto, Giulio Bertrè, Gherardo Bosio, të cilët kanë firmat e tyre edhe në ndërtimet e rëndësishme të qytetit të Tiranës. Në fillim u quajt Vilë Mbretërore e më pas seli e mëkëmbësisë së mbretit Viktor Emanuel i III, i cili qëndroi për 10 ditë në këtë pallat. “Hapja e Pallatit të Brigadave është shumë e rëndësishme dhe një xhevahir i munguar i kurorës shumë të bukur që ka Tirana me monumente që nisin që nga shek. III- IV i erës sonë. Ndonëse nga viti 1945 deri më sot janë prishur shumë nga shembujt më të mirë të kësaj pasurie, siç ishte edhe pazari i vjetër i Tiranës, Pallati i Brigadave në tërësinë e tij është i paprekur. Përveç kontekstit historik, ka edhe atë ambiental dhe kjo e bën edhe më tërheqës. Publiku nuk ka pse ta shohë më si një rrethim i papërshkueshëm, por si një trashëgimi të të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e presidentit. Shumë turistë të huaj janë mësuar të shkojnë në vende të ngjashme, në Londër, Paris, në çdo vend tjetër të madh të Europës”, shprehet Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë. Kjo është një ide që prej disa muajsh po diskutohet në Ministrinë e Kulturës, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, por ende shumë larg realizimit konkret. Valter Gjoni, studiues i vlerave historike dhe të trashëgimisë kulturore, veçanërisht për kryeqytetin, mendon se së pari për këtë ide duhet ngritur një grup pune që të përfshijë arkitektë, historianë, specialistë të monumenteve të kulturës. “Jam plotësisht me idenë që të jetë qendër e vizitueshme, nuk ka pse të mbetet e mbyllur. Me dhjetëra pallate mbretërore nëpër botë janë të vizitueshme kur kanë vlera shumë të shtrenjta, siç është Versaja, Pallati në Vjenë, në Madrid, Belgjikë, Tajlandë, Pekin, etj. Unë nuk e shoh si praktikë normale mbajtjen mbyllur të atij pallati. Një grup pune mund të diskutojë se çfarë mund të pasqyrohet: përpjekjet për monarki e pavarësi, një galeri e princave shqiptarë ndër vite, galeri e heraldikës shqiptare apo muzeu i mbretërisë. Është një pallat që ka mjaft histori. Aty janë pritur e përcjellë diktatorë të ndryshëm, aty janë bërë gjyqe e janë dënuar njerëz, gjen kudo edhe gjurmë të diktaturës, ndonëse ende mbetem pa përgjigje se si Enver Hoxha nuk e shkatërroi këtë ndërtesë. Pallati i Brigadave mund të jetë një muze i mirëfilltë në këtë kuptim”, thekson Gjoni. Kësaj ideje i është kushtuar edhe revista “Art & Trashëgimi”, një botim i dedikuar këtë herë për qytetin e Tiranës. Pikërisht për këto vlera, me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 752, datë 11/11/2004, Pallati i Brigadave dhe parku i tij është shpallur “Ansambël Historik” dhe “Zonë e Stimuluar”. Si Kadia dhe Gjoni pranojnë se është e domosdoshme një ndërhyrje restauruese në godinë, por zgjidhja mund të jetë e disallojtë. Sipas Kadisë, përmes biletave mund të sigurohen të ardhura që mund të përdoren në vazhdim për restaurim të vazhdueshëm. Në fakt, një projekt i gjerë restaurimi u prezantua pikërisht në Pallatin e Brigadave në vitin 2006 nga një grup studiuesish italianë, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Prej asaj kohe, asnjë hap konkret më tej. Drejtori i IMK-së, Apollon Baçe, mendon se ai projekt është vështirësisht i zbatueshëm në të ardhmen, pasi pala italiane është tërhequr. Megjithatë, sipas Arbër Kadisë, hapja e Pallatit nuk do të cenonte funksionet rezidenciale. “Hapja mund të bëhet sipas një grafiku të caktuar dhe të monitoruar pa u cenuar pjesa presidenciale. Meraku ynë më i madh është nëse mund të dëmtonte vizitueshmëria ambientet e brendshme të godinës. Për këtë duhet një studim dhe mendim i specialistëve”, shprehet Kadia.

Parku Mbretëror

Çfarë fsheh Pallati i Brigadave në tërësinë e tij? Kjo është një pyetje që vjen natyrshëm. Pak kohë më parë, studiuesi Valter Gjoni është ndalur në Pallatin e Brigadave në botimin “Gjurmime historike në Parkun e madh të Tiranës”. Sipas Gjonit, parku i pallatit mbretëror vlerësohet edhe sot si një nga mjediset më të bukura që ndodhen në vendin tonë. Që në vitin 1936, oborri mbretëror shqiptar kishte ofruar për mjediset e gjelbra rreth rezidencave të saj projektuesin dhe realizuesin e njohur italian Pietro Porcinai. Parku që rrethon rezidencën shtrihet për rreth 36 hektarë. Në vitin 1937, janë dy projekte të përgatitura, shumë të ndryshëm ndërmjet tyre: i Pietro Porcinai (1910-1986) me fidanistin Martino Bianchi (në arkivin e Firences është ruajtur edhe një maket) dhe ai i studios së Vëllezërve Sgaravatti të Padovës (14.2.1937). Zgjidhja që u përdor, ishte një hibrid i dy projekteve, për të cilin u kujdes Gherardo, i cili në vitin ‘39, pasi njohu kushtet, përcaktoi formën që përkon me atë të tanishme. Sipërfaqja shtrihet në shumë zona: përballë pallatit dhe përbëhet nga shatërvanë me zinxhirin e ujit, galeri skulpturash në disa parqe; disa radhë kopshtesh me pemë me lule dhe labirinte në formë spiraleje, kopshti i luleve, shtegu i pyllit, kopshti me pishinë, pista e stërvitjes së kuajve ndodhen në jug të parkut, afër ndërtesave. Parku mbretëror është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike mes gjelbërimit artistik i ndërtuar sipas modelit “Tempulli i Muzave” i kultit mitologjik të Apollonit. Skulptorët që realizuan “Tempullin e Muzave”, “Tempullin e Apollonit”, “Tempullin e Dafinës”, Kolonadën Monumentale Historike dhe disa punime të tjera të Pallatit dhe të Parkut Mbretëror janë italiani Antonio Maraini, skulptori shqiptar Odhise Paskali. “Megjithëse i ruajtur përgjithësisht mirë, degradimi i kopshtit, i statujave, i shatërvanëve, pra i gjithë ‘exterieur’-it është i dukshëm dhe kërkon një ndërhyrje urgjente, por të kujdesshme si dhe mirëmbajtje e restaurim të godinës. Pallati i projektuar për mbretin Zog I, që nuk jetoi asnjë ditë, pasi punimet ende nuk kishin mbaruar kur ai u largua nga Shqipëria, përfundoi gjatë periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë, punimet vazhduan në kujdesin e mëkëmbësit të mbretit Fancesco Jakomoni”, shprehet Gjoni.

 

Tempulli i muzave

Sipas Valter Gjonit, parku ka mbi 15-16 skulptura. “E gjithë pjesa e jashtme e pallatit është konceptuar si një tempull i madh i muzave dhe kjo është tipike për pallatet mbretërore, siç është edhe Versaja. Në tempullin e muzave të parkut të Pallatit të Brigadave gjendet Poezia lirike, epike, Orfeu si instrumentist i Olimpit, Harmonia, Dafina, por edhe Danaida. Gjoni shprehet se kopje shumë të ngjashme të tyre të realizuara nga Maraini gjenden edhe në kopshte të tjera, por veçanërisht në Firence.

 

“Dafina” që Zogu i kushtoi të dashurës

Pema e Dafinës është simbol i Apolonit. Sipas mitologjisë greke, ishte e adhuruara e Apolonit, por ajo nuk e donte. I kërkoi ndihmë të atit ta shpëtonte, perëndia e lumenjve Peneus, i cili e shndërron vajzën në pemën e dafinës. Qysh atëherë Apoloni e shenjtëroi pemën e dafinës. Në parkun e pallatit mbretëror, kjo pjesë intime mbështetur në mitin e Apolonit dhe Dafinës duket se është një kujtesë për lidhjen e Zogut me balerinën e skenave të Parisit, Tanja Visirova. Tek “Unë e dashura e mbretit Zog”, ajo shkruan: “Miklohej kur mendonte se kishte një robinë si unë, gjë e ngjashme me miklimet e tjera që i vinin kur mendonte se kishte të vetën “La Visirovën”, për të cilën shkruanin gazetat e Parisit. Vallëzoja shpesh, por me të, shoqëruar nga muzika e disqeve. (Në Shqipëri kishte vetëm një orkestër, kjo ishte orkestër ushtrie). Ne, unë dhe Zogu mund të jetonim edhe vetëm me maratonën e vallëzimit. Për gjithçka që ishte tango, foks-trot, vals, ishim të pamposhtshëm. Vallëzonim vetëm, ose rrallë nëpër festa edhe përpara të ftuarve të paktë: ministra dhe personalitete të tjerë të pallatit”.

 

Panteoni historik

Në hyrje të parkut mbretëror, autori Odhise Paskali, në vijim të traditës botërore të Pantheonit Kolonad, ka vendosur pesë figura nga më të spikaturat të historisë, kulturës dhe besimeve fetare:

Abdyl Frashërin, Bajram Currin, Vaso Pashën, Jeronim de Radën dhe Kostandin Kristoforidhin.

 

Rreziku

Shembja e rrethimit

Ndërsa specialistët e trashëgimisë hedhin idenë për hapjen e Pallatit të Brigadave, anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë janë shprehur të shqetësuar për rrezikun që i kanoset shembjes së rrethimit të tij. Projekti për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, parashikon shembjen e rrethimit dhe prerjen e një druri pemësh. Lidhur me këtë fakt, ka folur këto ditë edhe arkitekti Artan Shkreli. “Bëhet fjalë për dëmtimin e strukturave të Parkut Historiko-Mjedisor të Pallatit të Brigadave, i cili është në mbrojtje dhe në vëmendje edhe të organizmave ndërkombëtare. Shoqëria civile shqiptare, institucionet ndërkombëtare, se për institucione kombëtare këtu nuk flitet më dhe kryesisht reagimi popullor nuk do të lejojë prekjen e rrethimit të Pallatit të Brigadave. Ne do të reagojmë me protesta qytetare dhe me peticione, të cilat do t’i drejtohen qoftë Unionit Botëror të Arkitektëve, qoftë institucioneve si UNESCO, të cilat mbrojnë trashëgiminë europiane edhe në Shqipëri”, ka thënë Shkreli.