Marrëveshja do të jetë e vlefshme deri në datën 30 gusht. Plani i masave për rritjen e sigurisë në rrugë


 Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të patrullojnë së bashku në territorin e Shqipërisë, gjatë sezonit turistik.  Marrëveshja është nënshkruar në pikën kufitare në Vërmicë, dhe vlen deri më 30 gusht të këtij viti. Nga Vërmica janë nisur sot grupi i parë i policëve të Kosovës të cilët do të patrullojnë, për të vazhduar me grupet tjera. Përfaqësues të policive të të dyja vendeve, kanë pohuar se këto praktika kanë treguar rezultate të mira për ofrimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. “Mendoj se praktika e dy viteve më të hershme ka treguar rezultate të mira në ofrimin e sigurisë së qytetarëve dhe mund t’iu them se të gjitha parametrat tregojnë që ka pasur rënie të aksidenteve rrugore”, u shpreh Sherem Ahmeti, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit, Policia e Kosovës. Ndërsa Vullnet Topalli, Drejtor i Policisë Rrugore të Shqipërisë, është shprehur se:”Patrullimi i dy policive do të jetë në gjithë territorin e vendit, por kryesisht do të jetë në zonat ku fluksi më i madh i qytetarëve të Kosovës vizitojnë shtetin shqiptar në sezonin veror”. Sipas tij, i gjithë efektivi i policisë shqiptare dhe të Kosovës do të kenë synim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe parandalimin e çdo lloj kundërvajtje administrative në fushën e qarkullimit rrugorë. Ky është viti i tretë radhazi që dy policitë aplikojnë marrëveshje për patrullime të përbashkëta në territorin e Shqipërisë gjatë sezonit turistik.


1 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)