“Shullazi ishte nisur për vrasje në Shkodër”

Dyshimi i policisë, pas përgjimeve. U arrestua me dy pistoleta dhe me automjet të blinduar.

Policia kishte informacione se Emiljano Shullazi, një emër i njohur në botën e krimit dhe i arrestuar dy ditë më parë në afërsi të qytetit të Lezhës, po planifikonte një vrasje. Dyshimi ka ardhur pas përgjimeve të bashkëpunëtorëve të Shullazit dhe vëzhgimeve të lëvizjeve të tij. “Kemi dyshime se Shullazi dhe shoku i tij, Elidon Harizaj, po planifikonin një vrasje në qytetin e Shkodrës. Kemi lokalizuar lëvizjet e të dyshuarit dhe kemi ndërhyrë, duke parandaluar një vrasje”, pohojnë burimet nga Policia e Shtetit. Sipas tyre, disa elementë kriminalë po mbaheshin nën vëzhgim prej disa javësh, pasi kishte informacione se ishin planifikuar disa ngjarje kriminale. Pas vrasjes së Bledar Balliut, policia ka lëvizur me shpejtësi për lokalizimin e grupit të Emiljano Shullazit, duke e arrestuar. “Gjatë kontrollit të automjetit kemi gjetur dy pistoleta. Arrestuam në flagrancë dy personat me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe filluam menjëherë ekspertimin e dy armëve”, vijojnë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se këta persona janë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për një tjetër ngjarje kriminale.

Kontroll banesës

Pas arrestimit të Emiljano Shullazit në qytetin e Lezhës, një grup hetimor i ngritur nga Policia e Shtetit ka kryer një kontroll në banesën e personit me precedentë të shumtë kriminalë. Rezultatet kanë qenë të pritshme, pasi policia i ka sekuestruar dy radio marrëse-dhënëse, në frekuencat e disa komisariateve të policisë. “Gjatë një kontrolli në banesën e Shullazit sekuestruam dy radio marrëse-dhënëse, të cilat shërbenin për marrjen e informacioneve nga ky grup për ngjarje kriminale në Tiranë, apo edhe për ndonjë operacion të mundshëm për kontroll në zonën pranë ‘21 Dhjetorit’”, thanë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se fillimisht Shullazi dhe shoku i tij Elidon Harizaj po hetohen nga Prokuroria e Lezhës me akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa verifikimet e mëvonshme të policisë dhe Prokurorisë së Tiranës do të përcaktojnë nëse ka marrë pjesë në ndonjë ngjarje kriminale. Kjo është hera e tretë që “Mili” (emri me të cilin thirret Shullazi në shoqëri) është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Ai u lirua nga burgu më datë 12 maj të këtij viti, pasi gjykata e nxori të pafajshëm, ndërkohë që prokuroria kishte lëshuar për të urdhër-arresti për armëmbajtje pa leje. Ai ishte arrestuar bashkë me mikun e tij, Gilmando Dani.

Komunikimi me copa letre

Policia ka zbuluar mënyrën e komunikimit të një grupi të dyshuar kriminal që funksionon në Tiranë. Dyshimet janë ngritur pas vrasjes së Arlind Fugës, i cili bënte pjesë në grupin e Emiljano Shullazit. Në trupin e viktimës është gjetur një letër me disa shkronja. “Në trupin e Arlind Fugës kemi gjetur një letër. Pas këqyrjes rezulton se ajo është vetëm një copë e vogël letre me disa shkronja. Kemi dyshime se shkronjat mund të jenë kod i përdorur nga anëtarët e grupit. Paraprakisht kemi ngritur dyshimet se në këtë kod ishte një emër personi, të cilin grupi e kishte vënë në shënjestër”, pohojnë burimet nga policia e kryeqytetit. Sipas saj, tashmë është shumë e vështirë që të kapen telefonatat e tyre, pasi e dinë shumë mirë që përgjigjen dhe vëzhgohen. E vetmja mundësi komunikimi e grupit është me letra, që të kujton funksionimin e grupeve mafioze italiane. Ndërkohë, hetimet për vrasjen e Fugës vijojnë nga policia. Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës delegoi në polici “për zbulim autori” dosjen penale të vrasjes së Arlind Fugës, mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit. Akuza ka vlerësuar se nuk ka elemente të mjaftueshme për identifikimin e autorit të ngjarjes. Për rrjedhojë, grupi hetimor ka vendosur delegimin e dosjes te shërbimet e hetimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës, për gjetjen në rrugë operative të provave dhe informacioneve që do të ndihmonin në identifikimin e autorit të ngjarjes.

Autor te 1 Korrik 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • eri

    sa shpejt te vejn pullen keto gazetaret ai ka qen per qef te vet kto thojn per vrasje ajde shqiperi ajde vetem aty ndodhin keto gjera ska cbejn meren me thashetheme