24 korrik – Seanca e betimit të presidentit të ri pritet të zhvillohet më datën 24 korrik, kur mbaron edhe mandati i Topit
Ora 18:00 – Presidenti i Republikës mbërrin në hyrjen kryesore të Kuvendit dhe po në këtë moment, del aty për ta pritur Kryetari i Kuvendit
Lozha 1 – Bamir Topi dhe familja e tij do të ulen në lozhën nr. 1 të Kuvendit, ndërsa në atë ngjitur, do të vendoset familja Nishani
15 minuta – E gjithë kjo ceremoni në Kuvend është parashikuar që të zgjasë jo më shumë se 15 minuta. Këtu përfshihet dhe fjalimi i Nishanit
19:15 – Të ftuarit do të mbërrijnë në Pallatin e Brigadave deri në orën 19:15 dhe do të zënë vendet e caktuara për ta nga Protokolli i Shtetit
Tribuna A – Tribuna A do të rezervohet për miqtë e huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë
Tribuna B – Ndërsa tribuna B do të rezervohet për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë vendas, në pjesën para Pallatit të Brigadave
19:25 – Në orën 19:25 mbërrin dhe zë vend në krye të shkallëve të Pallatit të Brigadave ish-presidenti i Republikës
19:30 – Në orën 19:30 mbërrin Presidenti i Republikës, makina e të cilit shoqërohet nga truproja e nderit në katër motoçikleta ceremoniale
21 të shtëna – Ekzekutohet himni kombëtar, nën shoqërimin e 21 të shtënave topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Flamuri kombëtar qëndron i ngritur
Betimi – Topalli fton Nishanin të ngrihet në këmbë, lexon formulën e betimit, sipas Kushtetutës. Presidenti deklaron: “Betohem”
Skema – Presidenti drejtohet dhe zë vend në krye të shkallëve të Pallatit të Brigadave, në të djathtë të ish-presidentit
Garda – Sipas ceremonialit të vitit 2003, në të dyja anët e shkallëve janë vendosur oficerë të Gardës së Republikës me uniforma ceremoniale
Ndërkombëtarët – Në të dyja ceremonitë, si në Kuvend dhe në atë të Pallatit të Brigadave janë të ftuar ambasadorët dhe titullarët e institucioneve
Zonja e Parë – Bashkëshortja e Presidentit gëzon statusin Zonja e Parë e vendit. Në ceremonitë me presidentin, Zonja e Parë qëndron në të djathtë të tij
Zbulohen të gjitha detajet e ceremonisë zyrtare të datës 24 korrik. Si do të bëhet kalimi i Presidencës nga Bamir Topi te Bujar Nishani
Ceremonia, 21 të shtëna topi për Nishanin
BLEDAR HOTI
Presidenti i zgjedhur i Republikës, Bujar Nishani, do të marrë zyrtarisht detyrën të martën e 24 korrikut, për të hyrë në histori si presidenti i gjashtë i Shqipërisë. Protokolli i Shtetit ka nisur që tani përgatitjet zyrtare për ceremoninë që do të mbahet në Kuvend dhe në Pallatin e Brigadave. Presidenti ende në detyrë mësohet se do të zbatojë të gjitha rregullat e ceremonialit zyrtar, ndërsa presidenti i zgjedhur, Nishani, mësohet se ka nisur të stërvitet për të qenë në formë për shkak të pamundësisë fizike. Sipas ligjit zyrtar, ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës ka dy pjesë, në sallën e Kuvendit dhe në Pallatin e Brigadave. Burime nga protokolli shpjeguan për “Shqip” se më datë 24 korrik do të zhvillohet një ceremoni e veçantë zyrtare. Bamir Topi dhe familja e tij do të ulen në lozhën nr. 1 të Kuvendit, ndërsa në atë ngjitur do të vendoset familja Nishani. Për disa minuta, familjet Topi e Nishani do të jenë fqinje. Kjo do të jetë edhe përballja e fundit e Topit me mazhorancën që e zgjodhi. Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani do të mbërrijë në orën 18:00 në hyrjen kryesore të Kuvendit dhe po në këtë moment do të pritet nga Kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Nishani duhet të kalojë përmes sallës dhe të shkojë deri te podiumi. Topalli do të lexojë formulën e betimit, ndërsa Nishani do të thotë në fund: “Betohem”. Ai ka mundësi të shtojë edhe një togfjalësh: “Zoti më ndihmoftë”. Pas kësaj, të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë dhe nis himni kombëtar. Nishani do të mbajë një fjalë të shkurtër, ku do të thotë se do të përfaqësojë unitetin e kombit dhe pas kësaj, seanca cilësohet e mbyllur. E gjithë kjo ceremoni është parashikuar që të zgjasë jo më shumë se 15 minuta. Pas Kuvendit, ceremonia presidenciale do të vijojë në Pallatin e Brigadave. Të ftuarit do të mbërrijnë në Pallatin e Brigadave deri në orën 19:15 dhe do zënë vendet e caktuara për ta. Tribuna A do të rezervohet për miqtë e huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike, ndërsa tribuna B, për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë vendas. Burime të Protokollit dhe të Gardës thanë se ish-presidenti Bamir Topi do të mbërrijë në orën 19:25 dhe do të pozicionohet në krye të shkallëve të Pallatit të Brigadave. Në orën 19:30 do të mbërrijë Presidenti i Republikës, makina e të cilit do të shoqërohet nga truproja e nderit në katër motoçikleta ceremoniale. Në momentin që do të zbresë nga makina, Nishani do të shkojë në krah të Topit ndërsa në të dyja anët e shkallëve do të vendosen oficerë të Gardës së Republikës me uniforma ceremoniale. Në këtë moment do të nisë himni kombëtar dhe në fund të tij do të ketë 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Topi do të bëjë përshëndetjen e rastit dhe më pas, në mënyrë simbolike, do t’i dorëzojë Nishanit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pasi të marrë Kushtetutën, Presidenti Nishani do të mbajë një fjalim të shkurtër dhe më pas do të zhvillohet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Në fund, të pranishmit do të hyjnë në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.