Matura shtetërore nuk shpëton nga politika

Testohen dijet e nxënësve për arritjet e qeverisë që çuan në liberalizimin e vizave

Lorina Mixha

Pas politizimit të një prej historive tri vjet më parë, shkruar nga autori Beqir Meta, përfshirjen e elementëve politikë e ndeshëm edhe në provimet e fundit të maturës shtetërore.

Një pjesë e nxënësve e kanë konsideruar jashtë programit pyetjen 20 të variantit A të testit të sociologjisë. Mësuesit, nga ana tjetër, mbështesin mendimin se një maturant 18-vjeçar nuk duhet të ketë probleme për të dhënë përgjigje lidhur me situatën aktuale politike të vendit të tij. Në pyetjen e fundit në testimin me zgjedhje, maturantëve u kërkohet:

“Renditni tri nga arritjet e qeverisë shqiptare, të cilat çuan drejt liberalizimit të vizave për Shqipërinë”. Ndërkohë që në çelësin e përgjigjeve, hartuesit e tezës kanë renditur këto pika si përgjigje të sakta: “forcoi kontrollin mbi territorin, vendosi regjim kalimin kufitar, pajisi qytetarët me mjete identiteti të sigurisë së lartë”.

Sipas fotografive të vendosura në dispozicion nga Parlamenti rinor dy ditë më parë, pjesa më e madhe e maturantëve kanë renditur si arritje të kësaj qeverie: “uljen e korrupsionit, median e lirë, anëtarësimin në NATO, fuqizimin e demokracisë”. Këto përgjigje do të merren të sakta, sipas sqarimit që ka bërë pak kohë më parë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Për çdo lloj testi është paraqitur një model zgjidhjeje.

“Nxënësi do të vlerësohet me pikë të plota për çdo zgjidhje tjetër të saktë, pavarësisht nga modeli i paraqitur.

Nxënësi do të vlerësohet me pikë për përgjigjet e pjesshme, edhe kur nuk ka arritur në zgjidhjen e plotë”, ka deklaruar Ministria e Arsimit. Provimet e maturës shtetërore u mbyllën dy ditë më parë, me testimin e dijeve në lëndët me zgjedhje. Fill pas mbylljes së provimit të maturës, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëri publike tezat, si dhe çelësat e përgjigjeve për çdo pyetje. Variantet e testeve janë të shoqëruara me pikët për secilën përgjigje. Pas provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje, një listë e gjatë problematikash iu bashkëngjitën edhe këtë vit maturës shtetërore. Vonesa në dhënien e notave, probleme me mungesën e transparencës për numrin e nxënëseve që plotësuan formularët, të gjitha këto janë disa nga ankesat e maturantëve. Por më shumë se në çdo maturë tjetër, kjo e këtij viti do të mbahet mend për kopjet, kopjacët dhe teknologjinë e avancuar për të “vjedhur” dijet nga nxënësit që kanë mësuar e janë përgatitur seriozisht për të fituar të drejtën e studimit. Këtë vit, një pjesë e tyre rrezikon të mbetet pa fituar degën e preferuar, ose në rastin më të keq, të humbasë njëherë e mirë të drejtën e studimit. Kjo për shkak se pikë njësoj si ta apo edhe më shumë, në provimet e kësaj mature i kanë marrë edhe nxënësit që në vitet e gjimnazit janë klasifikuar të dobët apo mesatarë.

“Ndëshkimi kurrë nuk është kolektiv, që do të thotë mosnjohje e provimit apo mosnjohje e pikëve për ata që kanë kopjuar”, shprehet Alfons Harizaj, drejtori i përgjithshëm në vlerësimin e maturës shtetërore. Sipas tij, këto janë njolla të vogla në krahasim me procesin në tërësi që është i pacenuar. Dyshimet për kopje hetohen nga komisionet tona të ngritura për këto raste”, sqaroi Harizaj.

 

Hartimi i tezës, me udhëzim të posaçëm

Testet u përgatitën nga 26 specialistë

Hartimi dhe vlerësimi i testeve të maturës shtetërore përcaktohet për çdo vit në një udhëzim të posaçëm të firmosur nga Ministria e Arsimit. Vit pas viti, specialistët e arsimit theksojnë rëndësinë e procesit të hartimit të provimeve dhe skemës së vlerësimit, si dy nga elementet thelbësore për mbarëvajtjen e maturës. Çdo proces përbën një hallkë të zinxhirit, i cili nuk mund të funksionojë qoftë edhe pa njërën prej tyre. Së pari nis hartimi i programeve orientuese për katër provimet e maturës, në kohë të ndryshme. E ndërsa nxënësit fillojnë përgatitjet në pritje të zhvillimit të provimit, në Agjencinë e Vlerësimit të Nxënësve izolohen ekspertë të fushave specifike, të cilët bazuar në programet orientuese, bëjnë përzgjedhjen e temave dhe hartimin e pyetjeve. Konkretisht për hartimin e tezës së letërsisë, e cila përmbante 25 pyetje, me alternativë dhe zhvillim ekspertët e fushës u ngujuan në AVA më datë 25-31 maj, 7 ditë. Përgatitjet për provimin e matematikës kanë nisur më datë 11 dhe kanë përfunduar më 16 qershor, ndërsa për provimet me zgjedhje përgatitja ka zgjatur nga 23 qershori deri më 30, datë kur u zhvilluan testet e fundit të maturës për këtë vit shkollor.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, e njëjta procedurë është ndjekur edhe me testet e tjera të maturës. Përgatitja e çdo provimi ka zgjatur 7 ditë, 1 javë përpara zhvillimit të provimit, ndërsa 26 hartuesit janë larguar nga ambientet e AVA-s në datën kur zhvillohej testi, me qëllim shmangien e kopjeve.

Aktualisht në Agjencinë e Vlerësimit të Nxënësve ka nisur vlerësimi i provimeve me zgjedhje, ndërsa nxënësit janë njohur tashmë me rezultatet e provimit të parë dhe të dytë. Sh.Me

Autor te 2 Korrik 2012. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • http://www.facebook.com/profile.php?id=589647753 Mariglen Glen Maratoni

    Arritje e Qeverise per Liberalizimin e VIzave, une do e shkruaja me te madhe.ISHTE NJE FALJE NGA ANA E BASHKIMIT EVROPIAN.QEVRIA NUK E KA ARRITUR GJE KETE, POR THJESHT EVROPA TREGOI GJYNAH NDAJ NJE POPULI TE RRASKAPITUR SI KY I YNI.