Kombëtarja italiane kthehet në atdhe. Presidenti Napolitano: Faleminderit djema


Trajneri i kombëtares italiane, Cesare Prandelli, ndonëse i zhgënjyer nga rezultati i finales së EURO 2012, është përpjekur të jetë optimist për të ardhmen.


“Gjithsesi ishte një turne i jashtëzakonshëm për ne. Ata ishin më të freskët dhe ne më të lodhur. Kur luan ndaj Spanjës është e vështirë të rekuperosh energjitë. Nuk e interpretuam keq ndeshjen, por e kuptuam menjëherë që duhet të mbroheshim sepse ishim të lodhur. Italia duhet të jetë 100% fizikisht për të dhënë maksimumin”, deklaroi tekniku i nënkampionëve të Europës.


Prandelli shtoi se i vjen keq vetëm për dëmtimet e shumta që ka vuajtur skuadra që ai drejton: “Ishim përballë skuadrës më të mirë në botë dhe në pjesën e dytë nuk kishim më energji për tu përgjigjur pas daljes nga fusha të Thiago Motta për shkak dëmtimi”. Prandelli nuk ka harruar të përgëzojë kampionët, që sipas tij e merituan plotësisht fitoren.


“Në ndeshjen e parë të grupit i përballuam mirë sepse ishim të freskët, ndërsa sot ata e merituan plotësisht fitoren sepse na dominuan”, përfundoi Prandelli.


Ndërkohë pas kthimit në atdhe, kombëtarja italiane është pritur nga presidenti italian Giorgio Napolitano, i cili i ka përgëzuar dhe i ka falënderuar për rezultatet e arritura.


2 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)