“La Roja” legjendare, tripletë rekord, Italia dështon në momentin më të bukur



Një Spanjë rekordesh shkatërron një Itali të lodhur 4-0 në finalen e Kievit dhe, falë golave të Silva, Albas, Torres e Matas fitoi një tripletë historike trofesh ndërkombëtare, duke u rikonfirmuar për të dytën herë radhazi në kampionatin më prestigjioz për Kombëtare në Kontinentin e Vjetër. Në finalen e 140-të të Kampionatit Europian u përballën në fushë dy skuadrat më të mira të këtij edicioni, Spanja dhe Italia, dy fitueset e dy Botërorëve të fundit. Spanja e Del Boskes kishte pësuar vetëm një gol deri në finale, pikërisht atë të italianit Di Natale dhe vinte në këtë ndeshje pa asnjë humbje. Ndërsa Italia vinte pas një fitoreje të pabesueshme kundër Gjermanisë në gjysmëfinale, dhe po ashtu pa asnjë humbje në këtë turne. Spanja e pati mundësinë ta eliminonte Italinë nga Europiani në fazën në grupe, duke barazuar 2-2 me Kroacinë dhe duke konkretizuar të famshmen “biskota”. Por “Furitë e Kuqe” e shmangën atë, duke u treguar shumë sportive dhe mundën Kroacinë në ndeshjen e fundit, duke e nxjerrë jashtë. Për këtë episod u fol shumë në pragndeshje: a do ta bënte Italia Spanjën që të pendohej që nuk ia bëri “biskotën?! Nga ana e saj, Spanja e Del Boskes shpresonte të arrinte një rekord me tripletën, duke fituar të tretin trofe radhazi ndërkombëtar, ndërsa të kaltrit e Prandelit dëshironin të ktheheshin në majë të Europës pas 44 vitesh. Visente Del Boske kishte lënë jashtë sulmuesin e rolit, pas eksperimentit të Alvaro Negredo në gjysmëfinale ndaj Portugalisë. Rikthehej titullar Sesk Fabregas, ndërsa 10 të tjerët ishin konfirmuar në modulin 4-3-3. Asnjë e re në lidhje me formacionin e italianëve në krahasim me ndeshjen e fituar 2-1 ndaj Gjermanisë, përveç lënies jashtë të Federiko Balzaretit dhe rikuperimit të Abate, i cili zuri vend të krahun e majtë të mbrojtjes së Italisë, që luante me modulin 4-1-3-2. Pas një iluzioni të skuadrës së Prandelit në minutat e para, 45 minutat e para kanë parë “Furitë e Kuqe” që dominojnë lojën, me Serxhio Ramos i cili gjuan në 2 raste në 10 minutat e para, por që nuk kanë krijuar shumë probleme për Bufonin. Avantazhi i merituar i djemve të Del Boskes ka ardhur në minutën e 14-të: kur Fabregas la në vend Kielinin në të djathtë, kros në qendër dhe goditje me kokë e David Silvës të lënë të pambuluar për të realizuar golin e 1-0. Në minutën e 21-të, dëmtohet Kielini, në vendin e tij u fut Balzareti. Reagimi i të kaltërve erdhi me Kasanon, i cili gjuajti në minutën e 29-të, por ishte e lehtë për Kasijasin dhe në minutën e 33-të e impenjoi portierin iberik që grushton. Por nuk ka vonuar edhe goli i 2-0: pasim perfekt i Ksavit për Hordi Alban, që depërtoi mes bluzave italiane dhe mposhti Bufonin në dalje në minutën e 41-të. Në pjesën e dytë, Prandeli largoi Kasanon dhe hodhi në fushë Di Natalen me shpresën për të ndryshuar diçka në lojën e të tijve. Është pikërisht sulmuesi i Udinezes që shfaqet rrezikshëm në dy raste në minutat 47 dhe 51, por pa mundur dot ta çojë topin në rrjetë. Italia vuan shumë presingun e spanjollëve, të cilët janë shumë të rrjedhshëm në aksionet e tyre. Fati i keq duket se i ndjek italianët, pas Tiago Mota që zuri vendin e Moltolivos, u largua nga fusha i dëmtuar pas vetëm tri minutash lojë, duke i lënë të kaltrit me dhjetë lojtarë, pasi Prandeli i kishte kryer të tre ndërrimet. Në inferioritet numerik Italia mbyllet dhe shfaq lodhje, ndërsa spanjollët shtojnë tonin e “tiki-taka”-s, duke kërkuar me ngulm golin e tretë, i cili ka vonuar deri në minutën e 84-t, kur Fernando Torres (i futur në vendin e Fabregas) ka mposhtur Bufonin. Duhej edhe një gol i Huan Matas në minutën e 89’, që të kompletonte nokautin e italianëve. Me fitoren 4-0 Spanja ka shkuar e sigurt drejt trofeut dhe ka shkruar historinë me tre trofe të mëdhenj të fituar radhazi (Euro 2008, Botërori 2010 dhe Euro 2012).


 


Spanjë-Itali    ???


 


SPANJA (4-3-3)


Iker Kasijas; Alvaro Arbeloa, Zherard Pike, Serxho Ramos, Hordi Alba; Ksavi Hernandez, Serxho Buskets, Ksabi Alonso; David Silva (Pedro Rodriges 59’), Sesk Fabregas (Fernando Torres 75’), Andres Iniesta (Huan Mata 87’)


Tr.: Del Boske


 


ITALIA (4-1-3-2)


Ganluixhi Bufon; Injacio Abate, Andrea Barzalji, Leonardo Bonuçi, Xhorxho Kielini (Federiko Balzareti 21’); Andrea Pirlo; Klaudio Markizio, Rikardo Montolivo (Tiago Mota 56’), Daniele De Rosi; Antonio Kasano (Antonio Di Natale 46’), Mario Baloteli


Tr.: Prandeli


 


Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)


Shënues: David Silva 14, Hordi Alba 41’, Fernando Torres 84’, Huan Mata 89’


Kartona të verdhë: Pike 25’ / Barzalji 45’