Charlotte Rampling

Do të kemi gjithmonë rreth vetes njerëz që do të na vlerësojnë për bukurinë e shpirtit

Ajo nuk ka pasur kurrë as frikë dhe as komplekse që të “zhveshë lakuriq” shpirtin e saj para publikut dhe admiruesve të shumtë. Por të flasë për ankthet, që e çuan në depresion dhe ta bëjë këtë para publikut, nuk ka qenë e lehtë as për një aktore pa paragjykime, si Charlotte Rampling. Dhe kjo hapje, e bën më intriguese figurën e saj, që konsiderohet prej kohësh komplekse.

Charlotte, që në rini, me vështrimin e ftohtë dhe depërtues, është konsideruar nga regjisorët, me të cilët ka punuar, si “gruaja me vështrim të akullt”. Sot është 66 vjeçe dhe vështrimi i saj nuk ka ndryshuar aspak. Kur e ke përballë, qoftë edhe për një kafe apo intervistë, të sheh me atë vështrim prej meduze, sikur kërkon të të shndërrojë në gur. Dhe është tërësisht e padepërtueshme. Atë vështrim e ka pasur gjithmonë si një koracë ndaj gjithë gjërave që nuk i kanë pëlqyer në jetë, edhe pse më pas mund ta ketë përdorur, pa dashje, edhe ndaj gjërave që i kanë pëlqyer. Me atë vështrim ka ngurtësuar shumë meshkuj në jetë. Jo më kot, regjisori i famshëm amerikan, Woody Alen, e ka cilësuar dikur “gruaja ideale”. Sot ajo pëlqen ta fshehë vështrimin dhe sytë e saj të jashtëzakonshëm pas syzeve të errëta, që e bëjnë edhe më misterioze atë dhe jetën e saj shpirtërore.

Nga ana e jashtme është tërësisht britanike. E bardhë, bionde, sykaltër, me fytyrë të mprehtë dhe me tipare që shkojnë nga klasikja te modernia dhe misteriozja. Ndërkohë brenda saj është tërësisht europiane, kontinentale e thekur madje. Ky ishte tipari për të cilin, në vitin e largët 1969, Lukino Viskonti e zgjodhi të interpretonte në filmin e famshëm “The Dames” përkrah Bogard. Aty interpretonte rolin e një viktime të gestapos. Ai rol i hapi derën e karrierës dhe solli një figurë femre shumë interesante dhe të veçantë, edhe për kinemanë e asaj kohe. I gjithë filmi ishte një mënyrë origjinale e të bërit film, e të bërit kinema. Ajo ka një aftësi t’i shkojë gjërave përtej kufirit të tyre të përcaktuar apo atij që mund ta cilësojmë si kufiri normal. E njëjta gjë vlen dhe për një film të famshëm të sajin “Under the Sand”, ku interpreton rolin e një gruaje, bashkëshorti i së cilës është zhdukur. Ajo jep një portret kaq të vërtetë, kaq të fuqishëm të gruas që interpreton, një gruaje të përfshirë nga një luftë e brendshme, nga një ankth i madh i njëmijë e një pse-ve për mënyrën e zhdukjes së të shoqit.

Ky film ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe i gjithi falë saj. Në fakt, gjërat nuk nisën aspak pozitivisht, sepse regjisorit të filmit, producentit dhe financieri i thanë që të mos e merrte aktoren, sepse, sipas tyre, tashmë askush nuk e çante kokën më për Charlotte. E në fakt, doli krejtësisht e kundërta. Pikërisht falë saj, filmi pati një sukses dhe një jehonë të jashtëzakonshme dhe i rigjeneroi aktores karrierën e saj, që deri në atë moment dukej sikur ishte në perëndim. E kjo ngjarje përkoi me një moment tjetër delikat dhe të vështirë të jetës së saj: dështimin e martesës së dytë dhe përjetimin e një krize të rëndë të brendshme. Që nga ai moment, ajo iu dedikua me mish e me shpirt punës, pa pushuar, si e vetmja rrugë për të mbushur shpirtin me gjëra krejt të ndryshme dhe për të lënë pas problemet personale. Kështu nisi bashkëpunimin me regjisorë shumë prestigjiozë europianë, ndër të cilët Lars von Trier në filmin “Melankolia” dhe Dominik Moll Lemming. Këta regjisorë e kërkuan me ngulm këtë aktore, duke e parë si idealin e femrës për temat dhe mënyrën e tyre të të bërit kinema, një mënyrë tipike europiane, që shikon thellë në botën e brendshme të një qenieje njerëzore në tranzicion të vazhdueshëm. I tillë është edhe filmi i saj i fundit: “Një autoportret përmes të tjerëve”, i regjisores gjermane Angelina Maccarone. Në të ka dëshira të mëdha, demonë të fuqishëm, që nuk u gjen shpirti shpëtim, vdekje dhe ringjallje. Është një film që ndahet në tetë seksione dhe në secilën prej tyre Charlotte gjendet përballë një miku të ngushtë, me të cilin zhvillon biseda të zjarrta dhe intime. Janë piktorë, shkrimtarë, fotografë, regjisorë. Askush prej tyre nuk paraqitet se cili është, madje ndonjëri prej tyre edhe nuk del fare në skenë, por shfaqet përmes vetë Charlotte-s. Fillimisht asaj ky film iu duk një film me një subjekt që nuk i pëlqeu dhe, para se të vendoste, iu desh që të mendohej shumë me veten dhe të krijonte sigurinë dhe bindjen se vërtet dëshironte ta bënte një film të tillë. Megjithatë vendosi t’ia linte në dorë rrjedhës së gjërave. Dhe në fund të kësaj përvoje, të cilën ajo e cilëson të pazakontë, duket e kënaqur. Por edhe në këtë film duket se aftësitë e saj, për të cilat është çmuar gjithmonë, dolën në pah, duke i dhënë kësisoj vlerë të gjithë filmit në vetvete.

Aktorja thotë me bindje të madhe se është një njeri shumë i hapur, por, ndërsa e shikon, nuk është e vështirë të kuptosh se ajo ndërkohë është një person që e ka tërësisht nën kontroll veten. Ajo, edhe pse tjetër, nuk e ka problem të flasë për jetën dhe për personat që kanë qenë pjesë e saj. Nuk e bën asnjëherë dhe janë të pakta detajet që dalin nga goja e saj, në lidhje me të shkuarën. Kështu për shembull, shumë pak dihet për jetën e tanishme private, veç aktit se bashkëjeton në Paris me një partner me emrin Jean-Noel Tassez, me të cilin është lidhur që nga viti 1998. E gjithë kjo marrëdhënie e gjatë dhe intime është tërësisht jashtë temave të bisedës së saj. Edhe motrën e saj, Sarah, e cila kreu vetëvrasje në moshën 23-vjeçare, menjëherë pasi solli në jetë një fëmijë i lindur para kohe, ajo e përmend fare shkarazi. Dhe për hir të së vërtetës, është një nga ngjarjet që i ndryshoi rrjedhën e jetës, të paktën atë emocionale dhe qëndrueshmërinë shpirtërore, sepse përmasa e dramave të tilla, në fakt, nuk mund të mos të të ndryshojë jetën. Por kur flet për çështjet e dhimbshme të së shkuarës, zëri i saj, thjesht, ndryshon tonalitet, edhe pse sytë mund të vazhdojnë të jenë të padepërtueshëm. Ajo thotë se ka tentuar disa herë të shkruajë një autobiografi të sajën dhe, aq herë sa ka tentuar, aq herë është tërhequr pas për të njëjtën arsye: është shumë personale. Vite më parë, madje u tha se kishte nënshkruar një kontratë të majme me një shtëpi botuese, për të rrëfyer jetën dhe veçanërisht dy martesat e dështuara. Mendohej se do të ishte një libër, ku ajo do të rrëfente gjithsesi me kujdes jetën intime, një rrëfim, thelbi i të cilit do të ishte se, me gjithë problemet dhe vuajtjet në jetën e saj, ajo ka jetuar një jetë të denjë, të mbushur me suksese. Por doli se ishte një projekt që nuk funksionoi. Nga ana tjetër, ajo di të flasë për jetën e saj, jo duke rrëfyer në mënyrë të drejtpërdrejtë atë që i ka ndodhur dhe, që sipas saj, nuk është se mund t’i interesojë një njeriu, por përmes përjetimeve të asaj që i ka ndodhur. “Nëse do të tregosh thjesht ngjarje, ato nuk ndryshojnë nga ngjarjet e askujt. Çdo njeri ka dashuri, ndërkohë ka vdekje, vuajtje në jetë. Ajo çka dikë e bën të veçantë nga një tjetër është mënyra origjinale e të përjetuarit të një fakti të rëndomtë jetësor. Ajo që ndiejmë na bën të veçantë.”, thotë aktorja. Në këtë aspekt, është e gatshme që të diskutojë me orë të tëra për jetën, për uljet e ngritjet e saj. Në këto diskutime ka gjithçka dhe asgjë nga konkretja e jetës së saj, megjithatë është e magjishme dhe interesante ta dëgjosh. Një nga veçoritë e kësaj aktoreje është se bukurinë e saj kurrë nuk e ka vënë para gjërave të tjera. I pëlqen që të plaket në mënyrë të hijshme, pa ndërhyrje artificiale dhe është e bindur që gjithmonë do të ketë rreth vetes njerëz që do ta vlerësojnë jo për rrudhat e fytyrës, por për bukurinë e shpirtit.

Autor te 3 Korrik 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry