Banka Botërore: Me ritmin aktual, duhen disa dekada
ARD KOLA
Shqipëria është i vetmi rast që jep kompensim me vlerën aktuale të tregut pa kufizim. Ky është konkluzioni i studimit të kryer nga Banka Botërore, pas rishikimit të raportit mbi pronat, publikuar së fundmi. BB përpiqet të rekomandojë disa zgjedhje pa cenuar asnjërën palë, si buxhetin e shtetit, ashtu dhe grupet e interesit, pra ish-pronarët.
Fatura financiare e kompensimit të pronave vlerësohet, sipas çmimeve të tregut në rreth 30 miliardë euro, kurse me ritmet e deritanishme të kompensimit të kryer nga Agjencia e Pronave (AKKP), do të duhen të paktën edhe 30 vjet, në rastin më të mirë. Ky parashikim vjen nga BB duke u nisur nga disa vlerësime mbi faturën totale të kompensimit, që gjithsesi kërkon diskutim.
Në këto kushte, qeveria është e detyruar të rishikojë metodikën e vlerësimit të çmimit të tokës për llogari të kompensimit.
“Qasja për kompensimin, aktualisht e vendosur sipas vlerave aktuale të tregut pa asnjë kufizim, duhet të shqyrtohet në dritën e praktikës ndërkombëtare, përballueshmërisë fiskale dhe barazisë shoqërore”, thotë BB-ja. Në bazë të niveleve të kompensimit të pjesshëm të dhënë deri tani, kompensimi, qoftë edhe pjesërisht, i të gjithë kërkuesve që nuk e kanë marrë ende kompensimin do të ishte të paktën 625 milionë euro (më shumë se 7 për qind e PPB-së së Shqipërisë në vitin 2009), ndërkohë që kjo kosto rritet me rritjen e vlerës së pasurive të paluajtshme në vend, thotë BB-ja, e cila ka hasur në kundërshtitë e shoqatës së ish-pronarëve.
Qeveria nuk e ka ende të qartë se cila do të jetë skema, por nisur nga rekomandimet e Bankës dhe format e ndjekura nga vendet ish-komuniste, me shumë gjasa do të shkojë drejt tkurrjes së faturës.
“Një zgjidhje realiste do të kërkonte njëfarë modifikimi të skemës aktuale të kompensimit. Në këtë aspekt, Shqipëria mund të shikonte përvojën e vendeve të tjera në Europën Qendrore që kanë miratuar legjislacione për kthimin e pronave të shtetëzuara gjatë regjimit komunist dhe për pagesën e kompensimit për pronarët e shpronësuar, pronat e të cilëve nuk mund të kthehen”, thotë banka në raportin e fundit. Ecuria e deritanishme tregon për një numër të vogël individësh që kanë përfituar nga skema e kompensimit monetar, kurse ai fizik qëndron vërtet mbrapa si proces.
Pagesat
Shumica e dosjeve mbeten të pazgjidhura Buxheti nxjerr miliarda lekë, por individët s’besojnë tek AKKP
Arka e shtetit ka nxjerrë miliarda lekë, që prej vitit 2005 kur u miratua ligji i ri për pronat, por sërish konfliktet nuk kanë munguar, ashtu edhe besimi i publikut ndaj agjencisë më të madhe të pronave (AKKP). BB vëren faktin se, sikurse edhe në fusha të tjera, është paguar një përqindje e vogël e kërkesave për kompensim të trajtuara nga AKKP, për shkak të mungesës së fondeve. Ligji për kthimin dhe kompensimin parashikon metoda të ndryshme të kompensimit, duke përfshirë edhe kalimin e pronave shtetërore me të njëjtën vlerë, nëse kthimi i pronës origjinale nuk është i mundshëm. Ka përfunduar një inventar i pronave shtetërore, dhe një pjesë e këtyre pronave është caktuar të përdoret për kompensimin në natyrë. Mirëpo, thekson studimi, shumica e dosjeve të pazgjidhura do të duhet të zgjidhet përmes kompensimit monetar.
Prej vitit 2005, qeveria i cakton fonde nga buxheti AKKP-së për pagesat e kërkesave të miratuara. Ngaqë këto fonde janë të kufizuara, qeveria vendosi që çdo kërkues të marrë kompensim deri në 200 metra katrorë, pavarësisht madhësisë së
pasurisë të miratuar për kthim/kompensim.
Me pranimin e pagesës për 200 metrat katrorë, kërkuesi nuk heq dorë nga e drejta për t’u kompensuar për pjesën tjetër të pasurisë, nëse dhe kur do të vihen fonde të tjera në dispozicion. AKKP raporton se në periudhën 2005-2008 është dhënë kompensim deri në 1,5 miliardë lekë (një e treta e shumës gjithsej të miratuar). Në vitin 2009, janë paguar edhe 1,25 miliardë lekë të tjera, ndërsa për periudhën 2010-2011 buxheti i kompensimit ishte 1 miliard lekë.
Në muajin maj 2009, qeveria krijoi një llogari të posaçme për të mundësuar mbartjen e fondeve të kompensimit nga njëri vit fiskal në tjetrin, duke i dhënë më shumë elasticitet administrativ AKKP-së. “Mirëpo, sikurse thuhet më lart, AKKP nuk ka marrë fonde të mjaftueshme as nga buxheti e as nga ALUIZNI. Progresi i ngadaltë i procesit të kompensimit mund të jetë shkaktar i nivelit të ulët të besimit që ka publiku për AKKP-në”, thotë BB-ja.
Gjykatat nuk kanë pasur sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për pronat apo në vënien në zbatim të të drejtave mbi pronën, çka e ka mundësinë ta dëmtojë perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE.
Vitet
2009-2011 – Në vitin 2009, janë paguar edhe 1,25 miliardë lekë të tjera, ndërsa për periudhën 2010-2011, buxheti i kompensimit ishte 1 miliard
Kushti – Ngaqë fondet janë të kufizuara, qeveria vendosi që çdo kërkues të marrë kompensim deri në 200 metra katrorë, pavarësisht madhësisë së tokës
Shifrat – Skema konsiderohet e dështuar, pak përfitues
Të ardhurat nga legalizimet nuk mjaftojnë për ish-pronarët
Dispozitat për kompensimin e pronarëve të tokës së shpronësuar ekzistojnë, por tarifat që paguajnë kërkuesit e legalizimit janë më të vogla se shuma e nevojshme për kompensimin. Disa shtesa dhe ndryshime të tjera në ligjin e legalizimit, të bëra në vitin 2008, i thjeshtuan procedurat administrative për të siguruar legalizimin në të njëjtën kohë të ndërtesës dhe tokës ku është ngritur kjo dhe e sinkronizuan pagesën e kompensimi pronarëve të tokës së shpronësuar.
Megjithatë, në praktikë vetëm 874 pronarë të shpronësuar kanë marrë kompensim në lidhje me procesin e legalizimit dhe 1.300 dosje të tjera i janë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), ndërkohë që një numër shumë më i madh rastesh janë në pritje të kompensimit. Shifrat e marra nga ALUIZNI dhe AKKP-ja tregojnë se afro 4,5 miliardë lekë (mbi 30 milionë euro) është detyrimi për t’iu paguar 1.460 pronarëve të pasurive të shpronësuara, kërkesat e të cilëve janë miratuar me vendim qeverie.
ALUIZNI ka arkëtuar deri tani nga tarifat 30 milionë euro, nga të cilat një e dyta u është paguar kërkuesve të kthimit të pronave.
Kjo është larg shumës së nevojshme për të kompensuar pronarët e shpronësuar, çka do të thotë se përqindja më e madhe e kompensimit duhet të dalë nga burimet e buxhetit të shtetit, evidenton raporti i BB-së. Pranimi i bonove të privatizimit ka të ngjarë t’i heqë shtetit të ardhura të konsiderueshme publike të cilat mund të ishin përdorur për të kompensuar pronarët e shpronësuar, thotë BB-ja, megjithatë, shton institucioni, një pengesë për përfundimin e procesit mbetet mospagimi i tarifave nga shumë subjekte kërkuese të legalizimit.
Ekspertët e bankës rekomandojnë një zgjidhje të problemit, duke përfshirë edhe grupet e interesit. “Debati i hapur me pjesëmarrjen aktive të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile, në përgjithësi, do të ishte me dobi për gjetjen e një zgjidhjeje, e cila të mund të shihet si legjitime, e drejtë dhe e qëndrueshme në periudhën afatgjatë”, thuhet në raport. Çmohet se në të gjithë vendin janë ngritur pa leje rreth 350.000 deri në 400.000 ndërtesa. Sipas vlerësimeve, ndërtimet jo të ligjshme përbëjnë një të tretën e inventarit strehues gjithsej dhe kanë kushtuar afro 10 miliardë euro për t’u ndërtuar.
Vlerësimet
Vlera – Ndërtimet jo të ligjshme përbëjnë një të tretën e inventarit strehues gjithsej dhe kanë kushtuar afro 10 miliardë euro për t’u ndërtuar
Palët – Debati i hapur me pjesëmarrjen aktive të të gjitha grupeve të interesit, në përgjithësi do të ishte me dobi për gjetjen e një zgjidhjeje