Prandeli
Projekti vazhdon. Çezare Prandeli mbetet trajner i të kaltërve. E njoftoi të dielën, pas finales së Euro 2012, të humbur ndaj Spanjës. Dhe shpjegon arsyen mëngjesin pasardhës, në konferencën e fundit për shtyp në Krakovia, para nisjes për në Itali. Do të vazhdojë, sepse ndryshimi i ndërmarrë prej tij te të kaltrit ka nevojë për vazhdimësi për të qenë produktiv në kohë. Për të mos bërë hapa mbrapa: “Jemi një vend i plakur, me modalitete dhe struktura të vjetra. Ne kemi provuar të ndryshojmë, është një domosdoshmëri. Mund të jetë një shembull edhe për vendin. Ky është një projekt fitues për të gjithë futbollin, por nevojitet të binden të gjithë (referimi është për klubet dhe La Lega-n). Nëse duhet të kufizohem te tre stërvitje në çdo tetë muaj, bëhet e vështirë të kryej punën time. Madje falë mënyrës sonë të lojës i kemi dhuruar një ëndërr Italisë. Kjo skuadër ka qenë gjeneroze”.
Bilanci i EURO 2012 — “Mund të jemi krenarë për këtë Itali. Jemi të kënaqur, sepse shkuam përtej pritshmërisë sportive dhe kemi treguar një lojë të kënaqshme. I kemi dhuruar një ëndërr Italisë, edhe pse u nisëm pa pritshmëri të mëdha”.
Për ndryshimin — “Rezultati nuk duhet të kushtëzohet për një ide. Nuk duhet të bëjmë hapa mbrapa. Është aspekti që më shqetëson më shumë. Mund të jemi shembull edhe për vendin, po. Pastaj sigurisht, duhet të ndërlidhim lojën me rezultatin. Synuam të ndërtojmë kombëtaren me një mentalitet klubi. Po zhvillojmë një projekt, që e duam të jetë fitues.
“Nëse kthehem mbrapa…” – “Ndoshta në ndeshjen e fundit do të ishte dashur të kisha pak më shumë kurajë, por do të kishte qenë mungesë respekti ndaj atyre që na kishin çuar në finale”. Referimi duket për ndonjë lojtar jo në formë fizikisht.
Pendimi — “Do të kisha dashur të përballesha me Spanjën me dy ditë pushim më shumë, por u bëj komplimente atyre: vazhdimësi e mrekullueshme”.
Fitorja — “Do u kishte bërë mirë të gjithëve, por edhe mund t’u kishte humbur ekuilibrin shumë të tjerëve. Ndoshta nuk jemi ende gati. Kur të jemi më në formë, ndoshta do të jemi gati edhe për të fituar, në vitet pasardhëse”.
Probleme logjistike — “Ndeshja jonë e ardhshme, miqësorja me Anglinë, do të luhet më 15 gusht, por pak ditë më përpara luhet Superkupa italiane në Pekin. Është e komplikuar. Kur ju them se nuk ua ndien aspak për kombëtaren, është e vërtetë”.
Të rinjtë — “Ka një projekt teknik, do të synojmë të gjejmë pirlot e rinj, por nëse nuk luajnë, bëhet e vështirë t’i rrisim. Do të kërkojmë të kemi hapësirë për të punuar me ta çdo dy muaj, për të verifikuar përmirësimin e djemve premtues. Nëse duhet të kufizohem në 3 stërvitje çdo tetë muaj, bëhet e vështirë. Edhe pse besoj se di ta bëj mirë punën time, dhe se e kam treguar këtë në Europian”.
ABETE — Akuzon edhe presidenti i Federatës, Xhankarlo Abete: “La Lega nuk ka pasur kurrë një rol kaq të parëndësishëm, në krahasim me Federatën. Mungesa e një projekti të tyre është i dëmshëm për sistemin e futbollit. Nuk ka një ndërmjetësim. Jam një tifoz i Italisë dhe më vjen turp për të gjithë ata që nuk bëjnë tifo për kombëtaren”.
Analiza
Historia aktuale është e pamëshirshme ndaj Italisë dhe certifikon që në finale nuk di më të fitojë. Nga fitorja e Botërorit 1982, të kaltrit kanë arritur në fund të kompeticioneve katër herë mes europianëve e botërorëve, duke humbur 3 dhe duke fituar vetëm 1, me penallti ndaj Francës në natën magjike të Berlinit. Pjesa tjetër vetëm humbje: USA ’94 “k.o.” me penallti ndaj Brazilit; Euro 2000 dhe golden goli i Trezege; me Spanjën zhgënjimi më i freskët. Më parë në finale nuk dështonin asnjëherë, ose pothuajse. Nga Botërori 1934, kur Italia triumfoi në shtëpi në takimin e parë me historinë, në finale ka shkuar plot 10 herë, përfshi edhe fitoren olimpike të Berlin 1936. Fitoi sërish në Botërorin 1938 dhe triumfoi në Europianin 1968, duke kaluar më pas në humbjen e Meksikë 1870, 4-1 ndaj Brazilit dhe te ndeshja perfekte ndaj Gjermanisë. Deri sa arriti në Botërorin 1982, me një mbyllje të pjesshme të ciklit. Cikël që u rihap pas 10 vitesh. Deri këtu gashtë finale dhe 5 fitore. Italia ishte thuajse e përsosur në ndeshjet që vlejnë. Po më pas? Historia ka ndryshuar dhe thotë se nga 1994-a në 2012-n të kaltrit kanë arritur 4 herë në finale duke humbur tre. Penalltitë ishin fatale në USA ’94, me lotët e Barezit që bënë xhiron e botës. I njëjti fat në Euro 2000, ku nuk patën as kohën për të arritur te penalltitë, sepse Trezege i ndëshkoi me të famshmin golden gol. Një gëzim i vetëm, ai i 2006-s së pashlyeshme, kur Groso mposhti Bartezin dhe mori, bashkë me gjithë Italinë, një revansh botëror, duke u hakmarrë për humbjen e 6 viteve më parë. Pastaj vjen “Furia e Kuqe”, ajo që copëton Italinë dhe i mohon Prandelit të çojë në shtëpi një Europian, i cili mungon prej 44 vitesh.