“Organizatore”, mësuesja e fizkulturës. Denoncuesi, daja i dy nxënësve


Sokol Çobo


Mësuesja e fizkulturës në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamzë, e cila u arrestua ditën e shtunë nga policia, ka organizuar koleget e punës për të “ndihmuar” dy nxënëse në provimin e maturës, kundrejt një shpërblimi financiar. Nevila Fiku punonte prej disa vitesh në këtë gjimnaz dhe kishte ngritur një “skemë” për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të dobët në provimet e Maturës Shtetërore. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës pohon se ka zbardhur të gjitha veprimet e katër mësuesve të këtij gjimnazi. Sipas tyre, nga hetimet njëmujore ka rezultuar se “organizatorja” ka qenë mësuesja e fizkulturës, Nevila Fiku, e cila njihej edhe si “sekseria” midis nxënësve edhe mësueseve të tjera. Nga përgjimet e prokurorisë ka rezultuar se “bashkëpunëtore” të Nevilës ishin Arjana Metaliaj, Fatbardha Mahmutaj dhe Klodjana Kryemadhi.


“Hetimi filloi pas denoncimit të një shtetasi, daja i dy nxënëse në gjimnazin ‘Ibrahim Rugova’ në Kamzë. Ai ka pretenduar se një nga mësueset u kishte premtuar mbesave se do i ndihmonte në provimin e maturës kundrejt 25 mijë lekëve të reja dhe pas daljes së rezultatit edhe shumën tjetër”, pohoi prokuroria, e cila pajisi me aparate telefonike dy nxënëset. “Pas kontaktit me dajën e mbesave, Nevila ka takuar të pandehurat Arjana, Fatbardha dhe Klodjana (mësuese të letërsisë dhe historisë), duke u kërkuar që në këmbim të një shpërblimi financiar do të mblidhen ditën e provimit të Maturës Shtetërore dhe të zgjidhin tezën e rënë në provim”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila saktëson se “plani” ka filluar të zbatohet ditën e shtunë, kur gjimnazistët e “Ibrahim Rugovës” në Kamzë po zhvillonin provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore.


Ditën e provimit, nxënëset kanë dorëzuar nga një telefon në hyrje dhe tjetrin nuk e kanë dorëzuar. Nevila ka mundur të “korruptojë” kontrollorët e provimit, duke lejuar që dy nxënëset të kenë një aparat celular në auditorët e shkollës. Plani ka ecur për mrekulli, pa e ditur se pas gjithë kësaj “skeme” qëndronin disa agjentë të policisë, që kishin në përgjim disa mësues dhe nxënës.


“Gjatë zhvillimit të provimit me zgjedhje, katër mësueset janë ulur në një lokal. Në telefonin e Nevila Fikut kanë mbërritur mesazhet e para, ku kërkohej ndihmë për një pyetje. Mësueset kanë zgjidhur pyetjen, duke parë edhe librat që kishin në tavolinë dhe sërish nëpërmjet SMS-së u kanë kthyer përgjigjen nxënësve”, pohojnë burimet nga akuza. Sipas tyre, në telefonin e mësueses së fizkulturës kanë mbërritur të tjera mesazhe nga dy maturantet që kërkonin “ndihmë”.


Sipas akuzës, agjentët e policisë kanë ndërhyrë në momentin e përfundimit të provimit të Maturës Shtetërore. Dy maturantet i kanë dhënë një zarf Nevila Fikut dhe në të gjendej një shumë me rreth 25 mijë lekë. Nga zbardhja e përgjimit rezultoi se këto shtetase merrnin rreth 40 mijë lekë për “ndihmën” e një nxënësi në Maturën Shtetërore. Pjesa e “shpërblimit” ndahej në katërsh, ku secila përfitonte 10 mijë lekë. Burime nga prokuroria pohojnë se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefonat celularë të katër mësuesve, ku dhe janë gjetur SMS-të e nisura në drejtim të dy nxënësve. “Kemi sekuestruar celularët e katër mësuesve, ku janë gjetur tekstet që u janë dërguar nxënësve. Gjithashtu kemi sekuestruar edhe telefonat celularë të dy nxënësve, ku detajohet i gjithë komunikimi mes tyre”, pohojnë burimet nga prokuroria. Akuza thotë se janë sekuestruar edhe librat që kishin në tavolinë mësueset.


Ndërkohë, katër mësueset ndodhen në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa Njësia Task-Forcë pohon se ka dërguar kërkesat për masë sigurie në gjykatë. Nga të dhënat paraprake rezulton se prokuroria do të kërkojë masë lehtësuese ndaj mësuesve (detyrim paraqitjeje ose arrest shtëpie) dhe pezullim nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Akuza saktëson se masa lehtësuese do të kërkohet për shkak të kushteve të vështira ekonomike të të arrestuarave dhe fëmijëve të mitur që kanë në kujdestari.


Sekuestrohen librat – Krahas telefonave celularë të përdorur, prokuroria sekuestroi edhe librat që kishin në tavolinë mësueset


Komunikimi me SMS – Janë sekuestruar telefonat celularë të mësueseve dhe dy nxënësve, ku po zbardhet i gjithë komunikimi me SMS