Durrës, prokuroria regjistron procedimin e parë penal për zhurmën e krijuar nga një restorant në Gjirin e Lalëzit
Fillimi i korrikut ka shënuar edhe rritjen e ndotjes akustike në bregdetin e Durrësit, duke cenuar kështu edhe cilësinë e jetës së pushuesve dhe banorëve të zonave bregdetare. Ky fillim muaji është karakterizuar me një valë të re pushuesish në plazhet e Durrësit, ndërsa ka regjistruar edhe të parin procedim penal për një prej administratorëve të bar-restoranteve që ngrihen përgjatë plazheve dhe ofrojnë muzikë në orët e natës, përtej orarit kufi të vendosur, si dhe përtej normave të lejuara të volumit të lartë që shndërrohet në zhurmë. Më 1 korrik raportohet zyrtarisht të ketë nisur procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të një 22-vjeçari me banim në Allias të Tiranës, i cili përgjatë këtij sezoni është administrator në një nga bar-restorantet e Gjirit të Lalëzit në Komunën Ishëm të Durrësit. Hetimet ndaj këtij personi filluan pasi gjatë një kontrolli të ushtruar rreth orës 00.00 nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në drejtim të respektimit të orareve të muzikës kënduar drejtpërdrejt nga këngëtarët e ftuar, në këtë lokal u konstatua aplikimi i muzikës në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 587 të datës 7 korrik 2010 “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”. Ndaj 22-vjeçarit rëndon akuza e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, vepër penale kjo e parashikuar në Kodin Penal. Krijimi i zhurmave konsiderohet kundërvajtje penale dhe sanksioni për këtë është dënimi me gjobë, vlera e së cilës nuk është përcaktuar duke e lënë në çmim të gjyqtarit, ose me burgim deri në dy vjet. Policia e Durrësit në prag të nisjes së sezonit turistik bëri të ditur se për subjektet që aplikojnë muzikë në mjediset e hapura, orari i lejuar për ditët e premte dhe të shtuna është ora 19.00 – 00.00, ndërsa për ditët e tjera të javës nga ora 19.00 – 23.00, duke respektuar edhe në këto orare normat e lejuara të zhurmës. Po në plazhe normat e lejuara të zhurmës nuk respektohen, duke u kthyer në burim të ndotjes akustike që kërcënon shëndetin mendor dhe fizik të pushuesve dhe banorëve. Reagimet nga pronarët dhe administratorët e lokaleve që ofrojnë muzikë janë të ashpra deri në kërcënime teksa shohin gazetarë që duan të raportojnë situatën gjatë netëve në plazh. Në emër të miliona lekëve investime që ata bëjnë në lokale dhe marrjen e këngëtarëve kërkojnë “të mos u prishësh biznesin, në të kundërt nuk i dihet, sipas tyre, se ç’të pret! Disa shkojnë dhe më tej duke thënë se “përfundon në det, ushqim për peshq”. v.q.
PASOJAT
Studimet kanë treguar se nivelet e larta të zhurmave, qofshin këto dhe të prodhuara nga tinguj muzikorë, mund të çojnë në humbje të pjesshme a të plotë të dëgjimit, rrisin presionin e gjakut, sjellin lodhje, largojnë gjumin, rrisin nivelin e stresit dhe shkaktojnë probleme me tretjen dhe përqendrimin.
Fenomeni
Durrës, privatët nuk i lirojnë plazhet publike
Edhe pse ishte deklaruar se që nga 1 korriku hapësirat e lëna për plazhe publike në Durrës do të liroheshin, asgjë nuk është bërë. Subjektet private vazhdojnë të shfrytëzojnë për qëllime fitimi brezin ranor, duke u konfliktuar me pushuesit dhe detyruar ata të migrojnë pa zënë vend asgjëkund ose të paguajnë tarifën e vendosur prej tyre. E gjithë sipërfaqja e plazhit është e mbuluar me shezlongë dhe çadra, të cilat përpos të tjerave shtrihen deri në kufi me ujin e detit, duke zënë në segmente të caktuara edhe atë pjesë të bregut që përdoret rëndom për lojërat me top a me rërë, si dhe qëndrimin e fëmijëve. Në zbatim të ligjit për lënien e lirë të tyre duhet të jetë policia bashkiake, si dhe inspektorët e tatimeve, por aksionet e këtyre subjekteve, veçanërisht ato të policisë bashkiake që duhet të mundësojë plazhet publike, janë sporadike. Kryesisht të diktuara nga reagimet e pushuesve përmes publikimeve në organet mediatike. Pas aksioneve gjithçka kthehet në gjendjen e mëparshme dhe personat abuzivë vijojnë të shpërfillin ligjin dhe autoritetet shtetërore në dëm të pushuesve të shumtë që frekuentojnë këtë plazh në ditët e nxehta të korrikut.