Akuzat


Deputetët e opozitës kanë trokitur në derën e Ministrisë së Mbrojtjes


Opozita do të kontrollojë dhe dokumentet sekrete në Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me shitjet e armëve. Shtatë anëtarët e opozitës në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ‘trokitën’ dje në Ministrinë e Mbrojtjes, për t’i paraqitur zyrtarisht kërkesat në lidhje me vendimin e marrë për hetimin e këtij dikasteri. Pas një pritje të gjatë në vendin e rojës, deputetët opozitarë janë takuar me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri. “Ne do të përpiqemi dhe do të flasim me dokumente, pasi të verifikojmë në vend të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për hyrjet-daljet, shitjet e armëve, apo qoftë edhe blerjet e dyshimta për të cilat ne kemi informacion, por që ka nevojë për t’u verifikuar dhe që nuk mund të publikohen për momentin. Të paktën ky miratim që na u dha sot, të mos jetë vetëm për të fituar kohë, por të jetë një shenjë për bashkëpunim apo thirrje arsyes apo logjikës për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit”, deklaroi Ilir Gjoni, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Deputeti i opozitës u shpreh se ndaj ministrit të Mbrojtjes, kreu i qeverisë duhet të kishte marrë masa për shkarkimin e tij muaj më parë, kur Imami emëroi dhe shkarkoi gjeneralë, duke cenuar rëndë ligjin. “Do t’u sjell vetëm rastin e gradave dhe deklaratën e tij në Komisionin e Sigurisë që çështja e gradimit dhe e zhgradimit është një çështje diskrecioni. Mjaftonte kjo deklaratë për mua që Kryeministri të merrte një masë ndaj këtij ministri”, theksoi socialisti Gjoni. Gradat në Ministrinë e Mbrojtjes gjithashtu do të jenë objekt i mbikëqyrjes në Ministrinë e Mbrojtjes. Socialistët prej disa kohësh kanë kërkuar që ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, të raportojë në Komisionin e Sigurisë për këto çështje, por sipas tyre, ministri në shkelje të ligjit për informimin e deputetëve, nuk i është përgjigjur ftesës së tyre. Grupi mbikëqyrës që PS ka kërkuar, do të dalë me një raport për inspektimin në muajin tetor. Ministria e Mbrojtjes ka përcaktuar datën 10 korrik për një takim tjetër me të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, për të caktuar axhendën. Hetimi duhet të përfundojë brenda muajit dhjetor nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë. Deputetët e opozitës shprehen ndërkohë se nuk mendojnë se Ministria e Mbrojtjes mund t’i nxjerrë artifica, apo pengesa për ushtrimin e detyrës ligjore, atë të kontrollit të një institucioni. B.HOTI


 


Siguria


Hetimi – Opozita ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për hetimin e punës së Ministrisë së Brendshme. Komisioni e ka pranuar një kërkesë të tillë


 


Dogana:


Në dy muaj eksportuam 466 tonë armatime


Liberalizimi i tregtisë së armëve në vendin tonë po sjell efekte të konsiderueshme në zhvillimin e sektorit më të ri. Pas MEICO-s, ndërmarrja shtetërore e import-eksportit të armëve dhe municioneve, e cila për vite me radhë kishte monopolin e aktivitetit, tashmë Ministria e Mbrojtjes ka licencuar disa shoqëri private në fushën e armatimeve, që në total janë rreth 6 subjekte.


Në raportin e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mbi situatën e tregtisë me jashtë për dymujorin e parë të vitit 2012, jepen të detajuara të dhënat mbi nivelin e eksporteve dhe importeve për armët dhe municionet e tyre. Nga të dhënat duket qartë se ka ‘bum’ eksportesh të armatimeve drejt vendeve të ndryshme, në vlerë dhe sasi, por nuk jepet vendi se ku shkon “malli”. Kështu, eksportet janë rritur me 20 për qind, duke regjistruar nivelin e 466 tonë armatimeve vetëm si dymujor, kurse si vlerë janë afro 500 mijë dollarë. Tendencë konstante e tregtimit të armëve, sa i takon importeve, pasi të shprehur në ton, (sasi) kemi një mesatare afër 40-s, por si dymujor kemi blerë, pra importuar nga jashtë afro 55 tonë, me vlerë gati 30 mijë dollarë.


A.K.