Gjyqet


Në procesin ndaj Prendit dëshmon një i plagosur dhe gazetari i dhunuar 


Ish-shefi i rrjetit kompjuterik në Kryeministri, Armando Kasaj, i akuzuar për fshirje të serverit të Kryeministrisë më 21 janar, nuk do t’i nënshtrohet një hetimi gjyqësor, por do të gjykohet me procedurë të shkurtuar. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e të pandehurit, i cili nuk ka pranuar akuzën, por vetëm provat e paraqitura nga prokuroria në gjykim.


Me kërkesën e të akuzuarit ishte dakord edhe prokurori i çështjes, Ndini Tavani, i cili kërkoi kohë deri më 12 korrik për të paraqitur konkluzionet përfundimtare. Tashmë, Kasa, megjithëse hetohet dhe gjykohet në gjendje të lirë, do të përfitojë edhe uljen e dënimit përfundimtar një të tretën.

Ndërkohë, në procesin tjetër, ku të pandehur janë Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume, vijoi pyetja e dëshmitarëve të akuzës. Para togave të zeza dëshmoi gazetari Ened Janina, si dhe dy ish-protestues të plagosur, Ilia Papa dhe Ilia Qesku. Gjatë dëshmisë së tij, gazetari Janina tregoi se rreth orës 16:00, Garda kishte nisur të qëllonte me fishekë luftarakë dhe këtë ai e kishte kuptuar nga flaka e armëve dhe thyerja e degëve të pemëve përreth. Janina tregoi edhe në lidhje me dhunën që ishte ushtruar ndaj tij nga policia, megjithëse kishte pasur me vete dokumentin e gazetarit. Ndërsa dy dëshmitarët e tjerë të ardhur nga Saranda, Ilia Papa dhe Ilia Qesku, nuk kanë qenë në gjendje të përcaktonin se nga u kishin ardhur plumbat, me të cilat u plagosën, megjithëse saktësuan se kishin mësuar se plumbat kanë ardhur nga Kryeministria.