Që nga koha kur ishin studentë, Elian Stefa dhe Gyler Mydyti i janë kushtuar studimit të 750 mijë bunkerëve në të gjithë Shqipërinë. Tashmë, studimi i tyre është kthyer në një projekt të mirëfilltë, një guidë se si bunkerët e ushtrisë mund të marrin funksione të reja
Oliverta Lila
Që prej vitit 2008, Elian Stefa dhe Gyler Mydyti, janë marrë vazhdimisht me bunkerët shqiptarë. Nga një temë diplome si studentë të Politeknikumit të Milanos, puna e tyre është kthyer në një projekt të mirëfilltë për ripërdorimin e bunkerëve që ndodhen anekënd Shqipërisë. Si mund të shndërrohen 750 mijë bunkerët e trashëguar nga periudha e komunizmit? I shpallur si një ndër dy projektet më të mira studentore në një konkurs të realizuar nga Ministria e Kulturës, studenti nga Vlora dhe vajza nga Kosova, parashikojnë t’i përshtasin si dhoma pushimi (tip bujtinash), kioska informuese turistike, dyqane të ndryshme, suvenire etj. E kanë titulluar simbolikisht “Concrete Mushrooms”. Këtij projekti i kanë dedikuar një broshurë informative, foto të ilustruara të transformimeve të mundshme, por edhe një dokumentar të shkurtër. Në intervistën e mëposhtme, Eliani tregon më shumë për këtë projekt sensibilizues.
Projektin tuaj ia keni kushtuar pikërisht bunkerëve në Shqipëri. Pse zgjodhët pikërisht këto objekte?
Zgjedhja e bunkerëve ishte si rezultat i temës “Cultural Planning and Communication” ku na kërkuan të gjenim një element të territorit që mund të quhej “ikonik”. Si unë dhe Gyleri kemi jetuar një pjesë të madhe të jetës sonë në shtete të ndryshme. Duke ftuar miqtë e huaj në Shqipëri për pushime, doli në pah që një nga elementët që i habiste më shumë mysafirët ishin bunkerët dhe prania e tyre kudo. Na u duk si temë e rëndësishme për ta përballuar dhe si një përfitim i mundshëm për të gjithë, të huaj dhe shqiptarë.
Në projekt flitet për ripërdorimin e 750 mijë bunkerëve shqiptarë. A keni bërë një studim paraprak, i keni parë nga afër këta bunkerë?
Bunkerët i njohim shumë mirë dhe i kemi vëzhguar hollësisht. Propozimi ynë është më shumë konceptual, për të krijuar debat mbi rolin që këto objekte kanë pasur në historinë shqiptare. Tashmë bunkerët po zhduken, sidomos pranë zonave që mund të arrihen me mjete pune. Sidoqoftë, ngelet një numër shumë i madh bunkerësh në gjithë territorin shqiptar dhe “Concrete Mushrooms” prezantohet si një projekt sensibilizimi.
Cilat zona apo qytete kanë qenë më shumë në interesin tuaj? Ku gjenden më shumë të përqendruar?
Projekti pilot që dëshirojmë të vëmë në jetë është në zonat e rivierës si Borshi ose Qeparo, ku ka një përqendrim më të lartë bunkerësh dhe natyra është mahnitëse. “Concrete Mushrooms” si projekt është modeluar si dhe bunkerët vetë, kështu që transformimet mund të aplikohen kudo që të ketë vlerë funksionale.
Ju propozoni ripërdorimin e tyre. Në çfarë konkretisht mund të kthehen këta bunkerë; hotele, bare…? Kanë përmasa që e lejojnë këtë gjë?
Deri tani, kemi parë dhe dokumentuar disa bunkerë që janë transformuar në mënyrë informale në funksione të ndryshme; si për shembull, restorantet-bunker në Durrës, depo stazhonimi vere dhe rakie, ose dhe funksione më tradicionale si kotec pulash dhe WC.
Cilat janë përmasat e bunkerit më të madh në Shqipëri?
Shqipëria është plot me bunkerë dhe ka shumë struktura specifike të përmasave të mëdha në pika strategjike. Tunele dhe depo ushtarake janë ende pa fund dhe ngelen të paeksploruara. Projekti “Concrete Mushrooms” merret në përgjithësi me bunkerët klasikë “Qendër Zjarri”, dhe bunkerët për artileri “Pikë Zjarri”, të cilët janë të shumtë në numër dhe gjenden në gjithë territorin shqiptar.
A do të kushtonte shumë ta transformoje një bunker, ta bësh funksional?
Transformimet që propozohen nga projekti ynë janë qëllimisht të realizueshme me shpenzime minimale dhe janë shpjeguar me një gjuhë ilustrative, e cila do të lejojë këdo, edhe jo profesionistë të ndërtimit të transformonin bunkerin në bahçen e tyre. Për shembull, transformimi që propozojmë në funksion të turizmit si kamping do të kushtonte rreth 150 euro për çdo njësi treshe.
Mendoni se ka interes të qytetarëve për t’i shfrytëzuar?
Nuk është e thënë që të gjithë ata që shohin një bunker do duan të kenë të bëjnë me të, por në shume raste bunkeri mund të kryejë një funksion. Duke konsideruar se sa na kanë kushtuar si vepër në total, nuk do ishte gjë e keqe të bëheshin funksionalë. Gjithashtu këto objekte kanë vlerë historike. Nuk është synimi ynë që të mbrojmë bunkerët e Shqipërisë, por sidoqoftë, disa duhet të ngelen si kujtim i asaj çfarë nuk duhet bërë.
Do të nisni konkretizimin e këtij projekti?
Nëse kemi suportin e duhur nga autoritetet përkatëse dhe financimin e nevojshëm, nuk shoh asnjë arsye përse të mos nisim. Për më shumë informacion ose bashkëpunime, na kontaktoni tek [email protected]
150 euro – Do të kushtonte transformimi që propozojnë Stefa dhe Mydyti në funksion të turizmit, si kamping të çdo tre bunkerëve të vendosur në bregun shqiptar.
Elian Stefa
Ka lindur më 1985, në Vlorë. Në vitin 1991, familja e tij u transferua për një periudhë 4-vjeçare në Athinë, Greqi dhe përfundimisht në Toronto, Kanada, ku Eliani kaloi pjesën tjetër të adoleshencës së tij. Në vitin 2003 fillon studimet mbi Shkencat Arkitektonike në Politeknikun e Milanos, Itali.
Duke pasur një interes të veçantë në hapësira publike dhe në zhvillime të qëndrueshme, ai e vazhdoi karrierën akademike në Politecnico di Milano, në degën “Landscape Architecture Master Programin”. Gjatë studimeve post diplomimit, pati mundësi të punonte nën mbikëqyrjen e arkitektëve të njohur si Stefano Boeri, Cino Zucchi dhe Remo Dorigati. Disertacioni i tij u mbajt më 22 dhjetor 2009, ku Elianit iu dha diploma e vlerësuar me nderime të larta (110L) në arkitekturë për projektin “Concrete Mushrooms”, për të cilën ai bashkëpunoi me Gyler Mydytin. Aktualisht punon si kurator me bazë në Milano, duke u angazhuar në shfaqje të ndryshme në dy vitet e shkuara: bashkëpunime si Biennale EXD’11 Lisboa, Triennale di Milano, Harvard GSD dhe aktualisht vepron si kurator i asociuar dhe koordinator i përgjithshëm i “Istanbul Design Biennial”.
Gyler Mydyti
Ka lindur në vitin 1984 në Prizren, Kosovë. Edhe pse pasojat e paqëndrueshmërisë politike në Kosovë e bëjnë atë të jetojë në vende të ndryshme, kjo u bë një mënyrë e jetesës së saj, duke qenë gjithnjë e më shumë kureshtare për kultura të ndryshme të botës së globalizuar. Ajo u diplomua në Arkitekturë në Universitetin Teknik të Stambollit në vitin 2007 dhe iu dha çmimi me titullin studentja më e mirë e huaj në universitet. Pas mbarimit të studimeve, ajo vendosi të aplikojë për “Landscape Architecture Master Program” në Politeknikun e Milanos. Ka bashkëpunuar me Elian Stefën për projektin “Concrete Mushrooms”. Gyler Mydyti vazhdon doktoraturën pranë Politeknikut të Milanos dhe si profesore asistente e kurseve të programit master.
