Fredjan Zalla ndoqi 45 minuta administratorin e fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës


Sokol Çobo


Fabrika e Cimentos ne Fushe KrujeProkuroria ka zbardhur kanosjen dhe kërcënimin ndaj Charles Bouri-t, administratorit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, ku Fredjani, një banor i fshatit Zall, që mban të njëjtin mbiemër me fshatin, i ka dërguar tri mesazhe kërcënuese. Në njërin prej tyre, Fredjani i shkruan Bouri-t se “megjithëse lëviz me makinë të blinduar, ne do të gjejmë”. Ndërsa tekstet e mesazheve të tjera janë edhe më kërcënuese, ku i përmendet se mund të pësojë të njëjtin fat me kolegun që u hodh në erë në afërsi të ambasadës amerikane në Tiranë. Një tjetër detaj në dosje është se banori i fshatit Zall në Fushë-Krujë ka ndjekur administratorin e fabrikës së çimentos për 45 minuta.


Dosja e prokurorisë


Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në datë 24 qershor 2012, Fredjan Zalla i ka dërguar tri mesazhe kërcënuese shtetasit Charles Bouri, administrator i përgjithshëm i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Të njëjtat mesazhe, me të njëjtin tekst, Fredjani ia ka dërguar shtetasit Jorge Jeha. “Në datën 26 qershor, rreth orës 19:00, shtetasi Fredjan Zalla ka shkuar pranë një hoteli në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, i shoqëruar nga disa persona, në kohën që aty ka qenë duke pirë kafe shtetasi Charles Bouri me dy miq të tij. Fredjan Zalla ka qëndruar 45 minuta te hoteli, duke u bërë shqetësim për shtetasin Bouri”, pohojnë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, më pas Fredjani është larguar me automjetin ngjyrë gri, tip “Audi” me targë DR 0028 E. “Prania e këtij shtetasi në këtë ambient ka qenë kërcënim për shtetasin Charles Bouri”, pohon akuza, duke saktësuar se edhe vetë Fredjan Zalla e ka pranuar faktin që ka qenë te hoteli dhe i ka çuar disa sms në drejtim të të dëmtuarit. Pas dërgimit të mesazheve dhe pas kanosjes, policia gjyqësore ka bërë edhe arrestimin në flagrancë të tij. “Ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova, se i arrestuari ka kryer veprën penale të “kanosjes” dhe të “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike në dëm të shtetasve Charles Bouri dhe Jorge Jeha”. I arrestuari ka cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të garantuar paprekshmërinë fizike të personit, qetësinë e tij të mbrojtur nga Kushtetuta dhe posaçërisht nga legjislacioni penal. I arrestuari është dënuar më parë për të njëjtin fakt dhe është liruar nga burgu në datën 30 maj.


 


Dosja në Krujë


Pas hetimeve paraprake, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën e kësaj çështjeje, pasi ka rezultuar se mesazhet kërcënuese ndaj Bouri-t janë shkruar në Fushë-Kujë dhe jo në Tiranë. “Kemi faktuar se mesazhet e para që i janë dërguar Bouri-t janë shkruar nga Fushë-Kruja, kjo e bazuar edhe nga të dhënat e kompanive të telefonisë celulare. Për këtë arsye kemi bërë delegimin e këtij procedimi penal në Prokurorinë e Krujës”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit. Pas vrasjes së palestinezit Anuar Rizik, kërcënimet ndaj pronarëve të fabrikës së çimentos janë vlerësuar më seriozisht, kështu që është vendosur arrestimi i 27-vjeçarit nga fisi Zalla. Ndërkaq, disa javë më parë, një tjetër sasi eksplozivi u vendos në zonën e fabrikës. Për këtë ngjarje, policia shoqëroi mbi 20 persona, por pa arritur identifikimin e autorit. Ndërkohë vrasja e Rizik mbetet ende e pazbardhur dhe prokuroria ia ka kthyer dosjen policisë për hetime të mëtejshme, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes, është përqendruar në dy pista kryesore hetimi, atë të konfliktit mes pronarëve të fabrikës me pronarët e truallit ku ngrihet objekti, si dhe në pistën e konkurrencës mes fabrikave që prodhojnë çimento në zonën e Fushë-Krujës, me synim zgjerimin e tregut. Burime policore bëjnë të ditur se ka gjasa që pista e dytë të jetë edhe kryesore, pasi konkurrentët në biznes mund të shfrytëzojnë konfliktin e hershëm të fabrikës me banorët e Zallës, për të humbur gjurmët dhe për të krijuar një klimë aspak të favorshme për drejtuesit e saj.


 


Ndjekja në hotel


Në datën 26 qershor, rreth orës 19:00, Fredjan Zalla ka shkuar pranë një hoteli ku ndodhej duke pirë kafe Charles Bouri me dy miq të tij. Fredjan Zalla ka qëndruar 45 minuta te hoteli, duke u bërë shqetësim për Bouri-n


 


Aksionerët


Aktiviteti i fabrikës dhe konflikti me banorët


Charles Bouri është administratori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Ai është djali i një prej aksionerëve kryesorë të fabrikës dhe i vënë në këtë detyrë disa vite më parë. Madje figuron kushëri me Anuar Rizik, ish-zv.drejtori i fabrikës që u ekzekutua pranë ambasadës amerikanë në Tiranë me lëndë eksplozive. Prej vitesh të tëra po zhvillohen ngjarje kriminale që kanë tendencë dëmtimin e fabrikës së çimentos dhe vënien nën presion të pronarëve të kësaj fabrike. Sulmet dhe agresionet me lëndë plasëse ndaj objekteve që lidhen me fabrikën e çimentos janë shtuar ditë pas dite. Kulmi i ngjarjes ishte vrasja e Anuar Rizik, ndërsa nuk kanë munguar as mesazhet kërcënuese ndaj aksionerëve të tjerë të fabrikës.