Një mandat “ekzekutiv” për EULEX-in

Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë nuk i lë misionet ndërkombëtare pa kompetenca

Përfundimi i fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë nuk do të jetë edhe fundi i kompetencave ekzekutive që misionet ndërkombëtare do t’i kenë në Kosovë.

Edhe pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, që pritet të ndodhë në shtator, e mandatuar për të vlerësuar arritjet në zbatimin e Planit të Ahtisarit, si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, misionet e tjera ndërkombëtare do të vazhdojnë të kenë një rol mjaft të rëndësishëm.

Përveç misionit paqeruajtës të forcave të KFOR-it, që komandohen nga NATO-ja, këtu veçohet sidomos roli i misionit të Bashkimit Europian për sundim të ligjit – EULEX.

Është vetë kryeministri Hashim Thaçi ai, i cili thotë se, edhe pas fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, institucionet e Kosovës do të sigurojnë një bazë ligjore për kompetencat ekzekutive të EULEX-it.

“Ne jemi të zotuar që të gjejmë bazën adekuate ligjore për të mundësuar vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe kompetencat ekzekutive të tij deri në qershor të vitit 2014”, është shprehur Thaçi, pa specifikuar më shumë me kompetencat që do t’i sigurohen EULEX-it me anë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Për shkak të mungesës së unitetit brenda BE-së, në lidhje me pavarësinë e Kosovës, EULEX-i vepron në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka një zinxhir të unifikuar komandues në Bruksel.

Lidhur me rolin e misionit të BE-së në Kosovë, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së diplomacisë europiane, Ketrin Eshton, thotë se Kosova mbetet prioritet për Bashkimin Evropian.

“Në shumë raste e kemi thënë që Kosova ka perspektivën europiane, sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.”

“Ne jemi të përkushtuar që të kemi rolin udhëheqës, për ta ndihmuar Kosovën në angazhimet e saj për reforma europiane, si dhe do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmën tonë përmes përfaqësuesit special të BE-së”, deklaron Kocijançiç.

“Përmirësimet në fushën e sundimit të ligjit mbeten prioritet në Kosovë  dhe se EULEX-i për këtë qëllim është atje”, thotë Kocijançiç.

“Prandaj, EULEX-i do të vazhdojë t’i ushtrojë funksionet që ka në bazë të mandatit që i është dhënë me vendimin e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe në harmoni me ligjet vendase”, thekson zyrtarja e BE-së.

“Kjo bazë ligjore do të jetë në përputhje dhe mbështetje nga Kushtetuta e Kosovës”, thekson Maja Kocijançiç.

Këshilli i Bashkimit Europian tashmë ka vendosur t’i zgjasë mandatin EULEX-it deri më 14 qershor të vitit 2014.

Teksa ishte vendosur të zvogëlohet numri i policëve, BE-ja nuk kishte lejuar shkurtimet e stafit gjyqësor, përfshirë gjykatësit dhe hetuesit.

EULEX-i paraqet misionin më të madh europian deri më tash, i cili ka për qëllim të ndihmojë dhe të mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në polici, në gjyqësi dhe në zonat doganore.

Në bazë të mandatit, thuhet se EULEX-i nuk është në Kosovë të sundojë apo të administrojë. Ndaj ai përkufizohet vetëm si mision teknik, i cili do të monitorojë, do të udhëzojë dhe do të këshillojë, por që do të mbajë një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive.

EULEX-i trajton kryesisht rastet e cilësuara si të ndjeshme, për shkak se organet vendore konsiderohet se nuk janë ende në gjendje që të ballafaqohen me to.

RFE

EULEX - EULEX-i është misioni më i madh europian deri më sot dhe ka për qëllim të ndihmojë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në polici, gjyqësi dhe dogana

Thaçi - Vetë kryeministri Hashim Thaçi thotë se edhe pas fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, institucionet e Kosovës do të sigurojnë një bazë ligjore për kompetencat ekzekutive të EULEX-it

 

Kryeministri

Thaçi: Veriu? E kam gati propozimin për serbët

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi thotë se është i gatshëm të flasë me kryetarin e ri të Serbisë Tomislav Nikoliç dhe me mandatarin e qeverisë së Serbisë Ivica Daçiç. Ai njëkohësisht ka paralajmëruar se atyre do t’ua ofronte zgjidhjen e re për veriun Kosovës nëse do t’i takonte.

Duke folur për këtë takim të mundshëm ai ka thënë se “e ardhmja jonë duhet të shënohet me bashkëpunim dhe rreth bashkëpunimit do të mund të organizohej takimi i tij qoftë me kryetarin, qoftë me kryeministrin”.

Këto deklarata, zoti Thaçi i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Die Prese”, ku flet edhe për atë çka pritet të ndodhë në Kosovë pas përfundimit të periudhës së mbikëqyrjes së pavarësisë. 

Autor te 5 Korrik 2012. Rajon. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry