Miratohet pjesa administrative, mbeten pezull riformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia e numërimit
Komisioni i posaçëm parlamentar, i rimandatuar nga Kuvendi dy javë më parë për përmbylljen e reformës zgjedhore është mbledhur mesditën e sotme rreth orës 12:00. Gjatë mbledhjes së sotme është arritur konsensus i plotë për pjesën administrative, ndërsa vijojnë të mbeten pezull tre çështje të tjera, si: riformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia e numërimit.
“Kaluan të tre këta kapituj,pra kapitulli i KQZ-së, kapitulli i ankimit administrativ dhe kapitulli i ankimit gjyqësor kaluan në parim si dhe nenet për të cilat palët kanë dhënë dakordësi. Çështjet që i takojnë pikërisht çështjes më sensitive që kanë të bëjnë me barazinë e palëve në procesin administrativ është akoma në diskutim. Formula e KQZ është një nga çështjet që është akoma në diskutim e sipër”, tha pas mbledhjes eksperti i PS-së, Bledar Çuçi.
Përfaqësuesi i opozitës u shpreh optimist për përfundimin në kohë të punës së komisionit, nëse palët do të tregojnë vullnet. Ndërkohë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se në mbledhjet e ardhshme komisioni do të marr në shqyrtim edhe propozimet e partive të vogla për reformën zgjedhore.
“Ne i kemi përcjellë propozimet konkrete pranë komisionit dhe sot morëm një përgjigje që ekspertët do të shqyrtojnë kërkesat tona dhe më pas do të shikohen procedurat më tej me partitë politike, që kanë sjellë propozimet. Shpresojmë të mos përjashtohet kurrkush nga diskutimi, aq më tepër forcat parlamentare dhe jo parlamentare, të cilat kanë të drejtë të kenë zërin e tyre për reformën”, theksoi Mediu.
Reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda 12 korrikut, sipas afatit të fundit që ju dha dhe komisionit parlamentar, ndërkohë që vonesat në përmbylljen e saj do të kishin pasoja në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në tetor të këtij viti. Diplomatët e Brukselit dhe ata të akredituar në Shqipëri kanë rikujtuar se nuk ka mbetur shumë kohë për përmbylljen e reformave dhe 12 rekomandimeve të BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.
5 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)