Gjurmë të substancës radioaktive u gjendën në sendet e tij personale
Dyshimi – Rikthehen sërish hijet e dyshimit për vdekjen e Yasser Arafat-it. Sipas televizionit të Katarit “Al Jazeera”, ish-lideri palestinez, që vdiq në nëntor të vitit 2004, mendohet se mund të jetë helmuar
Poloniumi – Sipas të dhënave, del se Yasser-i mund të jetë helmuar me polonium, substanca radioaktive vdekjeprurëse, protagoniste edhe në vrasjen e agjentit rus Alexander Litvinenko, që vdiq në Londër në rrethana shumë të mistershme në vitin 2006
Analizat – Gjatë analizave të bëra mbi sendet personale dhe kampionëve biologjikë të liderit palestinez, që mbylli sytë rreth 7 vjet më parë, në spitalin ushtarak “Percy”, në jug të Parisit, u gjend një nivel domethënës poloniumi
Rikthehen sërish hijet e dyshimit për vdekjen e Yasser Arafat-it. Sipas televizionit të Katarit “Al Jazeera”, ish-lideri palestinez që vdiq në nëntor të vitit 2004, mendohet se mund të jetë helmuar. Negociatori Saeb Erakat, bashkë me gruan e politikanit arab, ka kërkuar ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për të hetuar për shkaqet e vërteta të vdekjes së tij. Sipas të dhënave, del se Yasser Arafat-i mund të jetë helmuar me polonium, substanca radioaktive vdekjeprurëse, protagoniste edhe në vrasjen e agjentit rus Alexander Litvinenko, që vdiq në Londër në rrethana shumë të mistershme në vitin 2006. Sipas televizionit arab, kjo tregohet në rezultatet e analizave laboratorike të bëra në Zvicër. Gjatë analizave të bëra mbi sendet personale dhe kampionëve biologjikë të liderit palestinez, që mbylli sytë rreth 7 vjet më parë, në spitalin ushtarak “Percy”, në jug të Parisit, u gjend një nivel domethënës poloniumi”, shpjegoi në dokumentar Franois Bochud, drejtor i Institutit për Fizikën e rrezatimeve në Lozanë. Yasser Arafat-i ishte sëmurur në selinë e tij në Ramallah dhe vdiq në 11 nëntor të vitit 2004 në rrethana që mbeten ende misterioze. Rreth 50 mjekë, që u kujdesën për të, nuk e specifikuan motivin e saktë të përkeqësimit të shëndetit të tij. Në atë kohë palestinezët akuzuan Izraelin se e kishte helmuar. Dokumentari i “Al Jazeera”-s nuk i konfirmon akuza të tilla. “Nëse bëjmë bashkë të gjitha informacionet që kemi në dispozicion, rezultatet e testeve laboratorike, karakteristikat klinike, rrethanat e vdekjes së Arafat-it, është e vështirë të nxjerrësh një përfundim”, tha profesor Patrice Mangin-i, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Lozanës. Më tej ai saktësoi se është e domosdoshme të thellohen më tej këto hetime. Ndërkaq e veja e tij ka kërkuar nga Abu Mazen zhvarrosjen e kufomës, që të bëhen të tjera analiza, që mund të zbardhin plotësisht shkaqet e vrasjes së tij. “Kam kërkuar nga autoritetet vendase që të më ndihmojnë ta çoj deri në fund këtë çështje. Dua të di të vërtetën dhe për ta gjetur këtë kam nevojë për leje, për zhvarrosjen e Arfat-it”, tha ajo.
Abu Mazen iu përgjigj pozitivisht kërkesës së saj duke deklaruar se “nuk ka arsye politike apo fetare që të ndalojnë zhvarrosjen e kufomës së Arafat-it, për të bërë analizat e nevojshme”. Arafat-i, ish-laureat i çmimit “Nobel”, i cili vdiq në nëntor të vitit 2004, kaloi një pjesë të mirë të jetës duke u munduar të mbronte të drejtat dhe njohjen nga Izraeli të popullit të tij. Shkaku i vdekjes së tij mbeti i panjohur.