Shpenzimet
Mesatarisht, çdo vit buxheti i shtetit duhet të përballojë një faturë të rritjes së pagave, që arrin deri në 25 milionë dollarë (përjashto vitin 2008 kur ishte gati 40 milionë dollarë), kurse në total, tashmë shpenzohen gjysmë miliardi dollarë, për afro 100 mijë punonjës buxhetorë.
Të tilla shpenzimesh nuk janë parë me sy të mirë nga FMN-ja, sidomos në kohën e krizës, kur debatet për disiplinë fiskale morën rol të rëndësishëm për caktimin e fateve ekonomike të vendit, kushtëzuar edhe nga niveli i borxhit. Ekspertët e FMN-së kanë shprehur dyshime mbi aftësinë e qeverisë për të përballuar faturat në rritje të politikës së pagave, por Kryeministri i ka injoruar ato.
Të dhënat tregojnë se edhe gjatë vitit 2011, ashtu si në 2009-ën dhe 2010ën, qeveria planifikoi dhe ekzekutoi rritjen e pagave të administratës publike, gjë që u detyrua ta mbulojë pjesërisht me rritje të borxhit publik, pasi norma e rritjes së të ardhurave të buxhetit nuk e justifikonte këtë rritje. Shpenzimet për personelin u rritën me 2.6 për qind, ndërkohë që të ardhurat totale të buxhetit u rritën me vetëm 1.1 për qind.
Përfundimisht, mund të thuhet se për periudhën 2008-2011, të ardhurat e buxhetit të shtetit janë rritur mesatarisht me 4.2 për qind, ndërsa paga mesatare në sektorin publik është rritur me 8.2 për qind.