Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së


Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, kërkoi dje dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Deklarata e Braçes, e bërë në rrjetet sociale, erdhi pas deklaratës së dy ditëve më parë nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, sipas të cilit, vendimi i marrë për Bashkinë e Tiranës ishte gabim. Sipas Braçes, përveçse Ristani nuk duhet të jetë më pjesë e administratës zgjedhore, nga ana tjetër, edhe Basha nuk mund ta mbajë pozicionin e tij. “Arben Ristani paska thënë se vendimi me të cilin shkatërroi zgjedhjet e 8 majit në Tiranë ka qenë gabim! Bravo, tani jep dorëheqjen e shporru nga administrata zgjedhore. Vlerësimi amerikan se në Shqipëri është minuar besimi i popullit për ndryshimin me votë të qeverisjes i dedikohet ‘gabimit’ tënd. Ndërkohë, ne nuk kemi vetëm një ish-ministër të pagjykuar për procedurë! Ne paskemi dhe kryetarin e bashkisë së kryeqytetit të emëruar pas një vendimi që ka qenë ‘gabim’. Quhet Lulzim Basha dhe duhet të dorëhiqet!”, theksoi Braçe në deklaratën e tij. Nuk dihet ende nëse PS do të marrë një aksion të organizuar kundër mandatit të Lulzim Bashës në Tiranë, por ajo që dihet, lidhet me faktin se në mënyrë sistematike, PS e ka konsideruar si të vjedhur mandatin e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës. Po vështirësia në këtë proces është rritur në momentin që një organ i rëndësishëm zgjedhor, si Kolegji Zgjedhor, ka marrë një vendim të formës së prerë për shpalljen e Bashës si kryetar të Bashkisë së Tiranës. Marrja e mandatit të Tiranës shkaktoi tension të madh, për shkak të faktit se rezultati mes dy kandidatëve në garë për Tiranën, doli 10 vota në favor të Edi Ramës. Më pas, ishte vendimi i KQZ-së që, duke pranuar rinumërimin, nxori një rezultat në favor të Bashës.