ANASTAS ANGJELI
Me një simbolikë të fortë patriotike dhe politike u shoqërua festimi dhe fjalimi i Presidentit Obama, për ditën e pavarësisë së SHBA këtë vit. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Jo vetëm dhe thjesht se Amerika ndodhet në prag fushate për zgjedhjet presidenciale, por edhe për faktin se këtë vit, në përvjetorin e 236 të lindjes së shtetit të demokracisë dhe lirive më të mëdha, vjen me një sërë arritjesh të mëdha në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, duke mbajtur lidershipin e zhvillimeve më të rëndësishme globale. Janë këto edhe një arsye më shumë që, për herë të parë që nga prilli i këtij viti, Presidenti Obama gjendet në mënyrë të qëndrueshme përpara kandidatit Mitt Romney në sondazhe. Sipas “Gallup Poll”, Obama kryeson me 48% kurse Romney ndjek me 44%. Kishte tre muaj që kandidatët ishin praktikisht shumë afër me njëri-tjetrin në parashikime.
Ndërsa në politikën e jashtme dhe atë globale, roli i lidershipit të SHBA-së mbetet gjithnjë primar dhe vendimtar si në çështjet e vendosjes dhe ruajtjes së demokracisë në mbarë botën, të sigurisë ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar (“Pranvera arabe”, ndjekja e zhvillimeve në Siri, vëmendja ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht roli për pavarësinë e plotë të Kosovës, dhe roli në gjithë rajonet e globit), ashtu dhe në rolin vendimtar që ka marrë në zgjidhjen e problemeve të krizës ekonomike dhe financiare globale, veçanërisht të mbështetjes për zgjidhjen e krizës në Eurozonë, etj.
Në arritjet kryesore të politikës së brendshme spikasin: Së pari, rigjallërimi i ekonomisë amerikane dhe ulja e nivelit të papunësisë (rritja ekonomike do të jetë 2 për qind këtë vit edhe 2,6 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa papunësia po ulet nën 8 për qind) duke i bërë ballë me sukses sfidave dhe pasojave të krizës globale.
Së dyti, triumfi i Presidentit Obama përmes Vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA që u shpreh pro ligjit Obama për sistemin shëndetësor, vendim ky që pritet të ndikojë pozitivisht në rrugën e Obamës për një fitore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit (kjo sepse ky ligj ishte flamuri i politikës së Obamës gjatë katër viteve të tij në presidencë, si dhe sepse ky ligj ishte më i kontestuari nga opozita republikane).
Ligji parashikon që çdo amerikan detyrohet të blejë sigurim shëndetësor brenda vitit 2014. Përveç këtij detyrimi ligji përmban edhe masa të tjera si mbulimi i sigurimit shëndetësor të fëmijëve nga prindërit deri në moshën 26 vjeç. Ligji kërkon nga shoqëritë e sigurimeve që t’u ofrojnë sigurim shëndetësor të gjithëve pavarësisht nga gjendja shëndetësore, me çmim të logjikshëm dhe parashikon shtrirjen e sigurimit shëndetësor për 16 milionë amerikanë që i përkasin shtresës së varfër.
Së treti, nisma e Presidentit Obama për Ndryshimet në Ligjin e Emigracionit. Jo pa qëllim, në qendër të festimeve në Shtëpinë e Bardhë ishin këtë vit Ushtria (pjesa patriotike) dhe emigrantët (pjesa politike). Në një ceremoni të organizuar, 25 ushtarë të Ushtrisë Amerikane u bënë qytetarë të SHBA. (Në periudhën që pasoi sulmet më 11 shtator 2001, qeveria amerikane e ka shndërruar shërbimin ushtarak në një hap më afër drejt marrjes së nënshtetësisë. Rreth 8000 emigrantë çdo vit regjistrohen në ushtrinë amerikane.).
Sigurisht që simbolika politike ishte shumë e fortë. Me këtë gjest Presidenti Obama iu drejtua emigrantëve dhe sidomos votuesve hispanikë, të cilët janë një komunitet që mbështet fuqishëm politikat e Obamës, në lidhje me emigracionin dhe një komunitet, i cili mund të jetë vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit në shtete si Kolorado dhe Nevada. Presidenti Obama, disa javë më parë, deklaroi se qeveria amerikane do të ndalojë deportimet dhe do të japë leje pune për qindra mijëra emigrantë të paligjshëm që kur kanë ardhur në SHBA kanë qenë fëmijë. Kuptohet që komuniteti hispanik e përshëndeti këtë lëvizje.
“Çfarë dite e përsosur për të festuar ditëlindjen e Amerikës, demokracisë më të vjetër në botë, me disa nga qytetarët tanë më të rinj. Kjo është një nga gjërat që më pëlqen të bëj më shumë. Më jep gëzim dhe frymëzim të madh, sepse më kujton që ne jemi një vend i cili nuk është i lidhur thjesht nga kombësia, por nga besimi ndaj ideve të caktuara. Të gjithë ju bëtë diçka shumë të thellë. Ju zgjodhët të shërbeni. Ju veshët uniformën e një vendi, i cili ende nuk ishte tërësisht i juaji. Ju paraqitët vlerat, të cilat ne i festojmë çdo 4 Korrik: detyrë, përgjegjësi dhe patriotizëm. Akoma edhe tani ne jemi duke e përsosur bashkimin tonë, duke përhapur premtimin amerikan. Kjo përfshin edhe faktin që ëndrra amerikane të jetë e mundur edhe për ata burra dhe gra që janë të gatshëm të punojnë, të respektojnë rregullat dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Emigracioni e bën Amerikën më të fortë. Emigracioni na bën më të begatë dhe e pozicionon Amerikën për të drejtuar në shekullin XXI. Këta burra dhe gra e vërtetojnë këtë. Ju të gjithë jeni një nga arsyet se pse Amerika është e veçantë. Ju jeni një nga arsyet se pse, edhe pas dy shekujsh, Amerika është gjithmonë e re, gjithmonë duke vështruar drejt së ardhmes, gjithmonë duke besuar se ditët më të mira nuk kanë ardhur ende”.
Çështja e emigracionit është shndërruar në një pikë ku dy kandidatët për president përplasen dhe debati politik po bëhet duke pasur në sfond edhe këtë çështje. Kandidati Romney ka mbështetur një program që lejon emigrantët e paligjshëm të vetëdeportohen. Dhe kuptohet që ky program nuk është pritur mirë nga komunitetet e emigrantëve dhe sidomos, nga ai hispanik.
Për këtë arsye, Obama, gjatë fjalimit të tij, i mëshoi shumë kësaj çështjeje: “Ashtu siç vazhdojmë të mbetemi një komb i ligjeve duhet të vazhdojmë të mbetemi një komb emigrantësh. Për këtë arsye ne bëmë një hap përpara dhe po heqim hijen e deportimit nga njerëz që e meritojnë dhe që kanë ardhur në këtë vend që fëmijë”.