Financat e shëndosha publike janë thelbësore për rritjen ekonomike të Shqipërisë

Kseniya Lvovsky,

Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

Me rënien e dytë ekonomike që ka goditur eurozonën, në mbarë Europën, udhëheqësit me të drejtë po i kthejnë sytë nga rindezja e motorëve të rritjes së ekonomive të tyre. Trazirat e vazhdueshme në eurozonë janë përkthyer në ngadalësim të dukshëm të rritjes në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, ku parashikimi më i fundit i Bankës Botërore, për rritjen në vitin 2012, është rishikuar dhe ulur në rreth 1.5 për qind. Në vitin 2009, kur kriza globale dha goditjen e parë, ndikimi i saj në Shqipëri u zbut pjesërisht nga rritja e konsiderueshme e shpenzimeve publike atë vit, kryesisht në projektet e infrastrukturës. Përdorimi sërish i së njëjtës recetë do të ishte ndoshta, tundues, duke pasur parasysh se ngadalësimi i madh i rritjes ekonomike përkon me fillimin e trysnisë së zgjedhjeve të vitit 2013. Megjithatë, duke konsideruar shterimin e hapësirave fiskale dhe rreziqet më të mëdha të jashtme në vitin 2012, kjo recetë nuk do të ishte më e zbatueshme dhe do t’i përkeqësonte më tej perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Një nga mësimet e nxjerra nga kriza e mosshlyerjes së borxheve publike në periferinë e eurozonës është se dëmi, që u shkaktohet qytetarëve me humbjen e stabilitetit makro-ekonomik, është më i madh se sa përfitimet që ata kanë pasur gjatë administrimit më të shkujdesur makro-ekonomik. Një mësim tjetër i rëndësishëm është se tregjet mund të humbasin besimin në aftësinë e vendit për të menaxhuar financat e veta më shpejt se sa mendojnë qeveritë apo analistët. Stabiliteti makroekonomik është konsideruar përherë si themeli i rritjes së qëndrueshme ekonomike, por tani ai është më i rëndësishëm se kurrë. Ky stabilitet aktualisht po vlerësohet nga investitorët dhe bankat me standarde më të rrepta se ndonjëherë me parë.

Rreziku kyç për stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë është stoku i borxhit publik, që vlerësohet me mbi 800 miliardë lekë aktualisht, apo pothuaj 60 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të Shqipërisë. Pasi stoku u rrit nga 55 në mbi 59 për qind në vitin 2009, qeveria ka bërë përpjekje për të stabilizuar borxhin publik si përqindje të PBB-së, por përpjekjet për ta ulur atë më tej dhe për të rikrijuar hapësirën e nevojshme fiskale kanë qenë të pafrytshme. Përveç kësaj, mbështetja në rishikimet e njëpasnjëshme afatmesme të buxhetit, për ta frenuar deficitin, kanë rezultuar në mospagimin e faturave të sipërmarrësve privatë për kryerjen e punimeve me financim publik, gjë që kam pasur rast ta shoh nga afër për disa projekte të financuara nga Banka Botërore.

Përse është në interesin e ekonomisë dhe të qytetarëve të Shqipërisë që ky borxh publik, që është në nivel të lartë, gradualisht të ulet edhe në periudhën e rënies ekonomike? Së pari, qëndrimi shumë pranë shifrës 60 për qind, mbart në vetvete rrezikun e madh të tejkalimit të saj në rastin e një goditjeje të fortë në buxhet, sikundër gati ndodhi dimrin e shkuar, për shkak të importit të paparashikuar të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, kalimi i shifrës 60 për qind mbart në vetvete rrezikun e lartë që tregjet ta konsiderojnë një gjë të tillë si shenjë të mungesës së stabilitetit ekonomik dhe të reagojnë negativisht, duke e bërë, më të vështirë, si mbështetjen e objektivave të rritjes ekonomike, ashtu edhe ato të politikës fiskale. Mali i Zi, fqinji i Shqipërisë, borxhi i të cilit, po ashtu, i është afruar shifrës 60 për qind, po merr masa drastike për ta ndryshuar këtë prirje përmes ndjekjes së një indeksimi konservativ për pagat, racionimit të subvencioneve, ndihmën sociale dhe transfertat, dhe duke i shtyrë për më vonë shpenzimet kapitale jo esenciale.

Së dyti, nevoja për rifinancimin e një pjese të konsiderueshme të borxhit publik paraqet çdo vit një rrezik në rritje, veçanërisht në kushtet aktuale. Pothuaj 60 për qind e borxhit publik është afatshkurtër dhe përbëhet nga hua me interes të lartë të investitorëve vendas, kryesisht banka. Në rast se disa nga këto banka kanë nevoja likuiditeti, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së kredive të dhëna apo në rast se bankat mëma vendosin të ndryshojnë strukturën e portofolave të tyre dhe të largohen nga letrat me vlerë të qeverisë drejt huave për sektorin privat, Shqipëria do ta gjejë veten në pozitë të vështirë për të siguruar fonde për të paguar shpenzimet e vazhdueshme dhe për të vijuar rifinancimin e borxhit të saj të brendshëm. Për më tepër, niveli i lartë i huamarrjes së qeverisë nga tregu i brendshëm pakëson mundësinë e kreditimit të kompanive private, në një kohë kur sektori privat po e ndien shtrëngesën e likuiditetit – me pasoja negative për rritjen ekonomike.

Së treti, niveli aktual dhe përbërja e borxhit publik rezultojnë në një kosto të lartë interesi, kryesisht për shkak të kostos së borxhit të brendshëm me mesatarisht rreth 8 për qind. Buxheti i vitit 2012 ka hequr mënjanë 50 miliardë lekë për pagesën e interesit. Kjo përbën mbi 3 për qind të PBB-së së Shqipërisë, duke e vendosur atë në vendin e tretë për shifrën më të lartë pas Hungarisë dhe Turqisë, ndërmjet të gjitha vendeve europiane në zhvillim nga pikëpamja e pagesës së interesit. Sasia që Shqipëria do të shpenzojë këtë vit për pagesat e interesave është afërisht e barabartë me sasinë e të ardhurave që ajo grumbullon nga taksat e fitimeve apo të të ardhurave personale. Këto janë para që mund të ishin përdorur për ndërtimin e rrugëve apo të shkollave apo për të paguar pagat e mësuesve. Në rast se shpenzimet vjetore të interesave që paguan Shqipëria do të përgjysmoheshin, krahasuar me nivelin aktual, burimet financiare do të mjaftonin për të nxjerrë nga kufiri i varfërisë të ardhurat e 12 për qind të popullsisë, që, sipas të dhënave të vitit 2008, janë nën kufirin e varfërisë.

Çfarë mund të bëjë vendi për të mbrojtur arritjet e fituara me mund në fushën e stabilitetit makroekonomik dhe një nga rritjet mesatare më të shpejta ekonomike në Europën e shekullit të 21? Hapi i parë kryesor do të ishte që qeveria të niste, pa vonesë, një program të uljes graduale të borxhit publik dhe të deficitit fiskal në vitet në vijim dhe të kufizonte nevojat e huamarrjes së brendshme, duke ndërmarrë hapa për shlyerjen e pjesës më të shtrenjtë të borxhit ekzistues. Për të qenë të qartë: askush nuk po sugjeron masa të rrepta shtrëngese në një periudhë me rritje të ulët ekonomike të vendit dhe të rënies ekonomike në Europë.  Por, një program i moderuar konsolidimi fiskal – ulja e nivelit të borxhit me rreth 5 për qind të PBB-së gjatë 5 viteve – është absolutisht i nevojshëm dhe në favor të rritjes ekonomike. Vende të tjera, si Polonia po ndjekin të njëjtën qasje.

Kjo do të thotë kufizim i shpenzimeve të qeverisë dhe rritje të të ardhurave publike përmes masave dhe politikave administrative. Kjo do të thotë edhe një rishikim tjetër i buxhetit për ta sjellë deficitin e vitit 2012 në një shifër të besueshme prej 3 për qind, dhe duke synuar nivele më të ulëta të deficitit, të pasqyruara në kuadrin makro-fiskal afatmesëm. Në të njëjtën kohë, është me shumë rëndësi të zgjidhen sa më shpejt vonesat në pagesat e punëve publike, të kryera nga kompanitë private. Kjo do të thotë gjithashtu, se në marrjen e vendimeve për shkurtime të menjëhershme të shpenzimeve duhet t’u jepet përparësi masave, që sipas ekonomistëve, kanë “efekte shumëfishuese” në rritjen ekonomike (p.sh. duke mbrojtur shpenzimet bazë operative dhe të mirëmbajtjes dhe ato kapitale) dhe përqendrimit në reforma strukturore, të cilat ndihmojnë në rritjen e efektivitetit dhe që kanë ndikime fiskale pozitive afatmesme (p.sh. pensionet dhe reformat në sektorin e energjisë). Sikurse edhe në vende të tjera të rajonit, Banka Botërore është e angazhuar të mbështesë Shqipërinë në realizimin e një programi të tillë, si me këshilla teknike, ashtu edhe me ndihmë financiare.

Në periudhën më të vështirë ekonomike të dekadës së fundit, është detyrë e ministrive, agjencive dhe pushtetit vendor të mbështesin përpjekjet për konsolidim, të maksimizojnë efektivitetin e punës së tyre dhe të bëjnë rregullimet e brendshme në mënyrë të plotë dhe në kohë, me qëllim që të mos i lënë kompanitë private papaguar për muaj të tërë për punët e kryera në afat dhe sipas kushteve të kontratave. Është detyrë e të gjitha grupeve të përfshira në këtë proces të lënë mënjanë politikën dhe presionet zgjedhore, të mbështesin shkurtimet e nevojshme fiskale dhe t’u bëjnë të ditur zgjedhësve të tyre, se përse një gjë e tillë është e nevojshme për të mirën e vendit dhe për rifitimin sa më shpejt të rritjes së lartë ekonomike. Është domosdoshmëri e kohës që të mbështetet rritja ekonomike, duke rindërtuar në mënyrë proaktive hapësirën fiskale dhe duke e vendosur borxhin publik në një trajektore të qëndrueshme. Të bësh më pak, do të rrezikonte të ardhmen e Shqipërisë.

Autor te 6 Korrik 2012. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry