Gratë e frustruara nga shumë detyra në të njëjtën kohë

Mënyrë jetese

Gjithnjë e më tepër gratë e sotme e gjejnë veten duke bërë disa punë në të njëjtën kohë. E në këtë mënyrë, duke mos bërë mirë asnjërën syresh. Kjo lloj mënyre jetese është pjesë e një revolucioni që ka ndodhur në jetën sociale të femrës, e cila tashmë, veç familjes ka edhe punën, edhe impenjime të tjera, të cilat i hanë kohë dhe për këtë arse, ajo përpiqet që të bëjë dy, ose më shumë gjëra në të njëjtën kohë.

Kështu sheh shpesh shembuj të tillë, që ndërsa je duke gatuar me njërën dorë, me tjetrën mban fëmijën dhe ndërkohë njërin sy e ke tek lap-topi dhe tek adresa e e-mail-it, ndërsa pret të të vijë një material me të cilin do të punosh në darkë për ta dorëzuar të nesërmen në mëngjes. Kjo është një situatë që vazhdon, sepse ndërsa përpiqesh që të vësh fëmijën në gjumë me njërën dorë me tjetrën përpiqesh që të shfletosh një libër, për të cilin do të të duhet të shkruash një artikull dhe ta dorëzosh në mëngjes. E ndërsa dëgjon pyetjet e fëmijës me njërin vesh, tjetrin do të të duhet ta përqendrohesh në zhurmat që vijnë nga kuzhina. Dhe kjo të çon në fakt që të mos përqendrohesh në asnjërën nga detyrat apo punët që kryen dhe të mos jesh efikase në punën që do të bësh. E mbi të gjitha, askush nuk është i kënaqur as nga ty dhe as nga punët e tua. E vetmja gjë, që një grua fiton, si rezultat i një jete të tillë, është lodhja, stresi dhe frustrimi. E imagjinoni tani që kësaj tabloje t’i shtohen edhe detyrat si bashkëshorte, pra, vëmendja që i duhet kushtuar burrit, përgatitja e ushqimit apo edhe gjëra të tjera, të cilat gjithashtu duhet t’i bësh, ndërsa je duke menduar ose edhe konkretisht duk bërë punë të tjera. Është njësoj si të mos jesh në një marrëdhënie.

Kryesisht, kultura perëndimore i ka ngritur këto 20 vitet e fundit një himn të vërtetë kësaj mënyre të të sjellurit, që quhet “shumë detyra njëherësh”. Sipas një pjese të mirë të asaj që shkruhet apo edhe ndiqet në TV propagandohet se, nëse gratë duan të jenë me të vërtetë të suksesshme, duhet që të kenë aftësinë e të bërit të shumë punëve në të njëjtën kohë. Ky model, edhe pse nuk e jep “moralin e fabulës” quan të paafta ato gra dhe vajza të cilat nuk e kanë këtë atësi dhe nuk mund të bëjnë më shumë se një punë brenda një kohe të caktuar. Dhe që këtu lind frustrimi i shumë grave, të cilat e kanë të pamundur të ndjekin një model të propaganduar, thuajse nga të gjitha mediumet. Po a është e vërtetë që gjithë kjo mënyrë e të jetuarit, kjo mënyrë e të kryerit të detyrave të gjitha njëherazi dhe e të komunikuarit të gjithanshëm dhe të gjithëkohshëm na bën me të vërtetë efikas dhe të aftë që të jetojmë një jetë të tillë plot sfida dhe detyra të shumanshme? Sipas një libri të ri, që ka dalë në Britaninë e Madhe, përgjigjja është: “Jo”. Dhe madje ka edhe më shumë. Kjo mënyrë e të jetuarit dhe e të kryerit të punëve është shumë e dëmshme edhe për shëndetin tonë shpirtëror, sepse nuk të jep mundësinë e pushimit dhe të gjetjes së paqes, ngaqë niveli i ngarkesës është shumë i madh dhe koha që ke për t’u çlodhur thuajse nuk ekziston. Dhe mbi të gjitha, një mënyrë e tillë të shton shumë stresin, lodhjen, të bën depresiv dhe shumë pak produktiv.

Sipas një studimi, të cilit i referohet ky libër, thuhet se njerëzit që tërhiqen dhe janë shumë të dhënë pas e-mail-eve apo telefonatave, ndërkohë që janë duke punuar, kanë një rënie të ndjeshme jo vetëm të përqendrimit, por edhe të koeficientit të inteligjencës në punën që janë duke bërë. Kjo të jep të njëjtin efekt që të jep një natë pa gjumë, për sa i takon mungesës së efikasitetit në punë. Të kryerit e disa detyrave njëherazi mund të të krijojë idenë se je duke bërë shumë punë, por në të vërtetë ke një firo të madhe në produktivitet dhe ka raste që ai ulet edhe me 40%. Truri dhe trupat tanë e kanë të pamundur që të kryejnë për një kohë të gjatë dhe në mënyrë efikase disa veprime në të njëjtën kohë. Thjesht nuk janë programuar për një përvojë të tillë dhe, për këtë arsye, mes detyrave që na duhet të kryejmë, zgjedhim atë që është më prioritare dhe më pas vijnë me radhë të tjerat. Sipas studimit, kjo mënyrë e të jetuarit është shumë problematike, sepse pas njëfarë kohe, që ke një mënyrë të tillë të të bërit të punëve, mund të të dobësohet shumë aftësia dhe cilësia e të përqendruarit në një punë të vetme, aftësia e të pasurit durim për kryerjen e kësaj pune. Në këtë mënyrë, mund të shohim për shembull se çfarë do të na ndodhë nëse jemi njerëz të tillë, pra, që bëjmë shumë punë në të njëjtën kohë dhe befas, për një javë të vetme, kthehemi në “realitet” dhe i bëjmë punët o njëherazi, por me radhë, pra, njëra pas tjetrës. Dhe në përfundim të një jave të tillë “lirie” do të zbuloni se jo vetëm jeta juaj është shumë më pak stresante dhe e lodhshme, por do të arrini të përqendroheni dhe të keni efikasitet shumë më të madh. Dhe mbi të gjitha, keni më shumë durim dhe jeni më të lumtura. Në vend që të bëni shumë gjëra përnjëherë, gjatë kësaj jave vendosni prioritete dhe, teksa i zbatoni, jepini kohë vetes të pushoni apo të bëni diçka zbavitëse për veten tuaj. E ndërsa i kryeni detyrat, përqendrohuni tërësisht në to dhe mos u shpërqendroni as për të folur të telefon, as për të kontrolluar e-mail-et apo për të bërë diçka tjetër shpërqendruese. Ja si mund të jetë një javë e tillë. Hapi i parë është që të mbyllësh celularin dhe të fillosh më në fund të dëgjosh me vëmendje të plotë atë që të thonë fëmijët dhe të nisësh me ta një dialog komunikimi, duke e forcuar kështu marrëdhënien me ta. Bëhet fjalë gjatë kohës që je në makinë duke i çuar ata në shkollë, që mund të jetë një distancë relativisht e gjatë. Kësisoj këto udhëtime mund të shndërrohen në udhëtime të këndshme, ndryshe nga ato të mëparshmet. Ndërsa shkon në punë, duhet të heqësh një tjetër zakon të keq. Nëse je mësuar të punosh dhe në çdo dhjetë minuta të klikosh në sajtet e blerjeve të veshjeve online duhet, që këtë zakon ta heqësh, sepse të shpërqendron dhe të ha kohë. Mund ta bësh për t’u çlodhur jo më shumë se dhjetë minuta dhe pasi të kesh punuar disa orë. Përndryshe, gjithçka do të shkojë keq. Ky është një tjetër rregull që duhet zbatuar në javën që ke vendosur të mos bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë. Menjëherë do të vësh re se sa shpejt do të bësh punët dhe se sa pak kohë do të të hajë realizimi i një projekti, që më parë të merrte shumë kohë dhe të lodhte. E gjithë kjo vinte nga mungesa e përqendrimit. Dhe kur mbaron shpejt, ke edhe shumë kohë në dispozicion për të kaluar me njerëzit e dashur, pas pune. Kështu arrin gjithmonë që të mbarosh në orarin e caktuar dhe të shkosh në shtëpi herët, duke befasuar fëmijët që janë mësuar me oraret e tua të vona. Në këtë mënyrë mund t’u japësh gjithë vëmendjen për të cilën kanë nevojë. Mbrëmjet janë zakonisht një kohë testimi, sepse kërkojnë gjithashtu shumë punë që duhet t’i kryesh brenda një kohe të shkurtër. Kështu të duhet të gatuash, të ushqesh qenin, të shohësh detyrat e fëmijës, të ndjekësh ndonjë telenovelë në ekran dhe të gjitha këto brenda një periudhe 2-orëshe. Atëherë, edhe këtu receta është që të mos kesh objektiv t’i bësh të gjitha dhe të mos lësh gjë pa bërë, sepse koha realisht nuk është e mjaftueshme për të gjitha. Edhe në këtë test duhet të zgjedhësh duke i kushtuar më shumë kohë, sigurisht, anës njerëzore, pra, marrjes me fëmijët dhe komunikimit me ta e ndihmës që kërkojnë prej teje. Dhe duke vepruar kështu, pasi t’i vësh në gjumë, do ta ndihesh veten shumë më të lumtur dhe më të qetë, që më në fund jo vetëm që nuk je e lodhur, por je mbushur me ndjesinë pozitive, që të ka dhënë komunikimi me fëmijët. Tani, nëse do që të jesh në një gjendje të tillë çdo ditë të jetës tënde, mjafton vetëm të heqësh nga mendja modelin e detyrave të shumta në të njëjtën kohë, që është një nga modelet më të këqij dhe më frustrues të jetës “moderne”.

Autor te 6 Korrik 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Anton

    Ju lutem perktheni ne shqip! Cfare do te thote fjala “e frustruar”?!!!