Shënoi golin e fitores me Irlandën. Tani përfaqëson kokë e këmbë Italinë, bashkë me të veçantat dhe të metat e tij, që janë shumë të rëndësishme për të fituar në eurokompeticionin e ardhshëm


Baloteli është një tip i çuditshëm. Kjo që do të lexoni më poshtë nuk është më vetëm historia e gjeniut rebel, por e të gjithë futbollistëve në përgjithësi. Baloteli ka një karakter të papërcaktueshëm: i ngjan më shumë një ylli të muzikës rok se sa një sportisti të famshëm. Është nga ata njerëz që, nëse merr pjesë në një kompeticion, dëshiron ta çojë deri në fund, duke u angazhuar si një punëtor i devotshëm. Para ndeshjes me Irlandën nuk kishte pasur dhe aq fat, por “shtrëngoi dhëmbët” dhe u shërua. Të dhëmb gjuri? E kujt i bëhet vonë për këtë… Për të dëshira është mbi gjithçka, vetëm se brenda ka edhe kapriço. Ka shumë, madje për disa janë edhe të tepruara. Por të tillë janë futbollistët që shënojnë gol në minutën e fundit; ata që të lënë gjithmonë përshtypjen sikur janë të pasigurt. Edhe pse shkëlqejnë, janë fenomenalë, mbeten të pasigurt në jetë. Italia është e mbushur me të tilla histori, por Baloteli përjashtohet nga kategorizimi klasik. Është më i papërcaktueshëm, në thjeshtësinë e tij është më i ndërlikuar. Rebeli tjetër i skuadrës së kaltër, Antonio Kasano, e përmbledh me fjalë më të thjeshta: ka aftësi të jashtëzakonshme, gjë që e ka vënë në diskutim për një karakter të pakontrollueshëm. Edhe Mario vetë mendon kështu siç thotë shoku i tij, por shton diçka më shumë: është nevoja për t’u ndier në mes të një bote dhe njëkohësisht të dalësh prej saj. E bëri këtë vit në Angli, në Mancester City: shkoi për të takuar trajnerin që e bëri të famshëm, Roberto Mancinin, i cili e ka dashur, e ka përkrahur dhe e ka toleruar. Por edhe Baloteli ia ka shpërblyer duke bërë gola, duke dhënë spektakël, duke pasur klas, ide, popullaritet dhe forcë. Kur pati gjithçka, kërkoi dhe gjeti vetëshkatërrimin me bërrylat që u jepte kundërshtarëve, zënkat me shokët dhe pezullimet e përkohshme nga loja të vetë Mancinit.


Të gjitha këto kanë ndodhur se Baloteli nuk e ka kuptuar ende se ku është kufiri i tij dhe që nuk duhet ta kalojë për të mos pasur pasoja më të mëdha. Me sa duket, kjo është një lloj sfide e vazhdueshme me veten dhe të tjerët që e rrethojnë. E gjitha është një tërheqje, shtytje e vazhdueshme mes polit pozitiv dhe atij negativ, mes arsyes dhe ndjenjës, mes qëllimeve të mira dhe veprimeve të këqija. Por sado që trajnerët përpiqen të jenë të sertë me të, t’i mbajnë qëndrim, “ta ndëshkojnë”, duke e lënë në stol, nuk mund të bëjnë dot pa të. Ata vihen përballë dy virtyteve, moralit dhe oportunizmit, e zgjedhin gjithmonë të dytin: Balotelin, sepse u duhet, jo vetëm skuadrës, por klubit dhe Italisë.


Baloteli është kufiri i përjetshëm mes së mirës dhe së keqes. Është kënaqësia dhe pakënaqësia bashkë. Përmbledhja emocionale e personalitetit të tij është momenti i golit: sekonda ku ndien kënaqësinë më të madhe. Por ndodh shpesh që nervozohet duke treguar gjithçka për veten. Është gjaknxehtë dhe këtë jo të gjithë e kuptojnë. Tifozët në stadiume e ofendojnë në të gjitha mënyrat, megjithatë ai vazhdon përpara dhe qëndron drejt si ata policët që, nëpër manifestime të ndryshme, nuk zmbrapsen, por presin urdhrin për të qëlluar. “Balo” nuk ka pasur një jetë të lehtë. Për ta kuptuar këtë duhet ta provosh atë që ka provuar ai: Pasi lindi, u braktis në spital nga prindërit biologjikë. Më pas u birësua nga një familje italiane, që u kujdes për të, e rriti, e edukoi dhe i dha mbiemrin. Natyrisht që nuk ka justifikime për çmenduritë që bën, por duhet të mësojmë të kaluarën e tij të vështirë për ta kuptuar. Njësoj siç ndodh me personazhet e romaneve që, kur ua humbasim fillin, nuk i kuptojmë pikëpyetjet e shumë gjërave. Ai është një gjeni, sepse ka forcë dhe talent. Është shumë e vështirë t’i gjesh këto cilësi te një i ri në moshën e tij. Mario është 21 vjeç. Futbolli që luhet sot nuk mund të pranojë kompromise: i bardhë ose i zi. Tani Italisë i duhet të rrezikojë, sepse është në duart, këmbët dhe kokën e një rebeli të talentuar. Le të luajë me Marion, sepse edhe ai luan për atë!


Mario Barëvah ka lindur në Palermo në 12 gusht të 1990-s nga një familje emigrantësh ganezë. Pak ditë pas lindjes së tij, prindërit u transferuan në Breshia, ku edhe e braktisën në spital. Për dy vjet me radhë infermieret u kujdesën për të, pastaj iu dha për birësim familjes Baloteli, që vetëm pasi djaloshi mbushi 18 vjeç, mundi t’i jepte mbiemrin dhe nënshtetësinë italiane. Në vitin 2005, në moshën 15 vjeçare luan në serinë C1 me Lumezane. Në 2006-n kalon te Interi dhe në 2010-n te Mancester City