Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi sot se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën. Vendimi është pjesë e një opinioni të Gjykatës e cila vlerëson se tetë nene të propozuara që kanë të bëjnë me pozitën dhe rolin e presidentit të Kosovës pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin e dytë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të.
Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e hershme njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte kërkuar një opinion të presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj, ndërkaq ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.
Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011 pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.
Marrëveshja kishte mundësuar tejkalimin e situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jo kushtetuese.
Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.