Lëvizja Nano


Lëvizja Nano vlerëson se vendi është duke kaluar një periudhë të vështirë ekonomike dhe sociale, pasojat e së cilës kanë krijuar rritje të papunësisë dhe varfërisë. Më rëndë nga kjo krizë po goditen pensionistët, të papunët, të paaftët për punë dhe shtresat e marxhinalizuara. Në një reagim publik, kjo Lëvizje thekson se “qeveria e sotme ka dështuar, sepse jo vetëm ka deformuar kërkesën e tregut me investime paranojake dhe klienteliste, pa vizion, pa arsyetim zhvillimor, me baza populiste elektorale, por nuk e ka pasur kurrë si objektiv të politikave të punësimit, të taksimit dhe të mbrojtjes sociale që të krijojë një shpërndarje më të drejtë dhe më të ndershme të përfitimeve të rritjes ekonomike midis grupeve shoqërore në vend. Përqendrimi i pasurisë në pak individë të lidhur me qeverinë Berisha, ka rritur polarizimin social, ka thelluar varfërinë dhe kërcënon jo vetëm statusin e Shqipërisë-kandidat për anëtar në BE, por dhe zhvillimet e ardhshme ekonomike, sociale dhe politike në vend”. “Kjo qeverisje që me këtë mendësi, kulturë e sjellje të gabuar, me ngarkesa të forta post-diktatoriale, nuk duhet toleruar më në këtë ecje të çartur nëpër shtigje të ngushta të interesave partiake, elektorale dhe private, korruptive e arbitrare, të cilat nuk bëjnë dështake vetëm qeverinë e Sali Berishës, por i kundërvihen interesave kombëtare dhe publike, dëmtojnë rëndë edhe zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e axhendës së integrimit europian”, shprehet Lëvizja Nano.