Dëshira për të rrokur qiejt është e madhe dhe shpesh ajo merr formën e një qiellgërvishtësi. Janë bërë vazhdimisht gara në vende të ndryshme të botës nga ata që synojnë lartësitë për të ngritur kulla të larta e konkurruese dhe kjo është një garë që nuk rresht kurrë, madje edhe dje ka shënuar një kufi të ri.


Pikërisht në Londër ndodhet tani kulla më e lartë në Europë, me emrin kulla “Sharde”, cila është përuruar me një spektakël madhështor mbrëmë në darkë. Ndërkaq, kritikë të ndryshëm janë ngërthyer në një debat, që vazhdon në lidhje me atë që kulla mund të konsiderohet një triumf apo një dështim arkitekturor.


Struktura e lartë prej xhami dhe çeliku është 310 metra e lartë dhe është lançuar nga Kryeministri i Katarit, Hamad bin Jassim al-Thani vendi i të cilit e ka financuar këtë kullë. Ky përurim përbën edhe përfundimin e pjesës së jashtme të ndërtesës, e cila është vendosur në bregun jugor të lumit Tamiz në London Bidge. Ndërkohë puna për pjesën e brendshme të ndërtesës do të përfundojë në vitin 2013.


Shard, emri i së cilës është pagëzuar nga arkitekti italian Renzo Piano, është gjithsesi shumë më e shkurtër se Kulla e Dubait, ajo e Burj Kalifës, e cila është e lartë 828 metra dhe konsiderohet si kulla më e lartë në botë. Por tanimë kjo kullë do të jetë më e arta në Evropë dhe do t’ia marrë vendin për nga lartësia kullës së Moskës, e cila deri më sot ka qenë “kampionia”. Me një kapacitet prej 12000 vetash, me 95 kate e me një hotel me 5 yje, si dhe me një sipërfaqe zyrash brenda saj prej 12 mijë metrash katrore, kjo kullë do të ketë në brendësi të saj edhe restorante dhe dyqane të shumta, si dhe një sërë sallash sportive. Në të do të ketë edhe shumë apartamente, që sigurisht do të jenë luksoze dhe shumë të shtrenjta. Në fakt, bëhet fjalë për dhjetë apartamente, të cilat kanë një vlerë prej 50 milionë eurosh dhe supozohet që të jenë apartamentet më të shtrenjta në të gjithë Londrën.


Ndërkohë, në majë të kullës do të ketë një mundësi për një panoramim 360 gradësh të qytetit dhe pritet që kjo kullë të jetë një nga atraksionet turistike të qytetit dhe, se krahas të gjitha pikave turistike, kjo do të jetë në krye të listës. Kulla, e cila në tërësi ka një kosto vetëm ndërtese 450 milionë paundësh, është një projekt i financuar në masën 95% nga Katari. Shteti i vogël dhe i pasur i Gjirit ka bërë investime të shumta në ndërtime në Londër dhe në portofolin e saj profesional përfshihen edhe shumë ndërtesa të tjera në kryeqytet dhe në qytete të tjera. Ish-kryebashkiaku i Londrës, Livingston, i cili 12 vjet më parë i dha fill projektit, thotë se kjo ndërtesë e bukur dhe e lartë do të jetë një nga objektet që do ta përcaktojnë Londrën në të ardhmen. Kjo kullë ka hapur 10 mijë vende të reja pune në një nga zonat më problematike të kryeqytetit.


Por nga ana tjetër, silueta futuriste e kullës është bërë objekt diskutimesh jo vetëm mes arkitektëve, por edhe mes njerëzve të zakonshëm. Jo të gjithëve u pëlqen një siluetë e tillë, e cila për më tepër, në sfondin e Londrës tipike, mund të të stopojë pak. Kjo sepse lartësia e kullës i ka shndërruar në “xhuxha” Katedralen e Shën Palit dhe Parlamentin, që ndodhen aty pranë. Ka pasur edhe nga ata që e kanë quajtur këtë kullë si një humbje të madhe të Londrës, nga ana arkitekturore dhe ajo është krahasuar madje me një shkatërrim të madh. Por të tjerë e kanë quajtur një element të domosdoshëm modernizmi në një qytet si Londra, e cila pikërisht i ndërthur edhe vlerat e traditës, edhe ato të rejat, të modernitetit.