Kush është Lulëzim Basha? Tani ta mësojnë në çerdhe

Skandali

Programi, mësime për pushtetarët pa mbushur dy vjeç

Lorina Mixha

Kryebashkiaku, Lulëzim Basha, kreu i qeverisë, Sali Berisha apo kryetari i opozitës Edi Rama, janë gati pjesë e pandashme e aktualitetit. Por jo vetëm për ne të rriturit. Figurat e politikanëve, të majtë, të djathtë apo të qendrës, kryesisht atyre me pushtet janë elemente të pandashme edhe gjatë orëve të mësimit në sistemin parashkollor. Duke nisur nga çerdhja, ku përgatiten për jetën fëmijët që nuk kanë mbushur akoma dy vite jetë. Programi mësimor u lë hapësirë të lirë edukatoreve për të folur rreth politikanëve. Të majtë apo të djathtë, kjo varet nga preferencat e edukatores, por edhe nga pyetjet e vogëlushëve.

Çerdhet dhe kopshtet

“Në programin mësimor edukatorja ka disa piketa, me të cilat organizon planin javor. Por zhvillimi i orës bëhet spontan për tema të caktuara, si në rastin kur flitet për institucionet apo për profesionet. Shpesh edukatoret, kur zhvillojnë temën e profesioneve, flasin për politikanë, për Kryetarin e Bashkisë, për ministrin e shëndetësisë, për Kryeministrin e vendit, por edhe për kreun e opozitës. Por figurat dhe politikanët, që përmenden, janë edhe në varësi të kuriozitetit të fëmijëve”, thonë edukatoret.

Një edukatore çerdheje në Tiranë, e cila nuk donte të identifikohej, i tha gazetës se gjatë muajit maj në programin e punës kishte të përfshirë njohjen e fëmijëve të grupit “të lepurushave” me kryetarin e bashkisë së Tiranës.  Dhe grupi i lepurushave përbëhet nga fëmijë të moshës nga 12 në 24 muajsh. Edukatorja në fjalë ishte ndier e lëhtësuar kur psikologia e çerdhes i kishte thënë se edhe mund ta anashkalonte këtë pjesë të programit mësimor. Por mund të ketë edukatore që vendosin ta zbatojnë këtë pjesë të programit, dhe janë plotësisht brenda rregullave.

Punonjësit socialë dhe psikologët, të cilët bëjnë edhe konsultime me edukatorët apo drejtuesit e çerdheve dhe të kopshteve, kanë dhënë mendimin e tyre, duke i klasifikuar këto tema si të parëndësishme dhe të panevojshme për ciklin parashkollor.

Por në fund të fundit, zgjedhja u lihet në dorë edukatoreve.

Programet alternative

Programet e parashkollorëve, vitet e fundit janë alternative.

Kjo do të thotë që secili nga administratorët e kopshteve dhe të çerdheve, publike apo private, në konsultim me edukatoret dhe mësueset, zgjedh disa nga variantet që rezulton të jenë më të përshtatshme. Programet përgatiten nga specialistë të edukimit dhe miratohet nga Drejtoria Arsimore, sipas një protokolli të caktuar, përzgjedhjeve që i bëjnë mësuesit dhe konsultimet e edukatorëve.

Nga vjeshta deri në verë, programet e parashkollorëve janë të ndarë sipas një plani mujor. Kryesisht në të gjitha planet mësimore të edukatorëve në çerdhe dhe kopshte sqarohet se: “Programet e zgjedhura për fëmijët synojnë të zhvillojnë personalitetin e fëmijës, të favorizohet zhvillimi fizik, mendor dhe social. Synohet të nxitet iniciativa, krijimtaria. Duhet të punojmë me aftësinë fizike, artistike, njohëse, emocionale, edukative dhe komunikuese të fëmijës, në kuadrin e të mësuarit përmes lojës”

Sipas ekspertëve të edukimit dhe pedagogjisë, objektivat primare të programeve të parashkollorëve janë: zhvillimi gjuhësor, zhvillimi shkencor, zhvillimi matematikor, zhvillimi social, zhvillimi artistik, zhvillimi fizik dhe shëndetësor.

Thelbi i të gjitha programeve, pavarësisht larmisë së tematikave dhe lojërave, mbetet zhvillimi gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social emocional dhe zhvillmi fizik.

Autor te 6 Korrik 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry