Një mami greke ndihmon nënën e re, duke luftuar me administratën Chloe Hadjimatheou, BBC


Mungesa e financimeve të mjaftueshme po i çon spitalet në Greqi të sillen ashpër me pacientët që nuk plotësojnë kushtet për të përfituar kujdes shëndetësor falas, por kur pacientët janë të varfër, nuk mund të gjendet asnjë zgjidhje. Në nëne të re shqiptare i thanë në spital se nuk lejohej të merrte foshnjën e sapolindur pa paguar më parë faturën. Kur materniteti i Athinës, ku Anna solli në jetë fëmijën e vet, i kërkoi të paguante koston e ndërhyrjes cezariane, ajo i tha se nuk kishte 1200 euro për të paguar. Ata u përgjigjën duke kërcënuar se do të mbanin peng foshnjën, deri sa ajo të paguante faturën. Si qindra, mijëra njerëz të tjerë në Greqi, Anna (nuk është emri i vërtetë) nuk i plotëson kushtet për ndihmë mjekësore falas. Shteti i Greqisë ofron shërbime falas vetëm për njerëzit e punësuar, të cilët bëjnë pagesa të rregullta për sigurimet shoqërore ose kur njerëzit janë të papunë, në rast se i kanë shlyer rregullisht taksat.


Ndërsa papunësia ka arritur në 21 për qind dhe taksa të reja “solidariteti” po shfaqen çdo muaj, shumë njerëz kanë mbetur praktikisht pa asnjë lloj sigurimi shëndetësor, thotë drejtori i një shoqate mjekësh vullnetar, Nikitas Kanakis.


“Nëse llogarit njerëzit që kanë rënë nën kufirin e varfërisë, ata që kanë një faturë të prapambetur te taksat, qoftë kjo edhe një faturë parkingu, ata që kanë mbetur pa punë për më shumë se një vit dhe ata që kanë vonuar shlyerjet e pagesave të sigurimeve shoqërore, mund të dalësh në përfundimin se një e katërta e popullsisë është e pambuluar”, – thotë ai.


Qeveritë e Greqisë kanë shkurtuar shpenzimet shëndetësore me 13 për qind gjatë dy viteve të fundit dhe i kanë thënë spitaleve të shtrëngojnë rripin. Në të njëjtën kohë, spitalet publike janë përballur me një rritje prej 30 përqindësh në pacientë, pasi grekët e shtresës së mesme kanë hequr dorë nga spitalet private.


Doktor Katerina Stypsanelli thotë se në të shkuarën, menaxherët nuk kanë këmbëngulur shumë për të marrë pagesat nga pacientët e varfër, por tani janë nën presion për të zbatuar rregullat.


“Nuk është faji i spitalit, është politika e qeverisë dhe shtrëngimi i buxhetit që po na kufizon”, thotë Stypsanelli, e cila punon si mami në këtë spital.



Anna jeton në një barakë të vogël me dysheme betoni dhe mure të rrënuara në Loutsa, një qytet bregdetar rreth një orë me makinë larg kryeqytetit. E gjithë familja, përfshirë bashkëshortin e saj, të atin dhe vëllain, varen nga të ardhurat e pakta që krijon mamaja e saj që punon si pastruese.


Spitalet janë shumë keq financiarisht aktualisht dhe kanë vështirësi në shlyerjen e pagesave për furnizimet që marrin. Kështu janë të detyruar të sigurohen që do t’i mbulojnë kostot e veta, qoftë duke kërkuar financim nga sigurimet shoqërore, ashtu edhe duke i ngarkuar pacientët.


Ky nuk është një sistem i veçantë për Greqinë. Rreth gjysma e vendeve europiane kanë po këtë sistem. Nëse nuk ke sigurime shoqërore, je në telashe.

Familja e Anna-s ishte e punësuar deri para fillimit të krizës, por thonë se tashmë i kanë mbaruar kursimet dhe janë vonuar në shlyerjen e qerasë. Pronari i shtëpisë i ka dhënë afat deri në fund të muajit për t’u larguar. Nëna e re thotë se nuk e di se si do t’ia bëjë për të paguar vaksinat e fëmijës.


“Spitali na kërkoi shumë para dhe njëri te zyra e administratës na tha se do të duhet të paguajmë të gjithë shumën para se të lejojë që të marrim fëmijën në shtëpi”, thotë ajo.


“Kush nuk do të trembej nga një kërcënim i tillë? Sapo ke lindur fëmijën dhe ata duan ta mbajnë nëse nuk ke para për të paguar. A nuk kanë edhe këta njerëz fëmijët e tyre?”


Anna thotë se spitali bëri të njëjtin kërcënim kur lindi fëmijën e parë, 20 muaj më parë. Masat e kursimit sapo kishin filluar të zbatoheshin, por ajo ishte ende në punë pavarësisht recesionit dhe arriti të plotësojë paratë për të paguar faturën.


Këtë vit, pasi lindi fëmijën e dytë, e dinte se nuk kishte asnjë mundësi dhe pati frikë realisht se spitali mund ta vinte në zbatim kërcënimin, deri sa ndihma erdhi nga Stypsanelli – një anëtare e shoqatës Gratë Kundër Borxhit – e cila bën fushatë kundër kursimeve të imponuara nga qeveria dhe që prekin gratë.


“I bëra një telefonatë drejtorit të spitalit dhe i dhashë urdhër ta lejojë të marrë fëmijën e vet dhe ta lejojë të paguajë me këste”, thotë ajo.


“Është e drejtë e çdo gruaje të marrë shërbime shëndetësore dhe e drejtë që të ketë fëmijë. Këto politika kundër të pafatëve dhe të dobëtëve janë thjesht të turpshme”.


Drejtori i spitalit ku Anna lindi fëmijën, Nikos Faldamis, thotë se nuk është kontaktuar mbi këtë rast. Ai thotë se stafi i tij nuk e ka kërcënuar kurrë Anna-n se do t’i mbajë fëmijën dhe se ata i kanë ofruar mundësinë të paguajë me këste që nga fillimi.


“Ky nuk është një dyqan ku mund të lihet peng unaza. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këtu”, thotë ai. “Zonja në fjalë do të linte spitalin të dielën, por për shkak se stafi administrativ nuk punon në fundjavë, iu desh të priste deri të hënën, kur si ajo edhe foshnja u larguan së bashku”.


Ai thotë se spitali ofron të njëjtin shërbim për këdo që vjen dhe nuk i pyet nëse kanë mundësi të paguajnë apo jo.


“Por, pas trajtimit, është normale që ne të pyesim se si do të mbulohet kostoja; nëse nuk janë të mbuluar nga sigurimet apo nga shteti, ne lëshojmë një faturë përmes zyrës së taksave ose i kërkojmë të firmosin një deklaratë në të cilën bëjnë të qartë se do të paguajnë kur t’i gjejnë paratë”, thotë ai.


Disa ekspertë thonë se parimi i përgjithshëm që pacientët të paguajnë për mjekimin është i drejtë dhe i nevojshëm.


Prof. Lycurgus Liaropoulos, një ekonomist i shëndetësisë, i cili këshilloi qeverinë se ku mund të kursejë, thotë se spitalet janë nën presion të madh për të mbuluar shpenzimet e veta.


Stypsanelli, gjithsesi, thotë se Anna nuk është një rast i izoluar. Në dhjetor, një grua tjetër u detyrua të gjejë paraprakisht paratë për të paguar, para se të lejohej të merrte foshnjën, kujton ajo.


“Ka shumë gjasa që rastet të jenë të shumta, por nuk kanë ardhur në vëmendjen tonë, për shkak se këto gra janë të dobëta dhe të frikësuara”, thotë ajo.


Stypsanelli beson se, ndërsa spitalet e tjera kanë sindikata dhe grupime aktivistësh që mbrojnë pacientët, spitali ku ajo punon është më shumë i prirur të zbatojë ligjin. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2011, politikania greke, Litza Amanatidou, shtroi në Parlament çështjen e një gruaje, fëmija e së cilës qe mbajtur në spital mbi një javë deri sa ajo ishte në gjendje të paguante faturën e lindjes.


“Gruaja na tha ne se iu desh të vizitonte spitalin disa herë gjatë ditës për të ushqyer fëmijën e vet me gji”, thotë ajo.


Partia e Amanatidou, Syriza, një koalicion grupimesh të majta që dolën në vend të dytë në zgjedhjet e fundit, kërkon që Greqia të hedhë poshtë planin e shpëtimit nga Bashkimi Europian dhe FMN. Anëtarja e Parlamentit pranon se sistemi i kujdesit shëndetësor në Greqi është i korruptuar dhe ka nevojë për reformë, por kundërshton mënyrën se si masat e kursimit po zbatohen.


“Politikat e qeverisë po sjellin shkelje të të drejtave të njeriut dhe nëse vijojnë, do të sjellin një katastrofë në shëndetin publik”, thotë ajo.


Anna ka lindur në Shqipëri dhe ka jetuar në Greqi që kur ishte 4 vjeç, por këto lloj problemesh nuk po prekin vetëm emigrantët, thonë shoqatat e mjekëve.


Janis dhe Spiridoula Abatzis, që të dy nënshtetas grekë, sollën në jetë djalin e tyre më mars, por fëmija nuk ekzistoi në dokumentet zyrtare për disa muaj.


“Spitali më tha se nuk do të më jepnin dokumentet për fëmijën deri sa të paguaja faturat. Unë nuk i kisha paratë kështu që thjesht mora fëmijën dhe ika”, thotë Abatzis.


Dy prindërit e rinj, të cilët jetojnë në Perama, një nga qytetet më të varfra në Greqi, nuk plotësonin kushtet për të përfituar ndihmë për fëmijën, për shkak se i mungonte certifikata e lindjes, deri sa një shoqatë mjekësh e ndihmuan të detyronte spitalin për të ndryshuar vendimin.


Çifti i papunë jeton në një barakë pa leje dhe presin që energjia elektrike t’i ndërpritet. “Ne kemi dru për të gatuar dhe do të përdor frigoriferin e një fqinji”, thotë nëna. Dukshëm në shtëpinë e tyre nuk ka para.


Shoqata e mjekëve thonë se faturat spitalore të papaguara i dërgohen zyrës së taksave. “Duket sikur ata i detyrohen taksa shtetit, megjithëse nuk është e njëjta gjë”, thotë shoqata. Në teori, Janis Abatzis mund të arrestohet apo futet në burg për evazion fiskal. Në teori, e njëjta gjë mund t’i ndodhi Anna-s, e cila thotë se nuk ka para për të paguar faturën, qoftë edhe me këste.


Partitë kundër planit të shpëtimit, si Syriza, thonë se raste të tilla janë arsye të mjaftueshme për të refuzuar kushtet e Bashkimit Europian. Por një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona nuk jep garanci se jeta për të varfrit e këtij vendi do të jetë më e mirë.