Shifrat
Rritja e pagave mesatarisht nuk shkon më shumë se 2500 lekë, por nëse heqim taksat, bëhet 2000 lekë
Rritja e pagave në kohë krize ka vënë në pikëpyetje aftësinë e qeverisë shqiptare për gjetjen e burimeve të financimit. Deklaratat e Kryeministrit për shtesa, që shkojnë dy-tre herë më shumë se sa niveli i inflacionit, bien ndesh me statistikat “kokëforte” të INSTAT-it, sipas të cilës deri në qershor, paga mesatare në shtet ishte 48.800 lekë dhe me rritjen e re nuk shkon më shumë se 51.300 lekë, gjithnjë sipas variantit zyrtar të Kryeministrit. Pra, diferenca del me një rritje jo më shumë se 5 për qind, ose 4.8 për qind dhe larg premtimit për 7 deri në 10 për qind.
Arka e shtetit nuk ka para dhe kjo duket qartë nga vonesat në hartimin e buxhetit të ri, i cili duhet të kishte mbërritur në kuvend. Kryeministri foli para kohe për rritje page, duke luajtur me shifrat dhe u tha shqiptarëve se po i rriste me 2.5 herë më shumë, por duke e krahasuar me vitin 2005. Për vitin 2011 nuk mund ta thoshte, pasi diferenca nuk tregonte aq vlerë sa mund të bënte reklamën e madhe.
Kryeministri nuk ka vënë në siklet vetëm ministrin e tij të Financave, por edhe vet INSTAT-in, i cili me shifrat e raportuara deri më tani, rrëzon tezën për rritje të “madhe” pagash. Diferenca me çfarë ishte dhe deri ku mund të shkojë është mesatarisht 2500 lekë, e, nëse i zbresim taksat, del më pak se 2000 lekë në muaj.
Pagat mesatare, që pësojnë rritje pas datës 15 korrik, janë deklaruar nga qeveria në masën bruto, pra, duke mos e zhveshur nga taksat. Kështu, sipas qeverisë, me nivelin e ri të rritjes, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm arrin në 594 mijë lekë, por, nëse heqim taksat, në xhep shkojnë 40 mijë lekë mesatarja, po ashtu edhe me arsimtarin e shkollës 9-vjeçare, kurse më keq del paga për infermierët, që me rritjen bruto, arrin në 30 mijë lekë.
Shpenzimet për paga vitin e kaluar ishin rreth 1.4 miliardë lekë më të larta ose rreth 2.5 për qind më shumë se viti 2010, si rrjedhojë e vendimit për politikë të re të rritjes, pavarësisht se FMN-ja ishte kundër. Edhe këtë vit fatura pritet të jetë të paktën 1.5 miliardë lekë. Në vitin që lamë pas, qeveria shpenzoi rreth 58 miliardë lekë vetëm për fondin e pagave dhe për këtë vit pritet të arrijë deri në 60 miliardë lekë.
Sikurse duket nga grafiku, rritja më e madhe e fondit të pagave ishte në vitin 2008, me rreth 12 për qind, kurse në vitin 2009 pësoi rënie me 4 për qind.
A.K.